TAGS-AT E JAVËS

Forum26 Prill 2025, 15:49

Ukraina, “Afganistani” i radhës për SHBA-në

Shkruar nga Paolo Rossetti

 

Ukraina, “Afganistani” i radhës për SHBA-në
Ukraina, pamje nga lufta /

Donald Trump po i bën presion Zelenskyt për t’ia lëshuar Krimenë Rusisë. Nga ana tjetër i kërkon Putinit që të ndalë bombardimet. Iniciativa në negociatat e paqes në Ukrainë, mbetet ende në duart e amerikanëve, të cilët në thelb bien dakord me rusët thuajse mbi gjithçka...

Por tani ukrainasit duhet të binden, dhe pavarësisht ultimatumeve zyrtare nga amerikanët, negociatat vazhdojnë. Mediat amerikane kanë zbuluar disa lëshime të mundshme për Zelenskyn: për shembull, mundësinë e mbajtjes së një ushtrie, dhe rimarrjes nën kontroll të termocentralit Zaporizhzhia.

Por duhet të shohim se çfarë dëshiron vërtet të bëjë Putin. Giorgio Battisti, gjeneral dhe ish-komandant i Korpusit të Reagimit të Shpejtë të NATO-s (NRDC-ITA) në Itali dhe shef i shtabit të misionit ISAF në Afganistan, thotë se nuk është e largët mundësia që Uashingtoni të braktisë bisedimet. Tek e fundit, historia e Amerikës është plot me braktisje të luftërave, më e fundit në Afganistan. Dhe administrata Trump është e interesuar vetëm për përballjen me Kinën.

Ukraina, “Afganistani” i radhës për SHBA-në
Giorgio Battisti, gjeneral dhe ish-komandant i Korpusit të Reagimit të Shpejtë të NATO-s /

Putin kreu një sulm të dhunshëm ndaj Kievit dhe Trump i kërkon të ndalet. Pse kjo kërkesë, pasi ka zhvilluar një plan të favorshëm për rusët?

Trump arriti të bindë Putinin për një armëpushim, duke qëndruar në vijën aktuale të frontit dhe duke i dhënë në këmbim Krimenë. Tani ai po i bën presion Zelenskyt të pranojë paktin, sepse presidenti ukrainas është hallka më e dobët e zinxhirit.

Nuk duhet harruar se në çdo marrëveshje paqeje, ka një palë që nuk është e kënaqur. Kushtet janë gjithmonë më të favorshme për atë që fiton në fushën e betejës. Ndaj Trump i ka kërkuar së fundmi Putinit të mos bombardojë si shenjë vullneti të mirë, si në rastin e armëpushimit të Pashkëve.

A e dinë amerikanët se kjo marrëveshje është dukshëm e pabalancuar dhe në favor të Moskës dhe a po përpiqen ta ribalancojnë disi?

Humbja e Krimesë dhe e territoreve të tjera të pushtuara nga rusët deri më tani (Donetsk është 90 për qind i pushtuar), është një situatë e përshtatshme për Putinin. Trump tha se nuk ishte i kënaqur me bombardimin e Kievit, por mbetet të shohim nëse duke ndërprerë sulmet ndaj kryeqytetit, ushtria ruse nuk do të synojë objektiva të tjerë.

Bloomberg raporton se SHBA-ja do t’i kërkojnë Rusisë të pranojë të drejtën e Ukrainës për të pasur ushtrinë e saj dhe industrinë e mbrojtjes. A mund të mjaftojë kjo për t’i bindur ukrainasit të pranojnë propozimin e paqes nga Trump?

Dy muaj më parë, Putini kishte deklaruar se do të pranonte ekzistencën e një ushtrie ukrainase, por ajo s’duhet të ketë më shumë se 80.000 ushtarë dhe disa qindra tanke. Pra duhet të shohim se çfarë do të lejojnë rusët. Tani ushtria ukrainase, përfshirë personelin aktiv dhe rezervistët, arrin rreth 1milion njerëz.

Çmobilizimi i 900 mijë prej tyre, do jetë një problem për shoqërinë ukrainase. Ri-integrimi i tyre në shoqërinë civile nuk do të jetë i lehtë. Ndaj s’do të ishte një zgjidhje e pranueshme për Kievin. Të gjitha këto propozime, si ngrirja e frontit në vijën aktuale, reduktimi drastik i forcave të armatosura me më pak se 1/10, janë në dëm të Kievit. Nëse Putini do të rifillonte luftimet në të ardhmen e afërt, Ukraina do të mbetej e pambrojtur.

Plani i Trump flet për garancitë e sigurisë për Ukrainën, por pa specifikuar se cilat janë ato. Çfarë zgjidhje mendoni se do gjendet?

Trump është shprehur se kontrolli i armëpushimit, duhet të jetë në dorë të disa vendeve evropiane. Pra amerikanët nuk duan të përdorin ushtarët e tyre. Moska nuk dëshiron trupa evropiane në tokën ukrainase, por besoj se nëse pranohen kushtet e Trump, Putini do të jetë në gjendje të lejojë forcat perëndimore që të monitorojnë armëpushimin si vëzhgues.

Ndër lëshimet e pranuara nga Putin, është ai i centralit bërthamor në Zaporizhzhia, i cili do t’u kthehej ukrainasve; mundësia e kalimit në lumin Dnieper; kthimi i territoreve të pushtuara në Kharkiv. A do të ishin arritje të rëndësishme për ukrainasit?

Mendoj se kalimi i lumit është një kusht i pranueshëm për rusët. Sa i përket termocentralit në Zaporizhzhia, ai duhet të vihet nën kontrollin e amerikanëve. Trump po i kërkon Putinit që t’ia lërë Ukrainës, por në fund do ta kontrollojë ai.

Sekretari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Sergej Shoigu, tha për TASS se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të vazhdojnë të angazhohen në bisedime për çështje strategjike si zgjerimi i NATO-s dhe sistemi global i mbrojtjes raketore. Cili është qëllimi?

Në fillim të luftës, Putin e pezulloi traktatin për reduktimin e armëve sulmuese strategjike. Tani të dyja palët do të rishqyrtojnë çështjen e armëve në kuadër marrëveshjes së mundshme të paqes, ashtu si për Arktikun dhe çështje të tjera. Duket se Rusia dhe SHBA-ja duan të krijojnë një raport mbi një bazë më pak konkurruese.

Trump nuk e ka përmendur kurrë Kinën, por vëmendja e tij është e kthyer në atë drejtim. Zgjidhja e problemit të Ukrainës, dhe ndoshta reduktimi i pranisë ushtarake në Evropë me të paktën 10.000 trupa, shërben për t’u shkëputur nga ky front, dhe për t’iu përkushtuar më shumë përballjes me kinezët.

Në cilën pikë janë realisht negociatat për Ukrainën?

Nëse Zelensky nuk e pranon kompromisin që i kanë propozuar Trump dhe Putin, ekziston edhe mundësia që amerikanët të tërhiqen nga këto marrëveshje, duke ia lënë çdo gjë Ukrainës dhe Evropës. Presidenti amerikan ka ende interes që ta arrijë këtë marrëveshje, pasi dëshiron të hyjë në histori si një njeri i paqes. Nga njëra anë, e vendos Ukrainën në një pozitë të keqe, duke thënë se nëse donte Krimenë, duhet të kishte luftuar që në vitin 2014. Nga ana tjetër, duhet të përpiqet të sigurojë disa lëshime të tjera për të.

A nuk ishte shumë i rreptë ultimatumi i Vance (marrëveshje ose largohemi nga negociatat)? A ka vend për negociata mbi draftin e paraqitur?

Në historinë e dekadave të fundit, si me demokratët ashtu edhe me republikanët, Shtetet e Bashkuara kanë braktisur disa çështje, në të cilat nuk kishin më interes të përfshiheshin. Kjo ndodhi me Shahun e Persisë në Iran, në Vietnam dhe Afganistan. Ata mund ta bëjnë edhe tani. Interesi i tyre po përqendrohet gjithnjë e më shumë tek Kina./Në shqip: Pamfleti

ukraina afganistani i radhës shba giogio battisti

Lini një Përgjigje