
Dosja e atentatit me dy të vrarë dhe dy të plagosur në Shkodër ka kaluar në SPAK. Burime bëjnë me dije se hetuesit e posaçëm do të ripyesin autorin e masakrës, Ragip Gila, për rrethanat e ngjarjes dhe motivet e tij.
Në listën e personave që do të thirren është edhe Denis Brajoviç, vëllai i Erogen Brajoviç, një prej të plagosurve në atentat. Gila ka deklaruar se kishte përplasje personale me Erogenin dhe se objektivi i tij ishte vetëm ai. Por hetuesit e SPAK nuk e marrin si të mirëqenë këtë version dhe dyshojnë se kemi të bëjmë me një alibi të fabrikuar.
Pista kryesore e hetimit është se Ragip Gila ka vepruar si vrasës me pagesë, duke ekzekutuar atentatin për llogari të një grupi të fuqishëm kriminal. SPAK pritet të thellojë hetimet për të zbardhur prapaskenat dhe urdhëruesit e masakrës, ndërkohë që Shkodra mbetet e tronditur nga vala e dhunës kriminale që nuk po ndalet.
Masakra në Shkodër ndodhi më 8 shtator, ku Ragip Gila hapi zjarr brenda një lokali duke vrarë Armando Palin dhe Liridon Krajën, ndërsa u plagosën Erogen Vaso dhe kamarierja Meri Kaceri.
Në deklarimin e tij fillestar para hetuesve, Gila ka thënë qartë se shënjestra e vetme ishte Erogen Vaso.
“Objektivi im ishte vetëm Erogen Vaso pas një problemi personal me të. Erogen Vaso ka ndenjur duke më ka kërcënuar dhe kisha probleme me të. Më ka bërë si i fortë dhe më ka çuar fjalë. E kam patur personale vetëm me Erogen Vason dhe doja të qëlloja vetëm atë. Pra kam patur probleme personale me të”, është shprehur ai gjatë marrjes në pyetje.
Arrestimi i Gilës u bë pas një ndjekjeje intensive nga forcat e policisë. Gjatë tentativës për t’i shpëtuar kapjes, ai është rrëzuar nga një lartësi poshtë shinave të trenit në shtratin e lumit Kir, duke dëmtuar njërën këmbë.
Në ato momente, policia i ka bërë thirrje për të hedhur armën dhe për t’u dorëzuar.
Gila ka reaguar duke thënë: “E kam hedhur armën, jam dorëzuar, më dhemb këmba shumë”.
Pas kësaj, 30-vjeçari është vënë në pranga .
Lini një Përgjigje