TAGS-AT E JAVËS

Forum29 Tetor 2025, 18:42

Transparenca e munguar e BE-së në Shqipëri, rasti Hans Kijlstra dhe hijet mbi procesin e vettingut

Shkruar nga Arben Llangozi

Transparenca e munguar e BE-së në Shqipëri, rasti Hans Kijlstra

Nëse BE-ja kërkon të ruajë besueshmërinë e reformës që vetë ka mbështetur financiarisht dhe politikisht, ajo duhet t’i japë llogari publikut shqiptar.

Ambasada e Bashkimit Europian në Tiranë publikoi së fundmi një deklaratë zyrtare, ku rikujtoi se procesi i rivlerësimit (vettingut) mbetet shtylla kurrizore e reformës në drejtësi dhe një element kyç për rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.

Ambasadori Silvio Gonzato, gjatë vizitës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, u takua me kryetarin Sokol Çomo, duke theksuar se të gjitha proceset e vettingut duhet të përmbyllen përpara qershorit 2026, datë që shënon fundin e mandatit kushtetues të institucioneve të vettingut.

Në deklaratë, BE nënvizon mbështetjen e fortë për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) dhe dënon ashpër “sulmet dhe dezinformimin e pajustifikuar” ndaj vëzhguesve të tij ndërkombëtarë. Por ndërkohë që Brukseli kërkon respekt dhe besim për këtë proces, publiku shqiptar pret një transparencë të munguar, pse u largua nga Shqipëria një nga figurat kyçe të ONM-së, zoti Hans Kijlstra?

Kijlstra ishte ndër përfaqësuesit më aktivë në ndjekjen e procesit të vettingut, një emër i njohur për rolin e tij në monitorimin e institucioneve shqiptare të drejtësisë. Largimi i tij i papritur, pa një njoftim zyrtar apo shpjegim publik, ka hapur rrugë për dyshime, thashetheme dhe pyetje të cilave askush nuk po u jep përgjigje.

Në një kohë kur çdo detaj i jetës së gjyqtarëve dhe prokurorëve kalon në sitën e vettingut, a nuk duhet që edhe përfaqësuesit e ONM-së të jenë subjekt i së njëjtës transparencë e integritet?

Publiku ka dëgjuar zëra për afera personale, marrëdhënie të papërshtatshme apo edhe shkelje të normave diplomatike që, nëse janë të vërteta, nuk mund të fshihen nën petkun e “sekretit ndërkombëtar”. Ndërsa nëse këto zëra janë të pavërteta, atëherë ambasada dhe ONM kanë detyrimin moral të sqarojnë publikun për të mbrojtur reputacionin e procesit dhe për të mos lejuar që hijet të bien mbi reformën që vetë BE e quan “shtylla kurrizore e drejtësisë shqiptare”.

Në Shqipëri, reforma në drejtësi është prezantuar si garanci për pastërtinë morale dhe profesionale të institucioneve, por çdo heshtje, çdo shmangie nga transparenca, dëmton thelbin e saj. Qytetarët shqiptarë nuk kërkojnë më slogane, por të vërteta. Ata duan të dinë pse Hans Kijlstra u largua, nëse u largua me dëshirë apo u largua i detyruar dhe mbi të gjitha, nëse arsyeja lidhet me shkelje etike apo profesionale.

Nëse BE-ja kërkon të ruajë besueshmërinë e reformës që vetë ka mbështetur financiarisht dhe politikisht, ajo duhet t’i japë llogari publikut shqiptar. Sepse nëse drejtësia kërkon dritë, nuk mund të pranojmë që një pjesë e saj të fshihet pas errësirës së heshtjes diplomatike.

Në fund, reforma në drejtësi nuk mund të ketë standarde të dyfishta, një për shqiptarët dhe një tjetër për ndërkombëtarët. Nëse kërkohet llogari dhe transparencë për gjyqtarët shqiptarë, po e njëjta kërkesë duhet të vlejë edhe për ata që i monitorojnë. Vetëm kështu procesi i vettingut do të ketë integritet të plotë dhe do të meritojë besimin e popullit shqiptar.

Sa për reformën në drejtësi, ajo tashmë ka prodhuar jo besim, por arrogancë, përçmim ndaj qytetarëve dhe padrejtësi të reja nën petkun e ligjit. Proceset zvarriten me vite, të drejtat themelore për një gjykim të rregullt ligjor shkelën çdo ditë, ndërsa qytetarët ndihen gjithnjë e më të përjashtuar nga një sistem që duhej të ishte në shërbim të tyre.

Në vend që të sillte drejtësi dhe barazi, reforma është kthyer në një makineri burokratike, që shpesh favorizon të pushtetshmit dhe ndëshkon të pambrojturit, duke e bërë drejtësinë shqiptare më të ftohtë, më të largët dhe më pak humane se kurrë më parë.

1 Komente

  1. Y
    Ylberi ose ish piramida , selia e dylbereve

    Nuk ka me keq se kur beson qe mund te flases per gjithshka dhe e verteta eshte qe je nje gjysmak . E kam fjalen per kete sharlatanin avokat.

    Lini një Përgjigje

    Forum