TAGS-AT E JAVËS

Kronike22 Korrik 2025, 09:49

“Siguria dentare”, arrestohen administratori dhe stomatologu i një klinike dentare në Tiranë; zbardhen detajet

Shkruar nga Pamfleti

“Siguria dentare”, arrestohen administratori dhe stomatologu i

Arrestohet administratori i një klinike dentare dhe një stomatolog, ndërkohë ka nisur procedimi penal për 12 punonjësit e klinikës. Shkaku është përdorimi i preparateve të skaduara. Mësohet se të arrestuarit janë Kejdi Myzyri (stomatolog) dhe Ervin Zeka, administratori i klinikës.

Arrestimet janë bërë në kuadrin e operacionit të koduar “Siguria Dentare”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar i DPPSh-së, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë.

Policia njoftoi se ka sekuestruar preparate dhe materiale që përdoreshin për këto shërbime, që ishin të skaduara.

Në njoftimin zyrtar thuhet se në Rrugën e Kavajës, në ambientet e subjektit me administrator shtetasin E. Z., që ofronte shërbime dhe punime stomatologjike dhe laboratorike si: terapi, ortodoncë, kirurgji, ura porcelani, proteza, implante dhe riparime të aparaturave dentare, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, një sërë preparatesh dhe materialesh dentare të skaduara.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan në flagrancë administratori i subjektit, shtetasi E. Z., 40 vjeç, dhe shtetasi K. M., 26 vjeç, të dy stomatologë në klinikë.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 12 punonjës në këtë klinikë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Lini një Përgjigje