TAGS-AT E JAVËS

Forum26 Prill 2025, 11:31

A është çmendur Donald Trump apo Amerika po e zgjedh autoritarizmin?

Shkruar nga Gilberto Corbellini
A është çmendur Donald Trump apo Amerika po e zgjedh
Donald Trump /

Vendimet kontroverse të Donald Trump në mandatin e tij të dytë nuk janë as të çmendura, as të pakuptimta, por përgjigje të natyrshme ndaj instinkteve konservatore që shumica e njerëzve mbajnë të fshehura. Në një kohë kur frika, anti-intelektualizmi dhe polarizimi janë shtuar, Trump nuk po bën gjë tjetër veçse po shfrytëzon prirjet e errëta të natyrës sonë të pare, ajo që na shoqëron që nga kohët primitive, për të krijuar një elektorat autoritar dhe një Amerikë që nuk e njohim më...

Habia e përgjithshme ndaj vendimeve që po merr Donald Trump në mandatin e tij të dytë është disi e tepruar. Shumë njerëz e cilësojnë atë si të çmendur apo të papërgjegjshëm, duke pretenduar se politikat e tij janë të dëmshme dhe pa kuptim. Sigurisht, Trump ka një personalitet të spikatur sociopatik, që përfshin narcizizëm, makiavelizëm dhe mungesë empatie. Por në fakt, vendimet e tij nuk janë aspak të pashpjegueshme. Ato janë shumë "të natyrshme".

Veprimet e Trump-it janë të bazuara në intuitën instinktive të një shoqërie që ndihet e kërcënuar nga kaosi moral dhe social. Ato janë përgjigje të drejtpërdrejta ndaj pritshmërive të njerëzve të zakonshëm, që ende reagojnë sipas natyrës së tyre të pare, ajo natyrë që lidhet me instinktet e mbijetesës, dhe që ka mbetur në pjesën më të madhe e pandryshuar që nga epoka e Pleistocenit.

Dikur, në mjedisin e përshtatjes së hershme njerëzore, këto instinkte ishin të dobishme dhe thellësisht të nevojshme. Por sot, në një kontekst modern dhe të ndërlikuar, intuitat tona natyrale shpesh bëhen të dëmshme. Kjo është arsyeja pse zhvillimi i një natyre të dytë njerëzore, e bazuar në dije, kulturë dhe mendim kritik, është thelbësor për të menaxhuar ndryshimet e botës moderne.

Nëse kjo natyrë e dytë nuk arrin të ngulitet mjaftueshëm në shoqëri, njerëzit do të vazhdojnë të tërhiqen nga liderë si Trump, të cilët shfrytëzojnë pikërisht frikën dhe instinktet primitive. Trump nuk është një anomali, por reflektimi i një shoqërie që po humbet besimin te arsimi, shkenca, dhe institucionet demokratike.

Shumica e njerëzve që mbështesin Trump-in nuk e bëjnë këtë në mënyrë racionale apo logjike, por sepse identifikohen instinktivisht me qëndrimet e tij. Ata nuk lexojnë gazetat e mëdha dhe as nuk besojnë tek elitat e arsimuara apo intelektuale. Mediat konservatore janë më afër ndjesive të tyre të brendshme dhe i manipulojnë këto ndjenja për qëllime politike dhe pushteti.

Psikologët socialë dhe neuropsikologët konfirmojnë se shumica e njerëzve mbajnë brenda tyre një prirje natyrore drejt konservatorizmit, i cili në vetvete nuk është domosdoshmërisht negativ. Problemi lind kur konservatorizmi bëhet fondamentalist, autoritar dhe joliberal, tiparet kryesore që Trump po nxit sot në Amerikë.

Trump nuk është një konservator klasik, por një autoritar që po përdor polarizimin dhe kaosin për të fituar pushtet absolut. Strategjia e tij është e qartë: sulm ndaj arsimit universitar, sulm ndaj mediave, ekspansionizëm ekonomik, kontroll mbi sistemin gjyqësor dhe promovim i vlerave tradicionale fondamentaliste. Të gjitha këto janë të qëllimshme dhe përshtaten me logjikën e natyrës njerëzore primitive, e cila priret të jetë proteksioniste dhe lokaliste, duke mos i besuar globalizimit dhe hapjes.

Në Amerikën e Trump-it, tarifat dhe politikat ekonomike nuk janë lëvizje rastësore, por reagime instinktive që shfrytëzojnë frikën nga globalizimi dhe pasiguritë ekonomike. Kjo ndodh sepse shumica e njerëzve nuk janë evolucionarisht të pajisur për të vlerësuar tregtinë ndërkombëtare si lojë me përfitim të ndërsjellë, por e shohin atë si kërcënim ndaj identitetit dhe mirëqenies personale.

Kërkimet tregojnë se polarizimi politik në SHBA është pasojë e këtyre tipareve psikologjike. Konservatorët karakterizohen nga një ndërgjegjshmëri e lartë dhe hapje e ulët ndaj përvojave të reja, ndërsa progresistët e kundërta. Trump ka rigjallëruar një elektorat të ndjeshëm ndaj këtyre instinkteve, dhe kjo i ka siguruar atij mbështetje të vazhdueshme.

Në fund, fenomeni Trump nuk është një çmenduri, por një përputhje me natyrën tonë të parë, një kthim në instinktet primitive që ne ende i mbartim. Sfida është nëse shoqëria mund të zhvillojë më tej natyrën e saj të dytë, atë të kulturës dhe arsimit, për të shmangur që liderë autoritarë si Trump të dominojnë skenën politike dhe jetën tonë sociale.

Nëse kjo nuk ndodh, atëherë shoqëria do të vazhdojë të jetë e ekspozuar ndaj populistëve autoritarë, duke u rikthyer kështu në një epokë ku instinktet e natyrës së parë dominonin mbi çdo lloj mendimi racional dhe të lirë. Kjo është Amerika që Trump po ndërton. Një Amerikë që nuk është aspak çmenduri, por një Amerikë natyrshëm primitive./Në shqip: Pamfleti

donald trump i çmendur amerika autoritarizmin

Lini një Përgjigje