TAGS-AT E JAVËS

Kronike 6 Shtator 2025, 12:21

Ekzekutimi mafioz i Kristian Kolës, policia merr në pyetje familjarët dhe miqtë; asnjë gjurmë nga autorët

Shkruar nga Pamfleti

Ekzekutimi mafioz i Kristian Kolës, policia merr në pyetje

Dy persona me motoçikletë dhe me skafandra kanë shtënë disa herë ndaj 34-vjeçarit Kristian Kola, në lagjen “Vasil Shanto” të qytetit të Shkodrës.

Vrasja e 34-vjeçarit Kristian Kola, mbrëmjen e së enjtes në Shkodër, vijon të mbetet pa autor dhe pa motiv të qartë. Ngjarja ndodhi në qendër të qytetit, përballë dhjetëra dëshmitarëve dhe nën vëzhgimin e kamerave të sigurisë së bizneseve përreth.

Kristian Kola u qëllua nga persona të maskuar duke përdorur armë me silenciator, ndërsa ishte ulur në një lokal buzë rrugës, së bashku me një mik. Ai tentoi të largohej për t’u shpëtuar plumbave, por nuk ia doli. Autorët u larguan me motorin që i priste pak metra më tej. Pavarësisht se pamjet filmike janë sekuestruar dhe duken dy të dyshuarit, policia ende nuk ka një pistë konkrete hetimi.

Sipas burimeve, Kola nuk ka pasur precedentë penalë. Ai menaxhonte një firmë ndërtimi me të atin dhe së fundmi kishin marrë një projekt për rikonstruksionin e kinemasë së qytetit. Nuk ka të dhëna për lidhje me grupe kriminale, por hetuesit po verifikojnë të gjitha lëvizjet dhe komunikimet e tij të fundit.

Dyshohet se është ndjekur për disa ditë para vrasjes. Grupi hetimor ka marrë dëshmitë e familjarëve dhe shokëve të viktimës, ndërsa pritet të analizohen me imtësi orë të tëra filmimesh. 

Mësohet se ndaj viktima u qëllua rreth 7-8 herë, duke treguar qartësisht se objektivi i atentatit ishte vetëm Kola, pasi personi pranë tij në tavolinë nuk pësoi asnjë lëndim.

Ngjarja ka tronditur sërish qytetin e Shkodrës, vetëm pak ditë pas një tjetër vrasjeje të rëndë, ku një person ekzekutoi kushëririn e tij, duke pretenduar se ishte vetëmbrojtje.

Nga deklarimet e para nuk bëhet me dije se familjarë apo të afërm të ishin në dijeni të ndonjë konflikti të Kolës, ndërkohë që policia dhe prokuroria presin këqyrjen e telefonit të viktimës për të parë jo vetëm kontaktet, por edhe ndonjë komunikim të tij me persona të listuar si persona me precedentë.

Lini një Përgjigje