
Një 29-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Viena, u arrestua në pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Thanës.
Shtetasi M. G., 29 vjeç, banues në Veleshtë të Maqedonisë së Veriut, tentoi të largohej nga Shqipëria, ndërkohë që ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me partnerët austriakë, ka nisur procedurat për ekstradimin e 29-vjeçarit drejt Austrisë.
“Tentoi të dilte nga Republika e Shqipërisë, ndërkohë që kërkohej nga autoritetet austriake si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, kapet dhe arrestohet përkohesisht me qëllim ekstradimi në Austri 29-vjeçari nga Maqedonia e Veriut.
Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të imtësishme në hyrje/dalje, me objektiv goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim që tentojnë të lëvizin ilegalisht për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, shërbimet e Policisë Kufitare të Qafë Thanës ndaluan në dalje shtetasin maqedonas M. G., 29 vjeç, banues në Veleshtë, Maqedonia e Veriut.
Nga verifikimet e kryera dhe nga informacioni i shkëmbyer me partnerët austriakë, nëpërmjet Interpol Tiranës, rezultoi se ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Viena, Austri si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Austri, vijon procedurat për ekstradimin e 29-vjeçarit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Lini një Përgjigje