TAGS-AT E JAVËS

Kronike15 Nëntor 2023, 15:19

E bujshme/ Franca pranon kërkesën e Shqipërisë, ekstradohet sot drejt Tiranës Behar Bajri

Shkruar nga Pamfleti
E bujshme/ Franca pranon kërkesën e Shqipërisë, ekstradohet
Behar Bajri

Një prej emrave të njohur të botës së krimit, Behar Bajri do të ekstradohet sot drejt vendit tonë. Franca ka pranuar kërkesën e Shqipërisë dhe dy muaj pas arrestimi ka vendosur ta dërgojë në Tiranë. Ai akuzohet për disa vepra penale në vendin tonë, mes të cilave “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Vrasje me paramendim”.

Bajri do të vijë me një fluturim të drejtpërdrejtë nga Franca, në mbrëmje, ku në masa të forta sigurie do të sillet në Tiranë, në një institucion të vuajtjes së dënimit.

Në ditët në vijim Bajri do të dalë dhe para togave të zeza për t’u njohur me masën e sigurisë të nxjerrë më 28 korrik.

Hetimet ndaj Bajrit dhe 14 të tjerëve të implikuar në dosjen “Metamorfoza” nisën që në vitin 2019, pas zbërthimit të rrjeteve “Sky” dhe “EnkroChat” nga vendet partnere, të cilat sollën në vendin tonë gjetjet e tyre.

Në këto komunikime, dilte se biznesmeni Pëllumb Gjoka pasi e liroi nga burgu nëpërmjet ryshfetit që i dha prokurorit Xhevahir Lita i kërkoi Behar Bajrit të vriste Keanth Musabelliun. Më pas Bajri shkëmbeu objektivin me Ervis Martinajn dhe për llogari të tij vrau Gjon Boriçin.

Emri i tij del edhe si porositës i vrasjes së Ibrahim Licit, Dorian Dulit dhe Genc Tafilit, krime të cilat nuk ndodhën.

Akuzat ndaj Behar Bajrit

Vjedhja më 14.01.1999: Me datë 14.01.1999 në lagjen Dobraç të qytetit të Shkodrës Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se kanë kryer veprën penale të vjedhjes me armë ndaj dy qytetarëve nga Berati, të cilët kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip Kamion me targë të Vlorës.

Me datë 14.01.1999: Në lagjen “Vojo Kushi”, janë vrarë me armë zjarri vëllezërit Osman e Artur Alibali. Autorë të dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj. Kjo vrasje është kryer menjëherë mbas vjedhjes me armë të kryer ndaj dy shtetasve nga Berati.

Me datë 21.03.1999: Behar Bajri në bashkëpunim me shtetasin Ilir Bajri kanë tentuar të kryejnë vjedhje me armë ndaj Arben Tuzit dhe vëllait të tij. Nga shkëmbimi i zjarrit të dy palët kanë plagosur njëri-tjetrin.

Me datë 28.01.2000: Në fshatin Dobraç ka vrarë me armë zjarri shtetasin Petrit Demiri, punonjës i Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Shkodër. Për këtë vepër venale Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër e ka dënuar vetëm me dy vjet burgim. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendim të datës 27 shkurt 2007 e ka dënuar me 9 vjet heqje lirie dhe 2 (dy) milion lekë gjobë për kryerjen e veprës penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Me datë 15.02.2001: Në lagjen Vasil Shanto të qytetit të Shkodrës është vrarë me armë zjarri shtetasi Arben Tuzi, vjeç 39 nga Shkodra. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri dhe Ilir Bajri.

Me datë 26.06.2002: Në banesën e Behar Bajrit është gjetur e vrarë bashkëshortja e tij Fabiola Bajri, 16 vjeçe. Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se në këtë rast ishte vrasje dhe jo vetëvrasje siç deklaruan familjarët. Autor i dyshuar i kësaj vrasje është Behar Bajri.

Më datë 12 shtator të vitit 2005, në qytetin e Shkodrës, ku ky shtetas përmes gjobvënies, ka kërkuar që të përfitojë pa të drejtë shumën prej 5 milionë lekësh të reja nga një banor i qytetit të Shkodrës. Këtë krim Behar Bajri (Rustemi) e ka kryer në bashkëpunim me kushëririn e tij Sead Rustemi.

Me datë 18.08.2006: Shtetasi Behar Bajri është akuzuar për përdhunimin e dy vajzave të mitura, krim të cilin e ka kryer në bashkëpunim me një tjetër person. Për këtë ngjarje Gjykata e rrethit Shkodër kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” nën akuzën e “heqjes së paligjshme të lirisë në bashkëpunim”, marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç”.

Vrasja e Fabiola Bajrit në gjumë: Behar Bajri akuzohet se e vrau Fabiola Bajrin më 20 qershor 2002 në gjumë. Ata ishin të fejuar prej 3 muajsh, megjithëse Fabiola ishte e mitur. Fejesa ishte bërë me aprovimin e familjes, ndërkohë që pas tri muajsh ai e ka rrëmbyer dhe e ka marrë në shtëpinë e tij. Sipas të dhënave, vrasja ka ndodhur pasi ajo i ka kërkuar leje për të shkuar diku. Bajri e ka refuzuar dhe ka patur përballë shpërthimin emocional të të miturës. Po të njëjtat burime, sqarojnë se ai akuzohet se e vrau në gjumë me një plumb pas kurrizit. Pavarësisht se ngjarja u raportua si vetëvrasje, e gjithë Shkodra bën akuzues Behar Bajrin. Pas vrasjes ai iku nga Shqipëria, e po ashtu edhe familja e të resë. Ata ndiheshin të kërcënuar nga Bajri i cili iu kishte thënë se nëse nuk do të largoheshin, atëherë ai do t’i vriste. Vrasja e të miturës u zbulua nga pozicioni i plumbit që kishte marrë, që ishte poshtë parakrahu. Ndërkohë që pistoleta, e gjetur në banesën e Bajrit, rezultoi se ishte arma e përdorur në vrasjen e Fabiolës dhe Arben Tuzit.

Lini një Përgjigje