E shkatërron atë që prek, e shndërron në ar atë që e lufton, rigjallëron kundërshtarët dhe i vë në vështirësi aleatët e tij. Nga Bitcoin, Nasdaq tek Starmer dhe Tesla. Pasojat e papritura të Trumpizmit, përveç braktisjes së Kievit...
Ndoshta të gjithë e njihni legjendën e Mbretit Mida. Veçantia e njërit prej djemve të Zeusit në mitologjinë e lashtë greke, lidhej me prekjen e tij proverbiale: gjithçka që ai afrohej shndërrohej me magji në ar.
Në fazën historike në të cilën gjendemi sot, e cila në mënyrën e vet paraqet disa tipare mitologjie por edhe mitomanie, të gjesh një Mbret Mida nuk është e lehtë. Por të gjesh saktësisht të kundërtën e tij nuk është dhe aq e vështirë. Dhe një i tillë sot në skenën ndërkombëtare është Donald Trump.
Legjenda thotë se Mbreti Mida e kthente në ar gjithçka që prekte. Mediat raportojnë se Mbreti Trump, shndërron në rrënoja gjithçka që përqafon, duke e kthyer në ar gjithçka që ai refuzon, gjithçka që sfidon dhe gjithçka që lufton.
Natyrisht, historia më e njohur ka të bëjë me tregun e aksioneve. Trump u premtoi votuesve se presidenca e tij e dytë do ta katapultonte menjëherë ekonominë amerikane në një epokë të re të artë. Por qëkur u rikthye në pushtet, nuk është ekonomia amerikane ajo që po përjeton një tranzicion të artë, por ajo evropiane, e kërcënuar fort nga Trump me tarifa (për momentin vetëm të shpallura).
Që kur Trump ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë, bursat evropiane kanë fituar 15 për qind, ndërsa tregu amerikan i aksioneve, Nasdaq, ka humbur 15 për qind. Dhe një fat edhe më të keq deri më tani, ka pasur kompania më e famshme e krahut të tij të djathtë, Tesla e Elon Musk, që ka pësuar një rënie prej 43.4 për qind që nga 20 janari.
E njëjta gjë mund të thuhet për Bitcoin, ku sërish Trump kishte premtuar një epokë të re të artë. Madje ai kishte hedhur në treg njw bitcoin me emrin e gruas, Melani. Rezultati: 20 janar, ditën e inaugurimit, Bitcoin arriti vlerën rekord 109.356 dollarë.
Pas atij piku, tregu pësoi një rënie të ndjeshme. Në shkurt, çmimi i Bitcoin ra me 17.66 për qind, duke arritur nivelin më të ulët, 78.197 dollarë. Por të qenit Mbreti Mida, por në kahun e kundërt nuk ka të bëjë vetëm me fushën ekonomike, por më shumë me atë politike.
Që kur Trump është futur në Shtëpinë e Bardhë, kundërshtarët e tij politikë janë ripërtërirë, dhe objektivat e tij taktikë kanë nxitur tek rivalët energji të reja për t’i kundërvënë. Evropa që Trumpi donte ta dobësonte dhe përçante, është bashkuar papritur, dhe për çështjet e mbrojtjes ka afruar pozicionet edhe me ata që tani janë jashtë Bashkimit Evropian, si Britani e Madhe dhe Norvegjia.
Në Gjermani, kancelari i pritshëm i CDU-së, Friedrich Merz, fitoi zgjedhjet me një axhendë anti-Trump dhe anti-Musk. Në Francë, presidenti francez Emmanuel Macron, në vështirësi të mëdha para ardhjes së Trump, është tani në qendër të skenës duke gjetur hapësirë të re për veprim.
Në Britaninë e Madhe, para ardhjes së Trump, edhe kryeministri Keir Starmer kaloi muaj të vështirë, gati dramatikë. Por që kur po ndjek një axhendë të ashpër anti-trumpiane në raport me Ukrainën, popullariteti i tij është përmirësuar, madje edhe kundërshtarët e tij e po e vlerësojnë.
Të njëjtat vende që Trump kërcënoi me tarifa (Meksika), apo me aneksimin e mundshëm (Kanadaja dhe Grenlanda), u sollën ndryshe nga sa priste Trump. Që kur Meksika u kërcënua, presidentja meksikane Claudia Sheinbaum është rritur në sondazhe në nivelin rekord 85 për qind.
Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në sheshin kryesor të kryeqytetit për të festuar shtyrjen nga SHBA të tarifave për shumë prej produkteve meksikane. Edhe në Kanada, liberalët e Trudeau, të udhëhequr tashmë nga Mark Carney, rikuperuan 10 për qind në sondazhe pas agresionit të Trump.
Madje edhe udhëheqësi i Partisë Konservatore, më pranë Trump, u detyrua të mbante një qëndrim kundër presidentit amerikan, për të mos humbur mbështetjen në vend. Edhe në Grenlandë, Trump ka pasur një efekt të kundërt. Pesë nga gjashtë partitë kryesore politike në ishull mbështesin pavarësinë nga Danimarka, por 85 për qind e grenlandezëve kundërshtojnë aneksimin nga Shtetet e Bashkuara.
Ai gjeneroi një efekt të ngjashëm edhe midis ndjekësve të tij në Evropë. Mbështetja e fortë e Musk për AFD nuk dha asnjë rezultat. Ndërsa hyrja e Trump në Shtëpinë e Bardhë ka bërë që partitë pro-evropiane në Austri të organizohen për të krijuar një qeveri anti-ekstremiste, presidenti argjentinas Javier Milei u detyrua të hiqte dorë nga mbrojtja e Ukrainës, duke votuar në OKB kundër rezolutës që rikujtoi faktin se ishin rusët, ata që e sulmuan Ukrainën.
Ndërkohë në Itali, Giorgia Meloni është gjendur edhe më në vështirësi pas sulmit ndaj punës së një ministri të qeverisë së saj (Piantedosi kundër Stroppa-s), debatit mbi satelitët e Starlind (që e kanë futur në sherr partinë e saj), nga sulmet e Salvinit ndaj një aleati të pashmangshëm të Melonit (Macron), dhe nga një qeveri e ndarë në lidhje me mbrojtjen e Evropës dhe riarmatosjen e saj (Salvini është kundër, Meloni pro), kërcënimit të tarifave të Trump, që ka zemëruar dhe shqetësuar kompanitë prodhuese italiane.
Do të donim të thoshin të njëjtën gjë për Ukrainën, mbrojtja e së cilës është bërë e sakrifikueshme në “altarin” e strategjisë së afrimit diplomatik me Rusinë, që kur Trump mbërriti në Shtëpinë e Bardhë. Në fakt, këtu “prekja midiane” e Trump ka pasur dy efekte.
Nga njëra anë, e ka lejuar Evropën të grupohet rreth Zelenskyt, pikërisht në kohën kur ky po keqtrajtohej nga Trump. Por nga ana tjetër, e ka kthyer në ”ar” ofensivën e Putinit, teksa është dyfishuar intensiteti i sulmeve ruse me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës.
Do të donim të mendonim se edhe ky është një efekt i pavullnetshëm i Mbretit Mida amerikan. Por ideja se veprimi i tij diplomatik, mund ta kthejë putinizmin në ar, nuk është ndoshta një nga efektet e paqëllimshme të gjeneruara nga një Mbret i kundërt me mitikun Mida që quhet Donald Trump./Përshtati Pamfleti nga “Il Foglio”
Lini një Përgjigje