
Gjykata e Volosit në Greqi pritet të zhvillojë sot seancën për masën e sigurisë ndaj 40-vjeçarit Pandeli Nakoleci, që akuzohet se pas një sherri me motive xhelozie, masakroi me thikë bashkëshorten e tij 36-vjeçare, Marjola Nakoleci, nënë e katër fëmijëve.
Masa pritet të mbahet në orën 11:00 me atë lokale greke. Media greke informon se autori përballet me akuza për ‘vrasje të qëllimshme ndaj një anëtari të familjes së tij, në kontekstin e dhunës në familje’.
Teksa mbërrit në Gjykatë, autori nuk iu përgjigj asnjë pyetjeje të gazetarëve, ndërsa roja i hapi rrugën që të kalonte. Në fakt, për të shmangur linçimin nga turma e zemëruar që ishte mbledhur, 40-vjeçari hyri në gjykatat e Volosit nga dera e pasme, ndërsa mbante veshur edhe një jelek antiplumb.
Në të njëjtën kohë, në orën 11:00, do të zhvillohet në Shqipëri funerali i nënës 36-vjeçare. Vajza e madhe e çiftit “premtoi” se do t'i vishte një fustan të bardhë në mënyrë që të ishte e bukur në udhëtimin e saj të fundit.
Sipas ekspertizës mjeko-ligjore të kryer në Selanik, goditja fatale ndaj gruas fatkeqe ishte në gjoks nga një mjet prerës, që i ngjan një thike të madhe, ndërsa 36-vjeçarja kishte lëndime të tjera, si dhe shenja mbrojtëse në duar, një tregues se ajo u përpoq të mbrohej gjatë ndjekjes së burrit të saj.
Nakoleci pas arrestimit ka kërkuar falje dhe shprehur pendesë, por ka dhënë qëndrime kontradiktore. Ai njihet si person me precedentë penalë, disa dënime dhe i kartelizuar për probleme të shëndetit mendor.
Në të njëjtën kohë, çështja e kujdestarisë së katër fëmijëve të familjes mbetet serioze. Tre prej tyre janë të mitur, të moshës 6, 13 dhe 16 vjeç, ndërsa ka edhe një vajzë 18-vjeçare që sapo ka mbushur moshën madhore.
Me urdhër të Prokurorisë së Volosit, filloi një hetim urgjent social nga Shërbimi Social i Bashkisë Volos. Punonjësit Socialë dhe Psikologët kanë filluar kontaktet me të afërmit nga të dyja palët, me qëllim që të shqyrtojnë se cili do të ishte mjedisi më i mirë për fëmijët.
Sipas informacioneve nga mediat, dy motrat e 36-vjeçares, njëra në Skiathos dhe tjetra në Itali, kanë shprehur interes, ashtu si edhe gjyshi i saj nga babai, i cili jeton në Shqipëri. Qëllimi i fëmijëve është të qëndrojnë në Greqi dhe skenari më i mundshëm që po merret në konsideratë është caktimi i kujdestarisë tezes nga Skiathos, me mbështetje financiare nga tezja që ndodhet në Itali, sipas ERT.
Të gjitha procedurat do të përfundojnë pasi fëmijët të kthehen nga Shqipëria, ndërsa vendimin përfundimtar do ta marrë Prokuroria.
Avokati i të pandehurit, i cili mori dosjen e çështjes të hënën, pritet të kërkojë një ekzaminim psikiatrik për të shqyrtuar gjendjen mendore të 40-vjeçarit në kohën e krimit. Ata mbështeten te faktorët psikologjikë që kanë nxitur 40-vjeçarin drejt krimit në familje.
Lini një Përgjigje