Presidenti amerikan ndodhet përballë dështimit të strategjisë së presionit maksimal. Tërheqja e menjëhershme mbetet e vetmja rrugë për të shmangur një katastrofë diplomatike dhe ushtarake edhe më të rëndë...
Presidenti amerikan gjendet tani në një rrugë pa krye, ku e vetmja gjë që mund të bëjë është të zgjedhë dëmin më të vogël. Domethënë, të shpallë fitoren dhe ta mbyllë me aq, edhe pse kjo në fakt do të thotë të përballet me një Iran më mendjemadh, më të egërsuar dhe që kontrollon Ngushticën e Hormuzit.
Ky është mendimi i Ian Bremmer, politologut dhe ekspertit të njohur të marrëdhënieve ndërkombëtare që drejton edhe Eurasia Group. Sipas tij, me kërcënimet e vazhdueshme apokaliptike dhe me tërheqjet që e kanë pasuar, Trump e ka humbur besueshmërinë dhe nuk po merret aq seriozisht nga Teherani.
A ka Trump më shumë nevojë për negociata sesa iranianët?
Për momentin, refuzimi i Teheranit nuk duhet marrë si i mirëqenë. Duhet pasur parasysh se ekziston një prirje e caktuar për të fituar pikë në negociata nga të dyja palët. Për shembull, edhe gjatë raundit të parë të negociatave, fillimisht iranianët thanë se armëpushimi në Liban ishte parakusht për t'u ulur në tryezë, por më pas shkuan në Islamabad edhe pa e arritur atë.
Me pak fjalë, tani ata po ngrenë zërin për të përcjellë mesazhin se nuk ndiejnë ndonjë nevojë dëshpëruese për të negociuar, por kjo nuk do të thotë se nuk duan ta bëjnë. Sidoqoftë, është e qartë se ata nuk i marrin seriozisht kërcënimet e Trumpit.
Pse po ndodh kjo?
Sepse është hera e pestë që Trump kërcënon se do ta shkatërrojë Iranin nëse nuk pranon një marrëveshje. Deri më tani, në çdo rast të vetëm, ai është tërhequr, prandaj edhe e ka humbur besueshmërinë.
A ndihen Ajatollahët të fortë pikërisht për këtë arsye?
Së pari, le të kujtojmë se po flasim për një teokraci që vepron jo vetëm nga instinkti i vetëruajtjes, por edhe mbi bazën e elementeve iracionale, si martirizimi dhe hakmarrja. Po ashtu, po flasim për një qeveri që në janar nuk e pati fare problem të masakronte mijëra qytetarë të saj dhe që tani nuk e ka problem t’i shohë ata të vdesin nën bomba. Pra, nuk mund të racionojmë vetëm në terma force dhe pushteti. Thënë kjo, iranianët kanë një avantazh.
Cilin?
Ata e kuptojnë shumë mirë atë që ndodh në Amerikë. Trump është në një vend ku ekzistojnë New York Times dhe Wall Street Journal, të cilat shpesh publikojnë informacione të fshehta mbi ato që ndodhin brenda qeverisë. Nga ana tjetër, amerikanët nuk kanë një ide të qartë se çfarë dëshiron regjimi iranian. Ne nuk jemi të sigurt as se kush komandon vërtet në Teheran.
Çfarë mund të bëjë tani presidenti amerikan?
E vetmja gjë që mund të bëjë është të shpallë fitoren dhe ta ndalojë luftën, menjëherë.
Nga burojnë llogaritjet e tij të gabuara?
Trump ka dy mënyra veprimi. I ashtuquajturi FAFO (shkurtesë për Fuck Around and Find Out - pra krijo kaos dhe pastaj prit të shohësh si do të shkojnë gjërat) dhe TACO (Trump Always Chickens Out - Donald tërhiqet sa herë që punët shkojnë keq). Në rastin e parë ai tenton të fitojë, ndërsa në të dytin të humbasë.
Në fakt, nëse ai ndalet tani, kjo do të ishte një humbje. Sidomos nëse Teherani mban kontrollin mbi Hormuzin...
Ky do të ishte dëmi më i vogël. Sepse çdo ditë që kjo luftë vazhdon, i përkeqëson gjërat.
Shumë vende evropiane, arabe dhe aziatike kanë frikë pikërisht nga ky skenar, pra që Trump të tërhiqet, duke i lënë ata të mbledhin thërrimet, me një ngushticë në duart e Pasdaranëve...
Është një shqetësim i ligjshëm. Por edhe për ta ky do të ishte dëmi më i vogël. Në fillim, vende të ndryshme do të detyrohen të negociojnë me Teheranin kalimin në Ngushticën e Hormuzit, qoftë edhe me një çmim të lartë.
Ndërsa në planin afatgjatë, qëllimi do të jetë gjetja e një mënyre për të anashkaluar ngushticën. Nuk është një perspektivë ideale, por alternativa është edhe më e keqe. Lufta duhet të përfundojë./Pamfleti nga “Corriere della Sera”
Trump eshte nje qe, luan lolon i komanduar nga oligarkia e larte, qe te fitoje per portofolin e tij. Me e madhja eshte se i ka hapur vehtes telashe me pislleqet qe ka bere e mund ta cojne ne esfel. Njerezimi gjithnje ka paguar shtrenjte marrine e te marrit.