Janë publikuar pamjet nga momenti i arrestimit të Soni Pepës, 40-vjeçarit të arrestuar në Republikën Dominikane pasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK si pjesë e organizatës së Franc Çopjas.
Siç shihet nga pamjet, përveç prangave në duar, Pepa ka edhe zinxhir në këmbë ndërsa shoqërohet nga forcat e Interpol. 40-vjeçari mbante në kokë edhe një helmetë dhe jelek antiplumb.
Në një njoftim zyrtar thuhet se Policia Kombëtare, nëpërmjet Byrosë Qendrore Kombëtare (NCB) të INTERPOL-it në Santo Domingo, arrestoi shtetasin shqiptar Soni Pepa, 40 vjeç, i cili kërkohej nga autoritetet gjyqësore në vendin e tij sipas Njoftimit të Kuq Nr. A-11907/8-2025 për përfshirje të dyshuar në trafik ndërkombëtar droge.
Pepa është i lidhur me një ngarkesë prej 11 tonësh kokainë, përfshirë 600 kilogramë të sekuestruar në Roterdam të Holandës, në nëntor 2020, dhe financimin e 10 kilogramëve të tjerë në të njëjtin qytet. Raportet ndërkombëtare tregojnë se ai i përkiste një rrjeti kriminal transnacional që vepronte në Evropë dhe Amerikën e Jugut, duke përdorur portin Villetas të Paraguait si pikë nisjeje për ngarkesat me destinacion Belgjikën.
Ai u arrestua në Distriktin Kombëtar, ndërsa iu gjet një pasaportë shqiptare, disa dokumente italiane, pesë telefona celularë të koduar dhe para cash.
Pas kapjes së tij, ai iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Imigracionit për procedurat e deportimit në koordinim me OCN-INTERPOL Santo Domingo.
Në dosjen e SPAK, që bazohet në komunikimet përmes aplikacioneve Sky Ecc, Pepa njihej me nofkën ‘Zhuu’.
Lini një Përgjigje