
Gjykatës e Durrësit vendosi masat e sigurisë për 8 të arrestuarit lidhur me arratisjen e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit.
Gjykata vendosi “Arrest me burg” për tre prej tyre, “Arrest në shtëpi” për dy të tjerë dhe “Detyrim paraqitje” për tre prej të arrestuarve.
Masat e sigurisë për të arrestuarit janë:
Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Arrest në burg
Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve; Arrest në shtëpi
Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Detyrim paraqitje
Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Arrest në burg
Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Arrest në burg
Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Detyrim paraqitje
Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Detyrim paraqitje
Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës; Arrest në shtëpi
Gjithashtu, ditën e djeshme u arrestua edhe ish-drejtori i burgut të Durrësit, Indrit Cerloj, në kuadër të të njëjtit operacion.
Arrestimi i tij vjen pas shkarkimit nga detyra me urdhër të ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari.
Si ndodhi ngjarja?
Ngjarja ndodhi mesditën e 13 janarit, në Spitalin e Durrësit. Gjatë kohës që ka qenë duke marrë trajtim mjekësor, Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga 2 policët që e ruanin te dera e dhomës spitalore, por gjatë këtij momenti i sulmoi dhe u arratis.
Plani i arratisë ishte i mirorganizuar pasi në dalje të spitalit të Durrësit e priste një “Audi A7”, me targë të vjedhur ditët të para të këtij viti.
Sipas të dhënave policore, dyshohet se ky automjet është kapur nga kamerat në autostradën Durrës-Tiranë duke bërë të mundur kështu edhe ushtrimin e dhjetëra kontrolleve në zona të ndryshme të Tiranës.
Gjatë mbrëmjes së të martës forca të shumta policie ushtruan kontrolle edhe në vendlindjen e tij, në fshatin Krajen të Lezhës, por edhe në disa vende ku ai dyshohet se ka njerëz të besuar, ndërkohë që në fakt ende është e dyshimtë fakti që policia të ketë informacion të saktë mbi mjetin me të cilin mund të ketë lëvizur i arratisuri, pasi sipas informacioneve konfidenciale ka dyshime që numri i personave të përfshirë në realizimin e planit të Ndocit është i madh.
Kush është Altin Ndoci?
Altin Ndoci u bë i njohur për publikun pas rrëfimit Nuredin Dumanit, bashkëpunëtorit të drejtësisë, i cili zbuloi lidhjet e tij në vrasjen e dy vëllezërve, Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës dhe ekzekutimin e dy personave të tjerë më 2 mars 2020, Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdia.
Sipas policisë, Altin Ndoci ka lidhje të ngushta me grupet kriminale të zonës së Pukës dhe është shoqërisht i lidhur me persona të tjerë të njohur për krime të rënda, si Arben Muço, i arrestuar në tentativë grabitjeje me armë në Fier më 2018.
Ai dyshohet gjithashtu të ketë marrë pjesë në ngjarje ku mbeti i vrarë Xhuljan Sollaku dhe u plagos Arben Muço, ndërsa pjesëtarët e tjerë të grupit shpëtuan.
Gjatë hetimeve, policia ka sekuestruar prova që lidhen me rrjetin e tij kriminal, duke përfshirë makina të braktisura, gjurmë gishtash dhe njolla gjaku, të cilat lidhën Altin Ndocin me disa nga ngjarjet e dhunshme në qytetet e Durrësit dhe Tiranës.
Lini një Përgjigje