
Shkodra u trondit nga një tjetër ngjarje kriminale mesditën e kësaj të premteje. Elis Rroshkodoli u ekzekutua në një lokal në zonën e Zdrales në Shkodër.
Një person hyri i armatosur brenda lokalit dhe qëlloi me 18 plumba ndaj tij.
Gazetari Ermal Vija tha se viktima nuk kishte precedent penal në Shkodër dhe Shqipëri, por emri i tij ishte i lidhur me disa ngjarje kriminale në Rumani dhe Belgjikë. Gazetari u shpreh gjithashtu se vrasja ka qenë e mirëorganizuar dhe se viktima u qëllua me armë automatike me silenciator.
Ai shtoi se në 1997 Elis Rroshkodolit i kanë ekzekutuar të atin, ndërsa hetimet për këtë krim janë shtrirë në disa drejtime.
“Është një personazh, që nuk njihej për precedent penal në Shkodër dhe në Shqipëri. Njihej për të shkuarën e tij jashtë Shqipërisë. Në Rumani ka pasur përplasje me një person, në Belgjikë ka qenë pjesë e një grupi kriminale, i skeduar për vjedhje. Ai ka qenë i dyshuar për ngjarjen e 2013 për plagosjen e disa personave. Vrasja ka qenë e mirëorganizuar. Autori ka qëlluar me armë automatike me silenciator, i cili e ka lënë të vdekur në vend viktimën. Kjo tregon për një atentat të mirëorganizuar. Edhe babai i ka humbur jetën në 1997. Të gjithë pistat e mundshëm po hetohen nga policia”, tha ai për “Abc News”.
Lini një Përgjigje