
Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e 65-vjeçarit në Lezhë, trupi i të cilit u gjet në breg të lumit me një plagë të shkaktuar nga një armë zjarri. Përveç plagës, mësohet se 65-vjeçari kishte në trup edhe shenja dhune.
Situata ndryshon komplet rrjedhë, pasi viktima rezulton i pajisur me tre urdhër mbrojtjeje nga i biri, i cili mësohet se vitet e fundit e kishte dhunuar të atin.
Viktima kishte tre urdhër-mbrojtjeje nga i biri në tre vite të ndryshme; në 2020 urdhër mbrojtje për dhune psikologjike nga i biri. Në vitin 2022, kishte marrë urdhër mbrojtje për dhune fizike dhe psikologjike, po nga i biri. Ndërkohë që në vitin 2023 djali i tij arrestohet nga policia për dhunë në familje. Ky detaj ngre dyshime dhe pistën e parë për hetuesinë, lidhur me autorin dhe shkaqet e ngjarjes.
“Rreth orës 14:40, në Sallën Operative ka telefonuar shtetasja A. Gj., duke njoftuar se kishte humbur kontaktet me babain e saj, shtetasin Gj. T., 65 vjeç, banues në Pllanë, Lezhë. Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë nisur kërkimet për gjetjen e tij. Pas disa orësh kërkimesh, rreth orës 17:30, në breg të lumit Mat, në Pllanë, Lezhë, është gjetur pa shenja jete shtetasi Gj. T.
Nga këqyrja paraprake, viktima ka shenja dhune, përfshirë një plagë në trup, dyshohet nga armë zjarri.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Ndërkohë, shërbimet e Policisë dhe ato të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, po kontrollojnë në zonë me qëllim kapjen e autorit/ve”, njofton policia.
Lini një Përgjigje