
Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka vendosur sot të prishë vendimin e dhënë nga Gjykata e Korçës më 10 shkurt 2025, në lidhje me çështjen penale të vrasjes së 26-vjeçarit Martin Çeço. Vendimi i shkallës së parë parashikonte një total prej 83 vitesh burg për katër të pandehurit në këtë çështje.
Trupa gjykuese e Apelit, e përbërë nga relatorja Marsela Pepi dhe anëtarët Genti Dokollari dhe Irena Brahimi, pranoi kërkesën e Prokurorisë për prishjen e vendimit dhe urdhëroi kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm në Korçë, por me një trupë tjetër gjyqësore.
Ngjarja në fjalë daton më 12 qershor 2022, kur trupi i pajetë i Martin Çeços u gjet në një rezervuar në fshatin Kolanec të Maliqit. Sipas hetimeve, i riu ishte mbytur me litar dhe më pas ishte hedhur në ujë. Prokuroria akuzoi katër persona për përfshirje në ngjarje, mes tyre edhe Martina Pajollarin, e cila kishte qenë në një lidhje me viktimën.
Sipas akuzës, Pajollari dyshohet se e ka nxjerrë në pritë viktimën, ndërkohë që dyshohej se kishte një lidhje paralele me një nga kushërinjtë Mollaj të cilët po ashtu u dënuan në shkallën e parë. Mbrojtja ka kundërshtuar akuzat, duke theksuar mungesën e provave të drejtpërdrejta që implikonin të pandehurit në vrasje.
Vendimi i sotëm i Apelit e rikthen çështjen në një fazë të re gjyqësore, ku do të shqyrtohen sërish provat dhe rrethanat e ngjarjes nga një trupë tjetër gjyqtarësh. Procesi pritet të rifillojë në javët në vijim në Gjykatën e Korçës.
Lini një Përgjigje