
Një tjetër skandal godet Policinë e Shtetit, këtë herë në zemër të Krujës. Oficeri i rendit me inicialet Elson Leka, me detyrë në Fushë-Krujë, është arrestuar pasditen e sotme nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën dyshimet e forta se është përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike në zonën ku vetë duhej të zbatonte ligjin.
Operacioni është zhvilluar në banesën e tij në fshatin Cudhi të Malësisë së Krujës, ku oficerët e AMP-së kanë gjetur edhe disa armë pa leje. Një provë e qartë se ky efektiv jo vetëm ka shkelur ligjin, por është i lidhur me rrjete kriminale që veprojnë në zonat më problematike të vendit.
Ky rast dëshmon edhe një herë se krimi jo vetëm që nuk është larguar nga strukturat e shtetit, por po lulëzon brenda vetë Policisë së Shtetit. Një oficer i ngarkuar me detyrën për të garantuar rendin dhe sigurinë, kapet si pjesë aktive e veprimtarive kriminale që ai duhej të luftonte. Arrestimi i tij është vetëm një simptomë e sëmundjes më të thellë që po gërryen besimin e qytetarëve tek uniformat blu.
Njoftimi i AMP
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës - Kavajë) në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë dhe DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë E. L., me detyrë Trupë shërbimi / Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Fushë - Krujë i dyshuar për kryerjen e veprave penale “ Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”.
Arrestimi i tij u bë i mundur në kuadër të operacionit të koduar “Bashkëpunimi”, ku nga hetimet proaktive me metoda speciale dyshohet se pununonjësi i policisë në bashkëpunim me vëllain e tij Ç. L., (i shpallur në kërkim), rreth orës 11:30 kanë qenë të pranishëm në një zonë pyjore në Njësinë Administrative Cudhi, Krujë, ku janë konstatuar parcela me 65 bimë narkotike të dyshuar “Cannabis Sattiva”. Pasi kanë konstatuar praninë e policisë janë larguar për ti shpëtuar kapjes.
Nga kontrolli fizik iu gjetën dy armë zjarri tip pistoletë të markës “TT” dhe një sasi fishekë. Gjatë kontrollit të banesës gjithashtu u gjet një sasi tjetër me fishekë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Lini një Përgjigje