
Një krim brutal u zbulua pasditen e djeshme në Greqi në zonën e Skourta, Beotia, ku një burrë u gjet i vdekur në sediljen e pasme të një makine.
Viktima është gjetur i djegur me duart e lidhura me pranga pas shpine. Makina e djegur me trupin brenda u zbulua nga një gjuetar dhe ai dyshohet se është me origjinë shqiptare.
Oficerët e policisë që mbërritën në vendngjarje zbuluan se brenda mjetit kishte një person të karbonizuar, ndërsa brenda u gjetën edhe pranga, një element që forcon idenë se kemi të bëjmë me një krim.
Zëdhënësja e Shtypit e Policisë Helenike, Constantia Dimoglidou, konfirmoi se automjeti është transferuar në laboratorët mjeko-ligjorë, ku do të mblidhen të dhëna për të identifikuar ADN-në dhe gjurmët e gishtërinjve, ndërsa po bëhen përpjekje për të identifikuar trupin, një proces që është shumë i vështirë për shkak të shkallës së karbonizimit.
Sipas policisë, makina dhe trupi i pajetë qëndruan në vendngjarje për rreth 48-orë përpara se të gjendeshin. Hetimet janë në kulmin e tyre nga Departamenti i Vrasjeve dhe Drejtoria e Krimit të Organizuar, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë zhdukjet e raportuara në ditët e fundit për të arritur në identitetin e viktimës.
Policia nuk po përjashton asnjë skenar, megjithatë, provat fillestare tregojnë se ky ishte një akt i planifikuar mirë, me autorët që zgjodhën një vend veçanërisht të izoluar, ndoshta duke e njohur shumë mirë zonën.
Lini një Përgjigje