
Policia ka dhënë informacion zyrtar lidhur me arrestimin e Ibrahim Licit në Turqi.
Sipas policisë arrestimi i Licit, personit të akuzuar për vrasjen e Endri Mustafës, u bë falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve mes dy vendeve.
Ndërkohë kanë nisur procedurar për të ekstraduar Licin drejt Shqipërisë.
Mësohet se ai është ndaluar tri ditë më parë pas procedurës së vetëdorëzimit ku ka kërkuar azil politik, me pretendimin se në Shqipëri i rrezikohet jeta nga grupet kriminale Shqiptare.
Lici ka dorëzuar biseda të aplikacionit Sky ku grupet kriminale flasin për përndjekjen dhe planet me qëllim vrasjen e tij, shokëve dhe familjes së tij.
"Si rezultat i inteligjencës policore të siguruar nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dhe nga struktura të tjera të specializuara të Policisë së Shtetit, si dhe i shkëmbimit në kohë reale të informacionit me autoritetet policore turke, finalizohet operacioni policor i koduar “Jehona”.
Operacioni, nga Policia e Turqisë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në koordinimin e Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, në drejtimin e SPAK.
Kapet në Turqi dhe vihet në pranga me qëllim ekstradimin, një 51-vjeçar i shumëkërkuar për vrasje.
Strukturat vendore të Policisë Shkodër, si rezultat i punës së pandërprerë për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, kanë siguruar informacion se shtetasi i shumëkërkuar I. L. fshihej në Turqi. Më tej, struktura të specializuara të Departamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare (Interpol Tirana) e kanë shkëmbyer menjëherë këtë informacion dhe kanë bashkëpunuar ngushtë me autoritetet policore të Turqisë, për kapjen e këtij shtetasi.
Si rezultat i shkëmbimit të informacionit në kohë reale, ndjekjes dhe koordinimit të veprimeve, Policia turke ka finalizuar operacionin policor të koduar “Jehona”, gjatë të cilit është kapur dhe vënë në pranga shtetasi i shumëkërkuar I. L., 51 vjeç.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në vitin 2021, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vepat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve shperthyese dhe municionit”, pasi më datë 15.05.2021, dyshohet ka vrarë me armë zjarri pistoletë, shtetasin E. M.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, vijon punën për ekstradimin e të shumëkërkuarit, drejt Shqipërisë."-thuhet në njoftimin e policisë.
Po kush është Ibrahim Lici?
Ibrahim Lici është djali i ish-këshilltarit të Bashkisë së Shkodrës, Mustafa Lici. Së fundmi ai ka qenë edhe subjekt i strukturës, Operacioni Forca e Ligjit, ndërsa rezulton në kërkim për disa vrasje të bujshme.
Sipas policisë, Lici është autori kryesor i atentatit ndaj vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali, ngjarje kjo e ndodhur në datën 30 mars të 2019. Ata u ekzekutuan në portën e shtëpisë me breshëri kallashnikovi dhe ngjarja u hetua si përplasje mes bandave rivale në Shkodër.
Lini një Përgjigje