
Policia po heton në të paktën 4 pista, ndërsa janë marrë dëshmitë e personave të afërt me viktimën, apo personat e fundit që kanë pasur kontakte apo komunkime me të.
Mëngjesin e sotëm në Dragoç të Postribës në Shkodër u gjet pa shenja jete 33-vjeçari, Ramazan Mataj.
Ai ndodhej në automjetin tip Benz, ndaj të cilit ishte qëlluar me armë zjarri. Dyshohet se krimi ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, ndërsa trupi i pajetë i 33-vjeçarit u gjet mëngjesin e sotëm nga një kalimtar që njoftoi policinë.
E gjithë zona ku ndodhi krimi është e pamonitoruar nga kamerat e sigurisë, çka e vështirëson identifikimin e autorëve, pasi mendohet se ka qenë më shumë se 1 person. Policia po heton në të paktën 4 pista, ndërsa janë marrë dëshmitë e personave të afërt me viktimën, apo personat e fundit që kanë pasur kontakte apo komunkime me të.
Viktima kishte jetuar për rreth 1 vit në Belgjikë, ndërsa punonte në Ulqin. Policia po mbledh informacione për të parë të shkuarën e viktimës, nëse ka pasur ose jo përfshirje në veprimtari kriminale apo përplasje me persona të tjerë gjatë qëndrimit në Belgjikë. Dhe po kështu pritet të merren informacione edhe nga autoritetet e Malit të Zi, duke qenë se thuhet se 33 vjeçari ishte i punësuar në Ulqin.
Gjithashtu policia po heton nëse viktima ka pasur konflikte brenda vendit, përfshi edhe ndonjë konflikt të momentit që mund të ketë precipituar deri në vrasjen e tij.
Nga raportimet mësohet se një tjetër pistë është ajo e konflikteve për shkak të prerjes së druve në zonë, pasi ka të dhëna se viktima më herët ka pasur precedent penalë sa i takon prerjes së paligjshme të druve. Por nuk përjashtohet as pista se ekzekutimi mund të ketë ardhur si pasojë e ndonjë konflikti për motive të dobëta që ka të bëjë me ndonjë vajzë.
Dyshohet se autorët duket se e kanë ndjekur viktimën dhe më pas kanë qëlluar me breshëri në drejtim të tij. Kjo pistë qëndron nëse mes viktimës dhe autorëve ka pasur konflikte të mëparshme, por nuk përjashtohet konflikti i momentit, edhe pse duket një pistë e vakët nga grupi hetimor, referuar burimeve.
Xhaxhai i viktimës, shtetasi Naim Mataj, 73 vjeç thotë se nipi i tij nuk ka patur probleme me askend dhe se kohët e fundit punonte në Malin e Zi si mjeshtër ndërsa më përpara ka qenë për një periudhë të shkurtër në Belgjikë ku jeton aktualisht vëllai i të ekzekutuarit.
Edhe babai i viktimës, shtetasi Fatmir Mataj deklaroi për policinë se nuk ka asnjë dijeni për ndonjë konflikt të dhakit të tij të vrarë ndërsa tha se fëmijët e tij janë punëtorë dhe se janë rritur mes shumë vështirësive ekonomike. Fqinjët kanë dëgjuar breshëritë e plumbave mbrëmjen e kaluar por kanë menduar se të shtënat kanë ardhur nga dasmorët në një lokal dasmash aty afër duke mos e ditur se bëhet fjalë për një ngjarje kriminale.
Lini një Përgjigje