TAGS-AT E JAVËS

Kronike 1 Maj 2024, 10:19

Hodhën molotov gjatë protestës para Bashkisë Tiranë,  procedohen penalisht 3 persona dhe shpallen në kërkim disa të tjerë

Shkruar nga Pamfleti

Hodhën molotov gjatë protestës para Bashkisë Tiranë,

Tre persona që morën pjesë në protestën e djeshme, të organizuar para Bashkisë së Tiranës, janë proceduar penalisht dhe janë shpallur në kërkim disa të tjerë. Ata akuzohen për veprat penale "Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, dhe “Goditjet për shkak të detyrës”.

"Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, procedoi në gjendje të lirë shtetasit:

– K. K., 27 vjeç, S. G., 40 vjeç, dhe A. Q., 63 vjeç, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Gjithashtu, janë shpallur në kërkim shtetasit Z. B., 19 vjeç, R. D., 19 vjeç, dhe N. M., 57 vjeç, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, dhe “Goditjet për shkak të detyrës”, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore", njofton policia.

Lini një Përgjigje