
Ditën e sotme është gjetur një makinë e djegur në Gjadër të Lezhës. Mjeti dyshohet se është përdorur dje në atentatin ndaj Nikolin Lekstakajt.
Sipas asaj që raportohet nga policia makina e tipit benz është gjetur e djegur plotësisht në një arë në njësinë administrative Dajç. Mësohet gjithashtu se mjeti në muajin shtator të vitit 2022, është denoncuar i vjedhur në Dimal të rrethit Berat.
Pas kontrolleve të ushtruar në mjetin e djegur, policia gjithashtu ka konfirmuar se ka gjetur në të një armë zjarri automatik dhe disa gëzhoja, ndërsa ka ngritur dyshimet se mjeti dhe arma janë përdorur për ekzekutimin e 42-vjeçarit, Nikolin Lekstakaj.
“Lezhë/Informacion shtesë në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 19.07.2023, në Balldre të Lezhës, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi N.M.(L).
Në vijim të kontrolleve të kryera nga shërbimet policore në të gjithë territorin e rrethit të Lezhës me qëllim gjetjen dhe kapjen e autorëve, në fshatin Gjadër të njësisë administrative Dajç, në një parcelë arë, nga shërbimet e policisë, është gjetur i djegur plotësisht një automjet tip Benz, i cili në shtator të vitit 2022, është denoncuar i vjedhur në Dimal të rrethit Berat.
Nga këqyrja e automjetit, në brendësi të tij, janë gjetur një armë zjarri automatik dhe disa gëzhoja, të gjitha të djegura plotësisht. Arma e zjarrit e gjetur dyshohet të jetë arma që është përdorur për vrasjen e shtetasit N.M.(L). U bë sekuestrimi i tyre në cilësinë e provës materiale për tu dërguar për ekspertime.
Nën drejtimin e prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore procedurale të thelluara, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, njofton policia.
Kujtojmë se ditën e djeshme në fshatin Balldren të Lezhës u ekzekutuar me armë zjarri 42-vjeçari, Nikolin Marku (Lekstakaj).
Pista e vetme deri më tani është ajo e hakmarrjes, pasi fisi Lekstakaj prej gati 3 dekadash është në hasmëri me fisin Nikulaj. Rreth 3 muaj më parë u ekzekutua në ambientet e biznesit të tij, Ardian Nikulaj.
Për ekzekutimin e Nikulajt u arrestua në Britaninë e Madhe, Edmond Haxhia, ky i fundit ka lidhje familjare me 42-vjeçarin e vrarë ditën e djeshme dhe për këtë arsye dyshohet se vrasja e djeshme ka ardhur për arsye gjakmarrje.
Lini një Përgjigje