Për t’i shpëtuar aktivitetit kriminal dhe trafikut të drogës, Olsi Meta të cilit iu sekuestruan 26 mln euro pasuri ka përdorur 5 identitete të ndryshme.
Olsi Meta ka ndryshuar emrin ndër vite.
Deri në vitin 2009 ai ka mbajtur emrin e lindjes, Olsi Meta. Në janar të vitit 2012, ndryshon dhe mbiemrin, nga Meta në Koni, duke marrë mbiemrin e nënës. Por në maj të këtij viti, ka ndryshuar emrin, nga Olsi në Kristian.
Sipas dosjes ai rezulton të ketë përdorur dhe dy identitete të tjera, Zdanaivicius Ramunas (lindur më 28.07.1980) dhe Kelys Zydrunas (lindur më 29.04.1987).
Por, nga një kërkim në internet rezulton se emri i fundit, Kelys Zydrunas i përkon një basketbollisti të njohur lituanez. Nga kërkimi rezulton se Olsi Meta i ka vjedhur jo vetëm emrin, por përkon edhe data e datëlindjes 29 prill 1987, e cila është përdorur nga ai në mjetet false të identifikimit që i përdorte për t’i shpëtuar autoriteteve të huaja.
Sipas njoftimit të Policisë dhe Prokurorisë së Tiranës, pronat e sekuestruara janë shtrira në zona luksoze të Tiranës dhe në Palasë. Krahas pronave, janë sekuestruar 2 makina luksoze dhe 20 llogari bankare, në total 26 milionë euro. “Po vijon puna për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që dyshohet se kanë burim nga veprimtaritë kriminale të këtij shtetasi” tha policia, pasi ka dyshime se mund të ketë dhjetëra miliona euro të tjera prona, apo edhe llogari bankare, të cilat dyshohet se po pastrohen në Shqipëri.
Lini një Përgjigje