TAGS-AT E JAVËS

Kronike24 Qershor 2025, 16:02

Akuza për vrasjen e Fatbardh Licit/ Astmer Bilali, Safet e Behar Bajri kërkuan lirinë në Gjykatën e Lartë, ja çfarë vendoset

Shkruar nga Pamfleti

Akuza për vrasjen e Fatbardh Licit/ Astmer Bilali, Safet e Behar Bajri

Safet Bajri, Astmer Bilali dhe Behar Bajri Brajoviq i janë drejtuar Gjykatës së Lartë me një rekurs ku kërkojnë lirimin nga burgu, masë e vendosur më parë nga GJKKO dhe lënë në fuqi edhe nga Apeli i Gjykatës Speciale.

Ata akuzohen për vrasjen e Fatbardh Licit.

Ngjarja për të cilën akuzohen ka ndodhur në vitin 2018. 

Gjykata e Lartë sot ka rrëzuar rekursin e paraqitur. Tre të pandehurit kishin kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Apelit, që i la në burg, duke depozituar rekurs në instancën më të lartë gjyqësore të vendit. Por Gjykata e Lartë vendosi të mos e pranojë rekursin, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit.

Safet Bajri u arrestua më 21 shkurt me urdhër të SPAK. Në seancën gjyqësore Safet Bajri nuk pranoi që faktet e paraqitura nga prokuroria të cilësohen si prova.

Safet Bajri ka dëshmuar se ditën e vrasjes ka qenë në diskotekë dhe në një restorant peshku, e më pas ka ndjekur të njëjtën rrugë për në shtëpi si çdo ditë tjetër.

Gjithashtu disa ditë pas arrestimit të Safet Bajrit, në pranga ka rënë dhe e dashura e tij, Eria Ago, e cila dyshohet se ka ndihmuar atentatorët të largohen nga vendi i ngjarjes.

Ndaj tyre SPAK ka ngritur akuzën “Vrasje me paramendim”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të viktimës Fatbardh Lici, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Vendimi i GJKKO mbi masën e sigurisë

Gjykata e Posaçme me vendimin nr. 12, datë 17.02.2025, ka vendosur:

– Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg“, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personave nën hetim Behar Bajri; Astmer Bilali dhe Safet Bajri, të dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Vrasje me paramendim” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal në dëm të viktimës Fatbardh Lici, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 78/2 e 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal;

Nga hetimet e kryera në kuadër të këtij procedim penal, i cili lidhet me disa ngjarje kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës në vitin 2018, rezulton se janë mbledhur prova mbi të cilat është krijuar dyshimi i arsyeshëm se personat nën hetim; Behar Bajri; Astmer Bilali dhe Safet Bajri  kanë planifikuar, organizuar dhe kanë kryer më 10.08.2018, në qytetin e Shkodrës, vrasjen me armë zjarri të shtetasit Fatbardh Lici, i afërm i shtetasit Inrahim Lici. Motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet ndër të tjera me atribuimin që shtetasi Behar Bajri, i bën shtetasit Ibrahim Lici për vrasjen e të njohurit të tij, shtetasit Boran Berçana,.

Në datën 21.02.2025, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar masat e sigurisë për personat nën hetim Behar Bajri; Astmer Bilali dhe Safet Bajri

Prokuroria e Posaçme falenderon Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër për bashkëpunimin në fazën e ekzekutimit të masave të sigurisë”, njoftonte SPAK.

Si vra Fatbardh Lici?

Fatbardh Lici, është vëlla i Mustafa Licit dhe xhaxhai i Ibrahim dhe Hamza Licit. 53-vjeçari u ekzekutua me breshëri plumbash mëngjesin e 10 gushtit 2018, teksa ndodhej në një kafene i shoqëruar nga persona të tjerë në lagjen Kiras të Shkodrës. Lici u qëllua nga një person që zbriti nga një automjet tip “Benz”, pa targa. Fatbardh Lici ishte kunat i Lulëzim Kullës, ku ky i fundit i shpëtoi atentatit me tritol në 13 janar 2018 dhe dyshimet u ngritën se mes fiseve Bajri e Lici kishin nisur përplasjet.

 

 

 

Lini një Përgjigje