TAGS-AT E JAVËS

Forum18 Mars 2024, 19:02

Yuval Noah Harari: A ka ndonjë rrugëdalje nga kurthi izraelito- palestinez?

Shkruar nga Pamfleti

 

Yuval Noah Harari: A ka ndonjë rrugëdalje nga kurthi izraelito-
Yuval Noah Harari /

Kur palestinezët analizojnë synimet e izraelitëve, ata mbërrijnë në përfundimin se po të mos jetë për komunitetin ndërkombëtar, ekziston një probabilitet i lartë që Izraeli të dëbojë shumicën ose të gjithë palestinezët në territoret midis lumit Jordan dhe Detit Mesdhe, dhe  të krijojë një shtet vetëm për hebrenjtë...

Konflikti izraelito- palestinez nxitet nga tmerri i ndërsjellë i shkatërrimit. Secila nga palët druhet se tjetra dëshiron ta vrasë apo dëbojë, dhe kësisoj t’i japë fund ekzistencën e saj si komb. Mjerisht, këto nuk janë frikëra të paarsyeshme dhe fryt i paranojës, por të arsyeshme dhe të bazuara në kujtimet e historisë së kohëve të fundit, por edhe nga një analizë relativisht objektive e synimeve të palës tjetër.

Ngjarja themeltare e identitetit modern palestinez është Nakba e vitit 1948, kur shteti i sapo lindur i Izraelit e shkatërroi mundësinë e krijimit të një shteti palestinez, dhe dëboi rreth 750.000 palestinezë nga shtëpitë e tyre stërgjyshore. Në dekadat që pasuan, palestinezët përjetuan masakra dhe dëbime të përsëritura nga izraelitët dhe fuqi të tjera rajonale.

Për shembull në vitin 1982, 800 deri në 3.000 palestinezë u masakruan në kampet e refugjatëve Sabra dhe Shatila nga një milici libaneze e krishterë, aleate me Izraelin. Ndërkohë në vitin 1991 rreth 300.000 palestinezë u dëbuan nga Kuvajti. Por frika e palestinezëve për t’u vrarë apo dëbuar nuk është vetëm rezultat i ngjarjeve të tilla historike. Ajo është një përvojë që i shoqëron çdo moment të jetës së tyre. Çdo palestinez në territoret e pushtuara palestineze e di se çdo ditë mund të vritet, burgoset ose dëbohet nga toka e tij nga kolonët apo forcat izraelite të sigurisë.

Kur palestinezët analizojnë synimet e izraelitëve, ata mbërrijnë në përfundimin se po të mos jetë për komunitetin ndërkombëtar, ekziston një probabilitet i lartë që Izraeli të dëbojë shumicën ose të gjithë palestinezët në territoret midis lumit Jordan dhe Detit Mesdhe, dhe  të krijojë një shtet vetëm për hebrenjtë.

Me kalimin e viteve, shumë politikanë dhe parti izraelite - duke përfshirë Likud të Benjamin Netanyahut - kanë shpresuar publikisht krijimin e “Izraelit të Madh”, me shpronësimin, dëbimin apo shndërrimin e palestinezëve në robër. Edhe në kulmin e procesit të paqes në Oslo në vitet 1990, Izraeli e shihte me neveri perspektivën e një shteti të qëndrueshëm palestinez.

Dhe në vend të këtij skenari, ai vazhdoi të zgjerojë vendbanimet në Bregun Perëndimor, duke treguar kësisoj dëshirën e tij të qëndrueshme për të shpronësuar palestinezët nga çdo pjesë e territorit. Lufta aktuale e ka konfirmuar frikën më të madhe të palestinezëve.

Pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, thirrjet për shkatërrimin e plotë të Rripit të Gazës, vrasjen dhe dëbimin masiv të palestinezeve janë bërë rutinë në mediat izraelite dhe në mesin e disa anëtarëve të koalicionit qeverisës të Izraelit. Më 7 tetor, nënkryetari i parlamentit, Nissim Vaturi, shkroi në Twitter: “Tani ne të gjithë kemi një qëllim të përbashkët: Fshirjen e Rripit të Gazës nga faqja e dheut”.

Po të mos ishte rezistenca e Egjiptit dhe presioni ndërkombëtar, nuk është e paarsyeshme të besohet se Izraeli do të ishte përpjekur të dëbonte popullsinë palestineze të Rripit të Gazës në shkretëtirën e Sinait. Sipas zyrtarëve palestinezë të shëndetësisë, forcat izraelite kanë vrarë deri më tani më shumë se 31.000 palestinezë, duke përfshirë luftëtarë, por kryesisht civilë, teksa kanë detyruar më shumë se 85 për qind të popullsisë civile të Rripit të Gazës - gati 2 milionë njerëz - që të largohen nga shtëpitë e tyre.

Sigurisht, izraelitët bartin traumat e tyre historike. Ngjarja themeluese e identitetit modern hebre dhe izraelit është Holokausti, kur nazistët shfarosën rreth 6 milionë hebrenj dhe zhdukën shumicën e komuniteteve hebreje të Evropës.

Më pas, në vitin 1948, palestinezët dhe aleatët e tyre arabë bënë një përpjekje të përbashkët për të asgjësuar shtetin e sapolindur të Izraelit, si dhe për të vrarë ose dëbuar të gjithë banorët e tij hebrenj. Në vazhdën e disfatës së tyre dhe humbjeve pasuese arabe në luftërat e viteve 1956 dhe 1967, vendet arabe u hakmorën duke dëbuar komunitetet e tyre hebreje.

Rreth 800.000 hebrenj u dëbuan nga shtëpitë e tyre stërgjyshore në vende si Egjipti, Iraku, Siria, Jemeni dhe Libia. Të paktën gjysma e hebrenjve izraelitë, janë pasardhës të këtyre refugjatëve të Lindjes së Mesme. Por frika e hebrenjve nga vrasja dhe dëbimi nuk është vetëm rezultat i kujtimeve të tilla historike.

Ato kanë gjithashtu përvoja të jetuara që përbëjnë pjesë të rutinës së përditshme të izraelitëve. Çdo izraelit e di se mund të vritet ose rrëmbehet në çdo moment të ditës nga terroristët palestinezë ose islamikë, qoftë në shtëpitë e tyre apo gjatë një udhëtimi kudo në botë.

Kur izraelitët analizojnë synimet e palestinezëve, ata mbërrijnë në përfundimin se nëse do t`u jepej ndonjëherë mundësia, palestinezët me siguri që do t`i vrisnin ose do t`i dëbonin të 7 milionë hebrenjtë që aktualisht jetojnë midis lumit Jordan dhe Detit Mesdhe. Udhëheqësit palestinezë dhe aleatët e tyre nga Teherani në Nju Jork, kanë deklaruar vazhdimisht se prania e hebrenjve në tokën midis lumit dhe detit është një padrejtësi koloniale, që herët a vonë duhet “të korrigjohet”.

Në këto kushte, disa mund të argumentojnë se “ndreqja e padrejtësisë” nuk do të thotë të vrasësh ose dëbosh të gjithë hebrenjtë izraelitë. Përkundrazi nënkupton krijimin e një shteti palestinez demokratik në të cilin hebrenjtë do të mirëpriten si qytetarë. Megjithatë, izraelitët e kanë jashtëzakonisht të vështirë ta besojnë këtë.

Sidomos duke pasur parasysh mungesën e ndonjë demokracie të qëndrueshme arabe dhe fatin e komuniteteve hebreje në vende si Egjipti dhe Iraku. Hebrenjtë shkuan në brigjet e Nilit dhe Eufratit të paktën 1000 vjet përpara se arabët të pushtonin Egjiptin dhe Irakun në shekullin  VII të Erës Sonë.

Askush nuk mund të argumentojë me fakte se komunitetet hebraike të Kajros apo Bagdadit ishin një vendosje kolonialiste e dekadave të fundit. Megjithatë, pas vitit 1948 këto komunitete u zhdukën plotësisht. Praktikisht nuk ka mbetur asnjë prej tyre në asnjë vend arab, përveç 2000 hebrenjve në Marok dhe 1000 në Tunizi.

Lufta aktuale konfirmoi frikën më të madhe të izraelitëve. Më 7 tetor 2023, terroristët e Hamasit vranë, përdhunuan dhe morën peng më shumë se 1000 civilë izraelitë. Komunitete të tëra u shkatërruan sistematikisht dhe qindra mijëra izraelitë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre.

Do të ishte e gabuar të barazohej situata e izraelitëve dhe palestinezëve. Ata kanë histori të ndryshme, jetojnë në kushte të ndryshme dhe përballen me kërcënime të ndryshme. Thelbi i këtij artikulli është të theksojë se të dy popujt kanë arsye të forta të besojnë se pala tjetër dëshiron t'i vrasë apo dëbojë që të gjithë.

Por a ka rrugëdalje nga ky kurth? Në mënyrë ideale, secila palë duhet të heqë dorë nga fantazia e saj për të hequr qafe palën tjetër. Një zgjidhje paqësore e konfliktit është teknikisht e realizueshme. Midis lumit Jordan dhe Detit Mesdhe ka mjaftueshëm tokë për të ndërtuar shtëpi, shkolla, rrugë dhe spitale për të gjithë.

Por ato mund të nderohen vetëm nëse secila palë mund të thotë sinqerisht që edhe nëse do të kishte një fuqi të pakufizuar dhe zero kufizime, nuk do të dëshironte ta dëbonte tjetrën. Sigurisht, realizimi i një ndryshimi të tillë është jashtëzakonisht i vështirë, por jo i pamundur.

Ka shumë individë nga të dyja palët që i dëshirojnë të mirën tjetrit. Nëse numri i tyre rritet, në fund do të ndryshojnë edhe politikat kolektive. Po ashtu në rajon ekziston një grup i rëndësishëm që kolektivisht ndihet pjesë e të dyja palëve dhe nuk dëshiron të zhduket asnjëra: afro 2 milionë qytetarë arabë të Izraelit, të cilët zakonisht quhen ose izraelito- arabë ose izraelito- palestinezë.

Kur Hamasi nisi sulmin e tij, shpresonte se këta palestinezo-izraelitë do të ngriheshin kundër fqinjëve të tyre hebrenj. Shumë hebrenj u tmerruan se kjo do të ndodhte vërtet. Në fakt, ditën e masakrës, shumë qytetarë arabë nxituan për të ndihmuar fqinjët e tyre hebrenj. Disa madje u vranë nga Hamasi për këtë sjellje.

Për shembull, Abed al-Rahman Alnasarah nga Kuseife u vra ndërsa po përpiqej të shpëtonte të mbijetuarit nga festivali Nova. Awad Darawshe nga Iksal u vra duke u kujdesur për të plagosurit. Që atëherë, çdo ditë, pavarësisht armiqësisë nga shumë hebrenj, përfshirë ministrat e qeverisë, arabo-izraelitët kanë vazhduar të shërbejnë në institucionet izraelite nga spitalet në zyrat qeveritare.

Dy politikanët më të shquar palestinezo- izraelitë, Ayman Odeh i partisë Hadash dhe Mansour Abbas i partisë islamike të Listës së Bashkuar Arabe, e dënuan ashpër masakrën e Hamasit dhe u bënë thirrje të gjitha palëve që të dorëzojnë armët dhe të kërkojnë paqe.

Hebrenjtë duhet ta dinë tashmë se arabo- izraelitët nuk po ëndërrojnë për ditën kur më në fund mund të vrasin ose dëbojnë të gjithë hebrenjtë që jetojnë midis Jordanit dhe Mesdheut. 

Pavarësisht se sa e vështirë është për ne të tjerët të ndryshojmë qëllimet tona, lajmi i mirë është se kjo është diçka që secila palë - madje edhe çdo person - është në gjendje ta arrijë vetë./Përshtati Pamfleti nga “Financial Times”

yuval noah harari izrael palestina

Lini një Përgjigje