
Një shqiptar është arrestuar nga policia italiane, pasi dyshohet se ka sulmuar dhe plagosur me thikë të dashurin e gruas së tij.
Ngjarja ndodhi në parkingun e qendrës tregtare Gran Reno në Casalecchio di Reno, më 15 korrik, në Bolonja dhe u publikua së fundmi nga mediat.
Autori i dyshuar është një 43-vjeçar shqiptar që u arrestua gjatë natës së kaluar (21 korrik) në kufirin e Ventimiglia-s.
Sipas autoriteteve italiane, shqiptari i lindur në vitin 1981 dyshohet se plagosi rëndë me thikë një 29-vjeçar shqiptar, pas një përplasjeje të ashpër për motive xhelozie. Mollë sherri dyshohet se ishte gruaja e autorit e cila kishte një lidhje dashurie me 29-vjeçarin shqiptar.
“Sulmi i dhunshëm ndaj një burri 29-vjeçar ishte përshkallëzuar në një grindje të zjarrtë që përfshinte gruan e sulmuesit, gjithashtu shqiptare. Sipas hetuesve, i dyshuari ishte larguar nga Italia menjëherë pas incidentit dhe ndodhej në Francë. Ai u ndalua në kufi ndërsa përpiqej të rihynte në vend”, informon media italiane.
I plagosuri ndodhet ende i shtruar në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Pas ngjarjes, autori i dyshuar ishte zhdukur dhe ekzistonte frika se mund të kishte kaluar kufirin. Dyshimet rezultuan të sakta: ai ishte larguar drejt Francës dhe u ndalua teksa po përpiqej të kthehej në Itali.
Ndaj tij kishte një urdhër arresti të lëshuar nga Prokuroria e Bolonjës për akuzat e tentativës për vrasje dhe mbajtjes pa leje të armës së ftohtë, pasi thika e përdorur në sulm nuk ishte e deklaruar.
Shqiptari i arrestuar pritet të merret në pyetje në ditët në vijim, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.
Lini një Përgjigje