
Vrasja e gjyqtarit Kalaja dëshmon gjithashtu një tjetër plagë sociale: prirjen e një pjese të të rinjve për të kërkuar fitime të lehta, pa përpjekje, pa punë, pa krijim. Në vend që të ndërtojnë vlera me djersë, ata ëndërrojnë trashëgimi, pasuri të gatshme, zgjidhje të shpejta.
Detektori metalik në hyrje të Gjykatës së Apelit sinjalizoi praninë e armës që do të përdorej për të vrarë gjyqtarin Astrit Kalaja. Por roja e sigurisë në vend që të vepronte, zgjodhi të mos shqetësohej. Ky detaj nuk dëshmon thjesht një neglizhencë teknike, është edhe një metaforë e dhimbshme që përcjell mesazhin se sado moderne të jetë teknologjia, sado mirë të projektohen reformat institucionale, nuk arrijnë rezultat pa shëruar ca cene e pa luftuar ca vese në rrafsh shoqëror.
Në diskutimet që pasuan ngjarjen, me të drejtë u vu theksi mbi problemet e sistemit të drejtësisë: mungesa e sigurisë në gjykata, mbingarkesa e punës, vonesat e pafundme, sorollatjet e qytetarëve, rënia e besimit te gjyqësori si pasojë e krizës së autoritetit dhe e praktikave të dyshimta të një pjese të gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve. Të gjitha këto janë probleme të mprehta që, po të mos adresohen me seriozitet dhe urgjencë, rrezikojnë ta atrofizojnë sistemin gjyqësor dhe ta kthejnë drejtësinë në një iluzion. Megjithatë, bie në sy një mangësi jo e vogël: injorimi thuajse i plotë i problemeve që nuk lidhen me reforma institucionale, por me kulturën qytetare dhe sjelljen sociale. Akti i vrasësit nuk është vetëm një krim penal, është edhe simptomë e një sëmundjeje më të thellë: vetëgjyqësia si mënyrë mendimi dhe veprimi.
Mosha e re e autorit dëshmon se kjo prirje nuk ushqehet më vetëm nga Kanuni apo e drejta zakonore, por nga faktorë aktualë si: mungesa e besimit tek institucionet, përfolja e proceseve gjyqësore nga politikanët dhe media, krijimi i “gjyqeve popullore” në media dhe rrjete sociale, ku secili ndan drejtësinë sipas emocioneve dhe jo sipas ligjit. Kjo klimë krijon idenë se ligji nuk vepron, se institucionet janë të paafta dhe se drejtësia duhet marrë me parimin “dy duar për një kokë”. Vrasja e gjyqtarit Kalaja dëshmon gjithashtu një tjetër plagë sociale: prirjen e një pjese të të rinjve për të kërkuar fitime të lehta, pa përpjekje, pa punë, pa krijim. Në vend që të ndërtojnë vlera me djersë, ata ëndërrojnë trashëgimi, pasuri të gatshme, zgjidhje të shpejta. Kultura e punës është zbehur, ndërsa formalizmi dhe angaria po bëhen normë. Punonjësi i detektorit që injoron sinjalin nuk është thjesht një individ i pakujdesshëm, është produkt dhe simbol i një shoqërie që nuk vlerëson punën, që nuk shpërblen përkushtimin, që nuk e sheh meritën si themel të funksionimit institucional. Një shoqëri që nuk e vlerëson punën, rrezikon të humbasë edhe drejtësinë.
Tingëllon skandaloze që në rrjetet sociale një pjesë e mirë e komentuesve, në mënyrë të hapur ose të nënkuptuar, përpiqen të justifikojnë vrasësin. Argumenti kryesor është stërzgjatja e proceseve gjyqësore, sidomos atyre për pronat. Kjo qasje, përveçse e rrezikshme, është tregues i një prirjeje të rrënjosur për të relativizuar dhunën kur ajo duket si “reagim i kuptueshëm”. Në këtë mënyrë, flitet me zë të lartë për dobësitë e sistemit të drejtësisë, por mbyllet një sy dhe amnistohet krimi. Kjo është një formë e heshtur e bashkëfajësisë morale. Në një vend ku shumë të rinj ëndërrojnë trashëgimi, jo krijim; ku puna shihet si mundim, jo si dinjitet; ku drejtësia kërkohet me ryshfet apo me dhunë dhe jo me argumente juridike; ku ligji është i mirë vetëm kur na jep të drejtë, – e pra në një vend të tillë nuk ka dështuar vetëm shteti. Ka dështuar edhe shoqëria që e ka toleruar këtë mendësi, që e ka ushqyer me indiferencë, me justifikime, me normalizim të së keqes. Shteti ka përgjegjësinë për të garantuar sigurinë, për të ndërtuar institucione funksionale, për të reformuar drejtësinë dhe për ta bërë atë të aksesueshme dhe të dhënë në kohë, sepse drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Por shoqëria ka përgjegjësinë për të mos e relativizuar dhunën, për të mos e justifikuar vetëgjyqësinë, për të mos e parë krimin si akt proteste. Kur një vrasje në sallën e gjyqit shihet si “reagim i kuptueshëm”, atëherë kemi hyrë në një zonë të rrezikshme ku morali publik është zbehur dhe rrezikon të kthehet në pleh që ushqen vese, padrejtësi dhe krime. Prandaj nuk mjafton të kërkojmë reforma teknike dhe institucionale. Duhet edhe një ndryshim kulturor që synon respektin për ligjin, për punën, për institucionin.
Shikoni një pjesë nga deklarata e gjyqtarëve në takimin e datës 9 tetor: “Shteti nuk mund të kërkojë drejtësi të pavarur, nëse nuk garanton kushtet minimale për ushtrimin e saj”. Domethënë, nëse kushtet e punës dhe të sigurisë nuk janë të mira, gjyqtarët janë të justifikuar të japin vendime të padrejta. Deklaratë kjo e miratuar dhe e duartrokitur nga qindra gjykatës dhe drejtues gjykatash dhe cuditërisht e anashkaluar nga gjithollogët e paneleve të darkës. Wtf!