
Ajo duhet të shndërrohet në një fuqi botërore të vetë-mjaftueshme dhe kjo kërkon një koncept të përbashkët mbi “Evropën”, dhe hedhjen e hapave të nevojshëm për të mishëruar një vullnet politik të vetëm mbikombëtar...
Donald Trump po dëshmohet të jetë shumë efikas në procesin e vetë-shkatërrimit. Vetëm pak muaj në presidencën e tij të dytë, ai tashmë ka shkatërruar aleancën transatlantike midis Amerikës së Veriut dhe Evropës demokratike. Duke nisur luftëra tregtare kundër aleatëve të SHBA-së dhe hedhur dyshime mbi garancinë amerikane të sigurisë së Evropës, ai e ka shkatërruar edhe besimin tek Shtetet e Bashkuara për të paktën një brez.
Roli i Amerikës në botë po zbehet me shpejtësi. Tashmë fjala e administratës Trump është krejtësisht e pavlefshme, siç tregohet nga tradhtia e saj ndaj Ukrainës, e cila vazhdon të luftojë për liri, demokraci dhe vlera të tjera thelbësore perëndimore. Që tani e tutje, Evropa do të jetë e vetme në përballjen me fqinjen e saj agresive e perandorake, Rusinë.
Nëse nuk dëshiron që të ketë të njëjtin fat si Ukraina, ajo duhet t’i përgjigjet pa vonesë disa pyetjeve të ngutshme. Tërheqja e Amerikës nga roli i saj si fuqia globale kryesore, e cila ruajti rendin dhe garantoi tregtinë e lirë, do të çojë në krijimin e një rendi të ri botëror.
Dhe ai nuk do të sillet rreth fuqisë amerikane, por rreth rivalitetit midis shteteve të mëdha të pajisura me armë bërthamore. Siç po e tregon tashmë sjellja e Rusisë, ata që e kanë këtë bombë nuk do të shmangin shantazhin ndaj atyre që nuk e kanë.
Rendi i bazuar në rregulla, është tashmë një gjë e së kaluarës. Tani e tutje, rendi botëror do të funksionojë sipas tekave të pushtetit, ose mund të mos funksionojë fare. Në këtë skenar, Evropa ka kartat më të këqija të mundshme, sepse ajo nuk është një fuqi globale “e vërtetë”, në kuptimin që nuk është një fuqi ushtarake e aftë të mbrojë veten.
Struktura politike evropiane aktuale - e përbërë nga shtetet kombëtare të vogla dhe të mesme - është e paaftë që të përballet siç duhet me kërcënimet aktuale. Ajo që i bashkon tani evropianët, është mbi të gjitha një fat i përbashkët, i lindur nga një situatë e dëshpëruar.
A do të bëhen bashkë më në fund evropianët? A aspirojnë ata të bëhen një fuqi e vërtetë? Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve, do të përcaktojnë të ardhmen e kontinentit dhe qindra miliona qytetarëve. Aktualisht, zgjedhja e evropianëve është mes lirisë dhe nënshtrimit.
Por mbetet e paqartë nëse evropianët kanë ende guximin për të konfirmuar sovranitetin dhe pavarësinë e tyre në çështjet e sigurisë. Administrata Trump nuk po vë në pikëpyetje vetëm sigurinë ushtarake të Evropës. Ajo po hedh dyshime edhe mbi tregtinë globale që mbështet ekonominë evropiane.
Evropa nuk ka më luksin të jetë e varur teknologjikisht nga fuqitë e mëdha jo-evropiane, sidomos në epokën e re të Inteligjencës Artificiale. E njëjta gjë vlen edhe për varësinë nga lëndët e para, pasi ato mund të dëmtojnë shumë shpejt sektorët e tjerë dhe të rrezikojnë sigurinë kombëtare ose rajonale.
Evropianët duhet të identifikojnë të gjitha fushat, ku ata mbështeteshin deri dje tek Amerika dhe të investojnë në vetë-mjaftueshmërinë e tyre. “Sovraniteti evropian” duhet të arrihet tani ose kurrë. Pas dy luftërave botërore shkatërruese të shekullit XX, bërthama e Evropës - duke filluar nga Franca dhe Gjermania - arriti të arrijë një ekuilibër interesash dhe njëfarë solidariteti.
Por Evropa nuk e hodhi asnjëherë hapin vendimtar drejt mishërimit të një vullneti të përbashkët politik. Egoizmi kombëtar, doli të ishte gjithmonë më i fortë, edhe sepse ombrella e sigurisë që ofronte prania e Amerikës Evropës, e zbuti nevojën për të. Por tani kjo nevojë është më e dukshme.
Evropianët duhet të hedhin hapin e fundit që brezat e mëparshme, gjetën gjithmonë mënyra për ta shmangur. Charles de Gaulle, shpëtimtari i Francës në orën e saj më të errët - kur vendi u përball me disfatën ushtarake nga Gjermania naziste - dhe modernizuesi i saj i madh gjatë viteve 1960, i hapi kujtimet e tij me këto rreshta të paharrueshëm: “Gjatë gjithë jetës sime, kam pasur një ide të caktuar për Francën. Ajo frymëzohej sa nga ndjenja, po aq edhe nga arsyeja”.
Në vitin 1940, ai kishte qenë një gjeneral i panjohur, duke transmetuar mesazhe shprese dhe duke nxitur rezistencën e vazhdueshme në Francën e pushtuar, me zërin e tij të vetmuar nga mërgimi ku ndodhej në Londër. Ideja e tij ishte e pathyeshme dhe përfundimisht fitimtare.
Evropa bashkëkohore, ka shumë për të mësuar nga shembulli i De Gaulle. U pëlqen apo jo, evropianët ose duhet të mësojnë të jetojnë me rreziqe të pakontrollueshme të sigurisë ose të bëhen “Gaullistë”. Nuk ka një rrugë të tretë.
Tani, më shumë se kurrë, na duhet një bërthamë e fortë ideologjike: një ide e përbashkët e Evropës si një kontinent lirie, i të drejtave të njeriut, solidaritetit dhe shtetit të së drejtës. Evropa duhet të mbetet bastioni i planetit i përparimit dhe i mirësjelljes themelore. Këto vlera mund të ruhen vetëm nëse veprojmë si një popull i vetëm, për t’u bërë një fuqi e vërtetë botërore./Në shqip: Pamfleti
Shënim: Joschka Fischer, Ministër i Jashtëm i Gjermanisë dhe zëvendëskancelar në vitet 1998- 2005.
Lini një Përgjigje