Është gjithnjë e më e qartë, se mënyra për t’i dhënë fund luftës dhe për të siguruar një paqe të qëndrueshme afatgjatë, është të shohim përtej Rusisë dhe të veprojmë sipas sistemit të saj mbështetës. Pra çelësi i fundit të luftës në Ukrainë gjendet në Pekin...
Presidenti Volodymyr Zelensky, ka një “plan të ri të fitores”, të cilin e ka marrë me vete gjatë vizitës që po zhvillon këtë javë në Shtetet e Bashkuara. Përmbajtja e tij është mbajtur sekret, dhe do të bëhet publike vetëm pasi t’i prezatohet presidentit Biden. Misteri dhe ndjenja e pritjes e krijuar rreth këtij zbulimi madhështor, cilësohet si një nga mjeshtëritë e ukrainasve në fushën e marrëdhënieve me publikun.
Duket sikur gjithë Perëndimi po mban frymën pezull, për të mësuar zgjidhjen magjike të konfliktit, e cila deri tani u ka shpëtuar të gjithëve. Në fakt, fundi i luftës në terren do të kërkojë shumë më tepër sesa një test mbi alkiminë mediatike. “Narrativat”, nuk priren që të shndërrohen në njësi ushtarake në vijën e parë të frontit.
Tragjedia e zgjedhjeve të vështira, dhe domosdoshmëria për t’u përballur me faktet e plota të këtij konflikti nuk mund të shmanget dot, sado të mira të jenë fjalimet apo të zgjuara simbolikat, siç ishte ajo e nënshkrimit nga Zelensky të predhave të artilerisë në qytetin e lindjes së Biden në Scranton, Pensilvani.
Sigurisht, kjo s’do të thotë se këta elementë nuk kanë rëndësi. Formimi i opinionit global në favor të kombit të tij, dhe rritja e moralit të popullit të tij heroik, është absolutisht një detyrë e rëndësishme e presidentit ukrainas. Lufta informative dhe komunikimet strategjike, kanë një rëndësi të madhe në shekullin XXI-të.
“Fitorja” në këtë fushë beteje, ndihmon drejtpërdrejt në prioritetin e Zelensky-t për të marrë më shumë mbështetje ndërkombëtare - ushtarake, financiare dhe diplomatike - për Ukrainën. Megjithatë plani i ri i fitores i Zelensky-t, duket se nuk e ndryshon kuadrin analitik dhe nuk e pranon kontekstin e plotë global të kësaj lufte.
Në fakt, ai i ngjan shumë planit të vjetër, që bazohet në thelb në “formulën e paqes” maksimaliste prej 10 pikash të presidentit ukrainas, të hartuar në fillim të konfliktit, dhe që për Moskën ishte e papranueshme. Katër pikat kryesore të planit të fundit të Zelensky-t, duket se përsërisin idetë ekzistuese rreth garancive të sigurisë “të stilit të NATO-s”.
Më shumë para dhe ndihmë ushtarake, si dhe lirinë për të përdorur armët e furnizuara nga Perëndimi sipas dëshirës. Sipas Zelensky-t, kjo qasje do ta bëjë Rusinë “të ndjejë se do të humbasë”, dhe kësisoj t’i japë mundësi Ukrainës ta detyrojë Putinin të ulet në tryezën e bisedimeve me kushte më të mira për Kievin.
Por problemi është se ky plan nuk shkon aq larg sa duhet. Ai është i paplotë, dhe fokusohet ngushtësisht vetëm në raport me Rusinë. Zelensky dhe shumica e opinionit perëndimor supozojnë se lufta mund të “fitohet” në fushën e betejës, nëse Ukraina arrin 3 suksese ushtarake.
E para, të mbrojë infrastrukturën e saj kritike (veçanërisht energjinë, prodhimin e mbrojtjes dhe logjistikën) nga sulmet ruse me rreze të gjatë. E dyta për ta gjymtuar Rusinë në të njëjtën mënyrë. Dhe e treta dhe më e vështira, të ndalë dhe më pas të sprapsë makinerinë ushtarake ruse.
Teorikisht, është e mundur që një ndihmë shumë më e madhe, e shpejtë dhe e qëndrueshme perëndimore t’i japë shansin Ukrainës të ketë avantazh në të treja dimensionet e luftës. Por sfida nuk vlerësohet gjithnjë plotësisht. Rrjeti energjetik i Ukrainës, ka pësuar tashmë një “dëmtim të madh” dhe sulmet ruse po forcohen akoma më shumë, sidomos në “saktësi dhe egërsi”.
Kievi e ka jetike pasjen e më shumë mbrojtje ajrore, por sistemet shtesë të dërguara nga Perëndimi nuk mund të vihen lehtë në përdorim. Sa i përket sulmet strategjike të vetë Ukrainës ndaj rafinerive ruse të naftës dhe depove të municionit, ato kanë qenë gjithnjë e më efektive, sepse Kievi i ka përsosur taktikat dhe pajisjet e tij.
Por edhe rusët po mësojnë nga dështimet e tyre, edhe pse më ngadalë. Mbrojtja e tyre ka të ngjarë të përmirësohet. Nga ana tjetër, Kievi mund të marrë lejen për të përdorur raketat perëndimore - një vendim politik shumë i ndërlikuar - por sasitë e dërguara do të jenë të vogla dhe rrezet e tyre janë gjithashtu të kufizuara.
Dhe nëse bëhet fjalë për këtë, armiku ka mundësinë të zhvendosë infrastrukturën kryesore më në thellësi të vendit, siç bëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Do të ishte sigurisht një sipërmarrje e madhe dhe e vështirë, por në teori jo e pamundur. Në lidhje me fitimin e një avantazhi vendimtar ndaj forcave ruse në terren, sërish kjo është shumë më e vështirë të arrihet sesa duket nga këndvështrimi perëndimor i luftës.
Siç e ka pranuar vetë Zelensky, nivelet aktuale të ndihmës perëndimore - përfshirë paketën e madhe të ndihmës ushtarake të votuar nga Kongresi Amerikan në prill - nuk mjaftojnë as për të pajisur “4 nga 14” brigada të nevojshme në front.
Ndërkohë, rusët po e tejkalojnë në shumë drejtim mbrojtjen e Ukrainës në Donbass, duke përparuar me ritmin më të lartë që nga faza e hershme e luftës. Është një ofensivë ruse në shkallë të plotë, që po forcohet në disa nga pozicionet më të forta të Ukrainës, si Vuhledar.
Në këtë pikë është e paqartë, se si dhe nëse komanda ukrainase do të jetë në gjendje të stabilizojë sërish vijën e frontit. Nga ana tjetër, aspekti ndoshta më i keqkuptuar dhe më pak i diskutuar i kësaj lufte është roli i Kinës. Ne gjendemi në një situatë shumë interesante.
Nga njëra anë, përfshirja e Pekinit në mbështetjen e ekonomisë ruse si dhe makinerisë ushtarake të Putinit është e mirë-dokumentuar. Nga ana tjetër, ajo është në plan të dytë në debatet që zhvillohen në Perëndim. Kur nisi lufta dhe u vendosën sanksionet perëndimore, Rusia e riorientoi ekonominë e saj - nga eksportet e energjisë tek importet e mallrave të prodhuara -drejt Kinës, deri në pikën ku tani është shumë e varur prej saj.
Shumica e mikro-elektronikës dhe makinerive që i duhen Rusisë për armët e saj të avancuara, vijnë nga Kina. Pra pa ndihmën e Pekinit, Moska nuk mund ta vazhdonte luftën e saj të paligjshme. Po ashtu, Rusia merr mbështetje të konsiderueshme ushtarake - si municione, dronë dhe raketa - nga Irani dhe Koreja e Veriut.
Ajo gëzon një shkallë të madhe simpatie, por edhe mbështetje të hapur diplomatike nga Jugu Global. Dhe në gjithë këtë “merita” e Rusisë është vetëm e pjesshme. Shumë më domethënës dhe ndoshta vendimtar, është sinjali pro-rus i dërguar nga Pekini, i cili peshon shumë në llogaritjet e të gjithë këtyre aktorëve anti-perëndimorë (ose në rastin më të mirë “të paangazhuar”).
Në Jugun Global, shumica e rrugëve priren të çojnë në oborrin e Xi-së, pasi Kina vepron si shtylla e të ashtuquajturës “alternativë” në zhvillim të rendit botëror të udhëhequr nga SHBA.
Prandaj, lufta në Ukrainë nuk është thjesht një garë midis Kievit dhe Moskës. Kjo është një luftë me prokurë, ku fatet e Ukrainës dhe Rusisë, në mënyra dhe shkallë të ndryshme, varen nga sponsorët e tyre më të mëdhenj dhe më të fortë.
Perëndimi mund ta shtojë ndihmën e tij për Zelenskyn. Por edhe Kina dhe fuqitë e saj revizioniste do të rrisin ndihmën e tyre për Putinin. Ne e kemi parë tashmë të ndodhë. Asnjëra nga palët, nuk mund të lejojë që të dështojë aleati i tyre, pasi pasojat gjeopolitike do të ishin më të kushtueshme për ta në nivel global, sesa çmimi i mbështetjes së vazhdueshme.
Derisa ky realitet të kuptohet siç duhet, dhe të llogaritet në përpjekjet ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje për këtë konflikt, ne do të vazhdojmë të gënjehemi me plane “fitoresh”, të cilat kanë pak të bëjnë me atë që është vërtet e realizueshme.
Është gjithnjë e më e qartë, se mënyra për t’i dhënë fund luftës dhe për të siguruar një paqe të qëndrueshme afatgjatë, është të shohim përtej Rusisë dhe të veprojmë sipas sistemit të saj mbështetës. Pra çelësi i fundit të luftës në Ukrainë gjendet në Pekin./ Përshtati Pamfleti nga “Brussels Signal”
Shënim: Gabriel Elefteriu, zëvendësdrejtor në Këshillin për Gjeostrategjinë në Londër dhe bashkëpunëtor në Institutin Jorktaun në Uashington, SHBA.
Lini një Përgjigje