
Rreth orës 18:00 ka përfunduar seanca gjyqësore maratonë në Elbasan ndaj 16 personave të arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Metalurgjiku”.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Mësohet se për njërin prej 16 të arrestuarve, masa e sigurisë do t’i komunikohet në spital, ku ndodhet i shtruar për shkak të problemeve shëndetësore në zemër.
Seanca u përfaqësua nga ana e akuzës nga Drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi.
Seanca kishte si objekt “Vlerësim arresti/ndalimi dhe caktim mase sigurimi” dhe u vendos të mbahej me dyer të mbyllura për shkak të hetimeve të thelluara në vijim dhe ndjeshmërisë së lartë të çështjes, e cila lidhet me krime të rënda mjedisore dhe shkelje serioze të ligjit.
Operacioni “Metalurgjiku”, i finalizuar fundjavën e kaluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan pas një hetimi disamujor të ndjekur me metoda speciale dhe nën drejtimin e Prokurorisë, konsiderohet një nga goditjet më të forta ndaj krimeve mjedisore në vitet e fundit. Aksioni kishte në fokus veprimtari të paligjshme që dyshohet se kanë dëmtuar rëndë mjedisin dhe shëndetin e banorëve në zonën e ish-Metalurgjikut në Bradashesh, Elbasan.
Subjekte tregtare nën hetim janë:
-CCALB sh.p.k
-GSA Ferrokrom sh.p.k
Këto kompani dyshohet se kanë ushtruar aktivitet të paligjshëm në përpunimin e mbetjeve dhe prodhimin e ferrokromit, duke shkelur rëndë legjislacionin mjedisor në fuqi.
Të arrestuarit, shtetas të huaj dhe shqiptarë. Si rezultat i ndërhyrjes policore, kanë rënë në pranga 16 persona, mes tyre drejtues, administratorë, teknikë dhe punonjës.
Shtetas të huaj të arrestuar:
-Junceol Chung Biz
-Rashul Pal
-Stjuent Pal
-Prakash Kadel
-Muna Sung
-Rajesh Kumarjadav
-Autia Rai
-Rahul Pal
-Dheraj Kumar
Shtetas shqiptarë të arrestuar:
-Jakup Karaj
-Ismail Dybeli
-Dorian Xhufka
-Elton Bejkolli
-Besnik Abdia
-Elton Beqi
-Elis Flaga
Ndërkohë, në kuadër të të njëjtit procedim penal, janë shpallur në kërkim shtetasit:
-Bujar Zogu
-Dritan Konica
-Fejzo Meçaj
-Ilir Londo
-Gjergj Bezati
-Agron Shpallo
-Serafin Orgoça
Shkelje të rënda mjedisore dhe ndotje e vazhdueshme
Nga hetimet intensive, si dhe nga inspektimet e kryera në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), ka rezultuar se dy subjektet tregtare që ushtronin aktivitet në zonën e ish-Metalurgjikut:
-Kanë shkelur rëndë legjislacionin mjedisor
-Kanë ndotur ajrin, ujërat dhe tokën
-Nuk kanë respektuar rregullat për menaxhimin e integruar të mbetjeve
-Kanë kryer përpunim të paligjshëm të mbetjeve të baterive, një aktivitet me rrezik të lartë për shëndetin publik dhe mjedisin
Për këto shkelje janë vendosur masa administrative të rënda, përfshirë gjoba në vlera milionëshe dhe pezullimin e aktivitetit të subjekteve deri në përmbushjen e plotë të detyrimeve ligjore.
Sekuestrime dhe vijim i hetimeve
Gjatë operacionit janë sekuestruar pajisje elektronike, celularë dhe sisteme DVR, të cilat do të përdoren si prova materiale në funksion të hetimit. Të gjitha materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme ligjore.
Seanca e nesërme pritet të përcaktojë masat e sigurimit personal për të arrestuarit, ndërsa operacioni “Metalurgjiku” përbën një mesazh të qartë se institucionet ligjzbatuese nuk do të tolerojnë asnjë shkelje që cenon mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve.
Lini një Përgjigje