TAGS-AT E JAVËS

Forum30 Shtator 2024, 11:58

Vdekja e Nasrallah duhet ta ndërgjegjësojë botën arabe: Irani është problemi kryesor i rajonit!

Shkruar nga Hani Hazaimeh

 Vdekja e Nasrallah duhet ta ndërgjegjësojë botën arabe:

Vrasja e Nasrallahut, mund të jetë rasti i fundit që t’u hapë sytë arabëve të mashtruar, duke i inkurajuar ata të mbështetin aleanca të reja që bazohen tek respekti reciprok, interesat e përbashkëta dhe perspektivën reale të paqes...

Në një kthesë mbresëlënëse të ngjarjeve, vrasja e udhëheqësit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah gjatë një sulmi ajror izraelit duhet të shërbejë si një moment vendimtar reflektimi për botën arabe. Ky moment nuk ka të bëjë vetëm me Hezbollahun apo vetë Nasrallahun.

Por edhe me ndërgjegjësimin e plotë se Irani, mbështetësi kryesor i Hezbollahut, është një aleat jo i besueshëm, dhe interesat e tij ndryshojnë shumë nga ato të botës arabe dhe myslimane. Për dekada me radhë, Teherani e ka etiketuar veten si një mbrojtës i të drejtave të palestinezëve dhe si pararoja e rezistencës kundër Izraelit.

Nëpërmjet grupimeve militante si Hezbollahu, Teherani ka pasur ndikim në Liban, Irak, Siri dhe Jemen, duke pretenduar se është në ballë të luftës kundër agresionit perëndimor dhe atij izraelit. Por pas fasadës së rezistencës, ka qenë e fshehur një model tradhtie, ku interesat arabe dhe myslimane janë sakrifikuar vazhdimisht në altarin e ambicieve gjeopolitike të Iranit.

Herë pas here, Irani dhe aleatët e tij, përfshirë Hezbollahun, kanë bërë deklarata të forta mbi qëllimin e tyre për të “zhdukur Izraelin nga harta”. Megjithatë, në çdo përplasje të rëndësishme ushtarake, kërcënime të tilla kanë qenë pak a shumë një retorikë boshe.

Ushtria dhe milicitë mbështetëse të Iranit, kanë qenë kryesisht në pozita mbrojtëse, duke dështuar në mbajtjen e premtimit të tyre për një sulm vendimtar kundër Izraelit. Duke e ruajtur fuqinë e tij si milici, Hezbollahu nuk ka paraqitur ndonjë kërcënim vërtet ekzistencial për Izraelin.

Nën udhëheqjen e Nasrallahut, kjo organizatë ishte mbështetur tek përleshjet sporadike dhe sulmet e izoluara me raketa, të cilat Izraeli i ka zmbrapsur me shpejtësi dhe me një kundërpërgjigje shumë të fortë. Por ky model i mosveprimit shtrihet përtej Hezbollahut.

Në botën arabe në përgjithësi, ka një ndërgjegjësim gjithnjë e më të madh ndaj faktit që premtimet e Iranit për “rezistencë”, vetëm sa e kanë përshkallëzuar paqëndrueshmërinë rajonale, duke prodhuar cikle të pafundme konflikti dhe shkatërrimi, sidomos në Liban, Siri dhe Jemen. Fjalimet nxitëse të Nasrallahut, krijonin në mendjen e njerëzve imazhin e një triumfi përfundimtar mbi Izraelin. Por në terren, veprimet e Hezbollahut sollën pak përparim në lidhje me çështjen palestineze, duke e izoluar më tej Libanin në gjendjen e tij vazhdimisht konfliktuale.

Vrasja e Nasrallahut, shënon episodin e fundit në një seri dështimesh të Iranit për të mbrojtur apo çuar përpara interesat e aleatëve të tij. Nga lufta civile e Sirisë e deri tek kolapsi i institucioneve të brishta të Irakut, Irani i ka shfrytëzuar shpesh partnerët e tij rajonalë si pengje, duke sakrifikuar mirëqenien e tyre për interesat e tij strategjike.

Për shembull, marrim Sirinë. Mbështetja e palëkundur e Iranit për Bashar Al-Assad, ka ndikuar tek shpërthimi i njërës prej krizave humanitare më të rënda të kohës sonë, me mbi gjysmë milionë njerëz të vdekur dhe miliona të tjerë të zhvendosur.

Kjo mbështetje e ka çimentuar regjimin brutal të Assadit, por e ka armiqësuar Iranin me pjesën më të madhe të botës arabe. Po kështu në Jemen, mbështetja e Teheranit për rebelët Huthi, ka çuar në një luftë shkatërruese me Arabinë Saudite, duke nxitur një katastrofë tjetër humanitare, e cila e ka dëmtuar rëndë popullsinë më të cenueshme të botës arabe dhe myslimane.

Këto konflikte rajonale, jo vetëm që nuk kanë arritur të sjellin fitoren e premtuar ndaj Izraelit, por i kanë distancuar aleatët e Iranit, si dhe kanë sjellë shtimin e vuajtjeve tek të ashtuquajturit “përfitues” të tij. Në secilin rast, mbështetja e Iranit ka ardhur me një kosto të lartë për shtetet arabe, me shumë pak gjëra për të treguar sa i përket sukseseve të dukshme ndaj Izraelit apo hegjemonisë së Perëndimit.

Për të gjitha këto arsye, vrasja e Hassan Nasrallahut, duhet të jetë një moment reflektimi për arabët në të gjithë rajonin. Për një kohe të gjatë, shumë prej tyre janë mashtruar nga narrativa iraniane e rezistencës. Në fakt realiteti është se interesat e Teheranit, nuk kanë të bëjnë fare me çlirimin e Palestinës dhe as me përmirësimin e gjendjes së vendeve arabe, por me zgjerimin e ndikimit të tij dhe sigurimin e bazës strategjike në Lindjen e Mesme.

Manipulimi i ndarjeve sektare nga ana e Iranit - kryesisht midis komuniteteve shiite dhe sunite - e ka përçarë më tej botën arabe, duke e bërë më të lehtë shfrytëzimin e këtyre ndarjeve nga ana e fuqive të jashtme. Duke mbështetur milicitë dhe aktorët jo shtetërorë si Hezbollahu, Irani është përpjekur të dëmtojë sovranitetin e vendeve arabe dhe të mbjellë kaos, në një kohë që pretendon se po mbron çështjen palestineze.

Ka ardhur koha që arabët dhe myslimanët, të rishqyrtojnë me kujdes se cilët janë aleatët e tyre të vërtetë, dhe ku qëndrojnë interesat e tyre më të mira. Vdekja e Nasrallah, duhet të shërbejë si një kujtesë se ndërsa Irani flet për një lojë të madhe, veprimet e tij i ka lënë shpeshherë aleatët e tij - dhe botën arabe  në përgjithësi - më të dobët, më të përçarë dhe më larg arritjes së paqes dhe stabilitetit të vërtetë në rajon.

Në vend se të vazhdojë të ndikohet nga premtimet e zbrazëta të Teheranit, bota arabe duhet të marrë në dorë fatin e saj. Përfshirja e Iranit në çështjet arabe, nuk ka sjellë as çlirim dhe as fitore. Përkundrazi ka sjellë shkatërrim, ndarje dhe paqëndrueshmëri.

Vrasja e Nasrallahut, mund të jetë rasti i fundit që t’u hapë sytë arabëve të mashtruar, duke i inkurajuar ata të mbështetin aleanca të reja që bazohen tek respekti reciprok, interesat e përbashkëta dhe perspektivën reale të paqes. Bota arabe duhet t’i japë përparësi unitetit, si brenda ashtu dhe midis kombeve, me synim përballimin e sfidave që ka përballë.

Vetëm nëpërmjet forcës kolektive, dhe jo mbështetjes tek fuqitë e jashtme që kanë axhendat e tyre, ky rajon mund të shpresojë të gjejë rrugën e duhur drejt paqes, stabilitetit dhe drejtësisë për palestinezët dhe të gjithë arabët. Është koha që të pranohet se Irani nuk është zgjidhja e sfidave të botës arabe. Përkundrazi, ai është pjesë e problemit./Përshtati Pamfleti nga “Arab News”

vrasja e nasrallah bota arabe irani

Lini një Përgjigje