TAGS-AT E JAVËS

Kronike15 Nëntor 2024, 14:50

Atentati me plumb në kokë ndaj biznesmenit Reçi, Prokuroria e Tiranës urdhëron kryerjen e eksperimentit hetimor

Shkruar nga Pamfleti
Eduart Reçi

Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar kryerjen e eksperimentit hetimor për vrasjen e biznesmenit Eduart Reçi.

Ky vendim që i është deleguar grupit të hetimit në polici është marrë, pasi nuk është përcaktuar ende vendi se ku qëndronte qitësi, i cili qëlloi me armë zjarri në kokë Reçin.

Ende nuk është gjetur as gëzhoja dhe nuk dihet se me çfarë lloj arme u godit nga distanca i ndjeri.

Reçi u qëllua në kokë dhe ndërroi jetë në spital, ndërsa mbeten të paqarta shumë elementë të kryerjes së këtij krimi e natyrisht edhe pistat si dhe autorët.

Dyshimet e ekspertëve janë të shumta, ku përfshihet edhe ajo e përdorimit të një pushke sportive.

Kur u qëllua me armë Reçi, në zonën pranë pallatit të tij u hodhën fishekzjarre. Për hetuesit, hedhja e fishekzjarreve mund të jetë përdorur si kamuflim për të “mbytur” zhurmën e të shtënës me armë.

Sipas policisë distanca e qitjes mendohet të jetë rreth 20 deri në 30 metra.

Biznesmeni i ndërtimit Reçi fillimisht ka qënë me bashkëshorten e tij në hyrje të pallatit në “Rrugën e Elbasanit”. Ai më pas ka dalë në sheshpushimin e pallatit ku është qëlluar nga autorët me një plumb në kokë. Fillimisht familjarët kanë dyshuar se ai është rrëzuar duke përplasur kokën në rrugë, por pasi ka mbërritur ambulanca, mjekët kanë konstatuar plagën e shkaktuar nga arma me zjarrit.

Asnjë gjurmë e autorëve nuk është fiksuar nga kamerat e sekuestruara deri më tani, kjo për shkak të errësirës, por dyshohet se ai është qëlluar nga një lartësi.

Hetuesit kanë dërguar në laborator celularin e viktimës për të parë komunikimet e tij të fundit. Grupi hetimor ka sekuestruar edhe kamera në rrugë dhe biznese të tjera në afërsi të pallatit ku jetonte viktima.

Gjithashtu po kqyren pamje të kamerave të sigurisë edhe në ditë të tjera përpara vrasjes për të parë nëse ka apo jo lëvizje të dyshimta.

Pista e hetimit mbetet ajo për shkak të pronave ose për shkak të biznesit që prej vitesh kishte Eduard Reçi në fushën e ndërtimit. Në vitin 2015 kishte bërë një kallëzim për çështje pronësie, çështje që është mbyllur.

eduart reçi

Lini një Përgjigje