
Dy të rinj janë arrestuar në Gjirokastër, pasi dyshohet se shfrytëzonin një vajzë 26-vjeçare për qëllime prostitucioni.
Në pranga ranë Roberto Leka, 27 vjeç, nga Tirana dhe Kristo Duraku, 31 vjeç, nga Divjaka. Të dy akuzohen për përfshirje në një rrjet shfrytëzimi për prostitucion.
Gjithashtu, janë proceduar penalisht edhe dy persona të tjerë, të cilët dyshohet se kishin dijeni për rastin, por nuk e kallëzuan në polici.
Gjatë operacionit janë sekuestruar para cash dhe 6 celularë që dyshohet se janë përdorur në këtë veprimtari.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrjetin dhe persona të tjerë të përfshirë në këtë rast.
"Shfrytëzonin një 26-vjeçare për prostitucion, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas. Procedohen penalisht 2 shtetas të tjerë për moskallëzim krimi.
Sekuestrohet një shumë parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme dhe 6 celularë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Memaliaj, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të prostitucionit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Last night”.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit R. L., dhe K. D., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shfrytëzonin për prostitucion një 26-vjeçare nga Berati, e cila e ushtronte prostitucionin në qytete të ndryshme.
Në përfundim të veprimeve, u ndaluan shtetasit R. L., 27 vjeç banues në Tiranë dhe K. D., 31 vjeç, banues në Grabjan, Divjakë, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasit H. I., 40 vjeç, banues në Tropojë dhe R. N., 36 vjeç, banues në Libofshë, Fier, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi kishin dijeni për këtë rast dhe nuk kishin kallëzuar.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një shumë parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme, si dhe 6 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme", njofton polica.
Lini një Përgjigje