Policia me masa të shtuara gjatë transportimit të Dumanit në spital...
Kanë dalë në dritë detaje në lidhje me shtrimin në spital të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.
Ai mësohet se ka shfaqur probleme me zemrën dhe është shtruar me urgjencë në QSUT. SPAK është duke ndjekur nga afër situatën, teksa RENEA dhe policia e burgjeve kanë blinduar spitalin nga frika e një arratisje të mundshme.
Nuredin Dumani u arrestua në vitin 2022 pas një përplasje me armë zjarri në Papërr të Elbasanit. Ai u kap i plagosur në Fier.
Ai është një nga personazhet më të rrezikshëm në Shqipëri, pasi akuzohet si vrasës me pagesë, i implikuar në dhjetëra vrasje.
Nuredin Dumani ka qenë krahu i djathtë i të shumëkërkuarit tjetër Talo Çela, i cili edhe ky është shpallur në kërkim nga policia, pasi akuzohet për një sërë vrasjesh. Më pas raportet mes tyre u prishën dhe nga miq u kthyen në armiq.
Dumani së bashku me Çelën në vitin 2020 ekzekutuan vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia tek parku i tregut të makinave në Durrësit, aty ku kishin edhe një biznes të tyre.
Ishin Altin Ndoçi dhe Klevis Alla ata që dëshmuan para policisë se kush ishin autorët e vrasjes së dy vëllezërve në Durrës, duke nxjerrë zbuluar Talo Çelën dhe Nuredin Dumanin.
Në atë kohë Altin Ndoçi dhe Klevis Alla ishin caktuar të ruanin dy vëllezërit Haxhia, të cilët më pas u ekzekutuan nga Dumani dhe Çela.
Ndërkohë që më herët Dumani dhe Çela ekzekutuan Anxhelo Avdias dhe Dorjan Shkozës, ishin tabulatet telefonike ato që zbuluan krimin.
Ndërkohë, Çela ishte shpallur në kërkim për grabitjen e 4.6 milionë eurove në Rinas, pasi akuzohej se në servisin e tij, kishte ndihmuar autorët që të modifikonin furgonin me mbishkrimin ‘Hetimi Tatimor’, në mënyrë që askush të mos dyshonte tek ata.
Pavarësisht shpalljes në kërkim, Talo Çela dhe Nuredin Dumani, nuk reshtën. Fshehur skutave dhe me plane shumë të mirëorganizuara, të dy nuk e ndalën aktivitetin e tyre.
Në korrik të vitit 2020-të Dumani do të përfshihej në një tjetër krim, këtë herë në rolin e shoferit.
Nga makina e drejtuar nga Dumani zbret Emiljano Ramazani, i cili me një armë në dorë në vendin e quajtur si rrethrrotullimi i “luleve” në Elbasan, ekzekuton babain e 4 fëmijëve të njohur me emrin “Ili”
Të dy i ranë rrotull vendit të krimit katër herë, si për të provuar dhe njëherë adrenalinën përballë autoriteteve, por pavarësisht postoblloqeve të ngritura, askush s’i pikasi.
Pas krimit Kapllani ka vendosur armën në servisin që është në pronësi të Albert dhe Seit Manahasës në qytetin e Peqinit, për t’i fajësuar ata për këtë ngjarje. Të dy u vunë në pranga bashkë me katër persona të tjerë, pas gjetjes së armës. Kreshnik dhe Ymer Manahasa, Artur Tosku si dhe Bujar Dervishi u liruan pasi ndaj tyre nuk u gjetën prova. Ndërsa Albert dhe Seit Manahasa janë në burg.
Por në 15 shtator të vitit 2020-të do të fillonte dhe krisja e madhe e grupit, shkak ishin paratë e vjedhura të Rinasit.
Më 15 shtator u vra dhe Klevis Kapllani, vetëm 200 metra larg banesës së tij, pak orë pasi kishte dalë të pinte disa birra me shokët. Edhe për këtë ngjarje, u akuzua dhe u shpall në kërkim Nuredin Dumani. Këtij të fundit, policia i zuri edhe pritë me shpresën se do të paraqitej në funeralin e mikut që vrau, por 37-vjeçari nga Dibra që u kishte shpëtuar kaq shumë herë duarve të bluve, nuk e hëngri këtë karrem.
Ai gjeti strehë dhe nuk doli, deri në goditjen e radhës. Dumani tashmë e kishte shtrënguar rrethin mjaftueshëm, dhe i vetmi mik që i kishte mbetur pa goditur ishte Talo Çela.
Këtë të fundit, në pamundësi për ta takuar askush, Dumani u hakmor tek i vëllai, duke vrarë Bujar Çelën në 17 shtator, teksa ky i fundit punonte si taksist në të zezë.
Pas arrestimit, Dumani vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë dhe ka rrëfyer të githa krimet. Ndërkohë sot është mister se ku ndodhet Talo Çela, pasi ka zëra që thonë se është eliminuar.
Lini një Përgjigje