
Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin. Pas 4 ditësh hetime është zbuluar automjetit, tip “Land Rover Defender” me targa zviceriane, e cila dyshohet se është përdorur nga autori i vrasjes së biznesmenit për tu arratisur.
Sipas hetimeve dyshohet se pasi autori është larguar në një distancë me motor, ai e ka futur atë në automjet dhe më pas është larguar.
Sot, Policia ka shoqëruar disa emra të njohur të krimit në Shkodër për të dhënë dëshminë e tyre. Por pas dëshmisë i ka lënë të lirë, pasi nuk kanë arritur që të gjejnë prova. Po ashtu Prokuroria Lezhë me ndihmën e policisë po ashtu po kalojnë në sitë të gjithë konfliktet dhe mosmarrëveshjet e mëparshme të biznesmenit Nikulaj, me shpresën se do të gjejnë diçka për të zhbllokuar hetimet për vrasjen e tij.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi më 19 prill, ku biznesmeni Ardian Nikulaj që ishte edhe një eksponent politik u ekzekutua në mes të ditës në bar-restorantin e tij. Një ditë pas atentatit u publikuan edhe pamjet e vrasjes, ku një person i kamufluar me një skafandër në kokë dhe i veshur me një jelek fosforeshent futet në ambientet e lokalit, ku po qëndronte duke pirë kafe Nikulaj.
Autori, ende i paidentifikuar fillimisht përshëndet biznesmenin dhe më pas i afrohet, duke qëlluar me 7 plumba pistolete. Pas krimit, ai u largua me një motor, me targa angleze, ndërsa nuk la asnjë gjurmë për të hedhur dritë mbi krimin e rëndë.
Ndërkohë që Policia dhe grupi hetimor janë duke hetuar disa pista për vrasjen e Ardian Nikulaj. Një prej tyre është ajo e të shkuarës së tij, pasi disa vite më parë i kanë vrarë edhe të vëllain.
Një tjetër pistë është ajo e lidhjes me politikën. Në vitin 2021, Nikulaj ka qenë kandidat për deputet, ndërsa në zgjedhjet e 14 majit ai ishte në listën për këshillat bashkiakë.
Lini një Përgjigje