
Një hajdut serial shqiptar, i cili është burgosur dhe deportuar dy herë nga Britania e Madhe, është shfaqur me Ferrarin e tij në rrugët e Londrës, ku është kthyer fshehurazi.
Dorian Puka, 28 vjeç, i veshur me Gucci, postoi një video në llogaritë e tij në Instagram dhe TikTok, ku dukej ai duke drejtuar makinën luksoze.
Zyra e Brendshme pranoi se shqiptari ishte deportuar më parë, por tha se ishte e pafuqishme ta bënte këtë përsëri derisa kërkesa e tij për azil të trajtohej plotësisht.
Që nga kthimi në Britani, Puka ka postuar një sërë makinash luksoze, ushqime dhe qëndrime në hotele të shrenjta.
28-vjeçari fillimisht u burgos për nëntë muaj për një tentativë vjedhjeje në vitin 2016 përpara se të dëbohej vitin e ardhshëm. Por brenda 12 muajsh ai u kthye në Mbretërinë e Bashkuar, ku kreu sërish një vjedhje.
Nuk është e qartë se si u kthye në vend. Ai përfundimisht u arrestua, duke mbajtur një orë të shtrenjtë të vjedhur, nga një oficer në Londrën jugperëndimore.
Puka u burgos për tre vjet e gjysmë, por kjo nuk e pengoi atë pas hekurave të vazhdonte të tallej me sistemin e burgjeve në Britani. Ai u deportua në mars 2020, por u kthye në janarin e ardhshëm. Postimet në rrjetet sociale treguan se ai kishte udhëtuar nëpër Gjermani, Belgjikë dhe Holandë.
Informacioni iu kalua Zyrës së Brendshme, por pavarësisht një paralajmërimi se ai “duhet të jetë i përgatitur për t’u përballur me ndjekjen penale dhe largimin”, ai vazhdoi të jetonte në Mbretërinë e Bashkuar pa pengesa.
Lini një Përgjigje