
Kemi lëvizje diplomatësh, të dërguar specialë ose jo, të cilët herë pas here shfaqen në dyert e SPAK-ut. Edhe pse qëllimi i tyre është stabiliteti dhe forcimi i drejtësisë, ndërhyrjet e tyre shpesh krijojnë varësi dhe një perceptim se SPAK është më i orientuar drejt ambasadave ose diplomatëve.
Këtë javë, më 11 dhjetor, KLP do të vendosë se kush do të jetë kreu i ri i SPAK-ut, ndërsa mandati i Altin Dumanit si kryetar përfundon më 18 dhjetor.
Në garë për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme janë 4 prokurorë, ndërsa iu referua mandatit 9-vjeçar që ka ky institucion, ku mandati 3-vjeçar do të jetë i fundit për sa i përket aktivitetit të SPAK-ut.
Në garë për kreun e SPAK-ut janë Klodian Braho, Doloreza Musabelliu, Adnan Xholi dhe Elvin Gokaj, të gjithë pjesë e strukturës së ngarkuar me hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.
Për shkak të vetë specifikës së këtij institucioni, duket se përzgjedhja e kreut të ri të SPAK është shndërruar nga një proces administrativ dhe profesional në një arenë presioni, manipulimi të opinionit publik dhe përpjekjesh për të orientuar drejtimin e institucionit. Kjo ndodhi edhe me konkursin ku Altin Dumani u shpall fitues 3 vjet më parë, ku mes presionit politik dhe ndërkombëtar, ky i fundit arriti të zgjidhte të preferuarin e tij.
E ndërsa në zgjedhjet për këtë mandat të ri që fillon pas 18 dhjetorit, nuk kemi të njëjtat performanca që u vunë re 3 vjet më parë, teksa diplomatët 'përveshën mëngët' dhe morën shënime, këtë herë duket se gjithçka po bëhet më e kamufluar.
Ajo që është e sigurt është fakti se politika nuk ka hequr dorë nga tendenca për të orientuar proceset kryesore të drejtësisë.
Edhe kur mungojnë ndërhyrjet e drejtpërdrejta, retorika publike dhe komentet politike krijojnë presion të qartë mbi organet vendimmarrëse.
Fakti që çdo zgjedhje brenda SPAK-ut komentohet politikisht është një simptomë e kapjes.
Nga ana tjetër, segmente dhe rrjete të fuqishme ekonomike të lidhura me krimin e organizuar, nëpërmjet ndërmjetësve politikë ose nëpërmjet presioneve indirekte, kërkojnë të ndikojnë në garë, duke synuar një udhëheqës që nuk prek interesat e tyre.
Po kështu, kemi lëvizjet e diplomatëve, të dërguar specialë ose jo, të cilët herë pas here shfaqen në dyert e SPAK-ut. Edhe pse qëllimi i tyre është stabiliteti dhe forcimi i drejtësisë, ndërhyrjet e tyre shpesh krijojnë varësi dhe një perceptim se SPAK është më i orientuar drejt ambasadave ose diplomatëve.
Kjo ka krijuar edhe idenë se çdo udhëheqës duhet të ketë miratimin e aktorëve të jashtëm, ndërsa politika fshihet pas qëndrimeve të partnerëve, duke shmangur përgjegjësinë.
Në këto kushte, duket se edhe kjo garë për kreun e fundit të SPAK-ut, bazuar në mandatin që ka ky institucion, nuk do të kalojë pa presion dhe zhurmë, ndoshta më të moderuar se ajo e 3 viteve më parë.
Bazuar në rregulloren e KLP-së, kreu i ri i SPAK-ut zgjidhet ai që merr më shumë vota, ndërsa është e rëndësishme që në mbledhje të jetë i pranishëm numri i nevojshëm i anëtarëve, 7, i cili përbën edhe kuorumin.
Kjo do të thotë që, pavarësisht se sa vota mund të marrë një nga kandidatët në garë, mjafton që ai të marrë më shumë se të tjerët dhe do të marrë kryesimin.
Dhe mënyra se si do të menaxhohet ky proces do të tregojë të paktën forcën e institucioneve të reja të drejtësisë, por do të përcaktojë edhe drejtimin në të cilin do të lëvizë SPAK-u i vendit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. / Pamfleti /
Lini një Përgjigje