TAGS-AT E JAVËS

Forum16 Tetor 2025, 19:03

Skenari që Kushtetuesja tani “t’i kënaqë të gjithë”

Shkruar nga Mero Baze

Skenari që Kushtetuesja tani “t’i kënaqë të

Përballë këtij presioni të dy institucioneve të larta të shtetit shqiptar, Gjykata Kushtetuese do ta ketë të vështirë të qëndrojë e bashkuar, jo nga frika politike, por nga interesat e vogla që menaxhojnë plotësimin e vendeve bosh në sistemin e drejtësisë...

Pas parashtrimeve të Presidentit dhe Kryeministrisë për çështjen e shkarkimit të Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese, është e qartë që qeveria dhe Presidenti konsiderojnë gabim që Gjykata Kushtetuese ka pezulluar zbatimin e dekretit për zgjedhje, duke e konsideruar tejkalim të kompetencave të Gjykatës, pasi sipas tyre ndaj dekretit për zgjedhje duhet që palët të ankohen në Gjykatën Administrative.
Por Gjykata Kushtetuese e ka lidhur dekretimin e zgjedhjeve me vendimin e qeverisë për shkarkimin e Veliajt që shkaktoi vakancën për zgjedhje, dhe ky është një interpretim paraprak thelbësor i gjykatës në këtë çështje.

Për këtë arsye, të dy parashtrimet në Gjykatën Kushtetuese, si ai i qeverisë dhe ai i Presidentit, përpiqen të godasin pikërisht këtë interpretim të Gjykatës Kushtetuese. Tonet e pazakonta të letrës së Presidentit drejtuar Gjykatës Kushtetuese bazohen pikërisht te fakti pse e kanë ngatërruar atë me VKM-në e qeverisë, ndërsa arsyetimet e qeverisë shkëpusin rolin e saj në këtë çështje, duke thënë se thjesht kanë formalizuar vendimin e Këshillit Bashkiak.

Pra, gjithë beteja është që Gjykata Kushtetuese të bëjë hap mbrapa nga vendimi unanim i pezullimit të zgjedhjeve, që bazohej pikërisht te ndërlidhja e kërkesës së qeverisë për Presidentin Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë, pas vendimit të Këshillit Bashkiak.

Përballë këtij presioni të dy institucioneve të larta të shtetit shqiptar, Gjykata Kushtetuese do ta ketë të vështirë të qëndrojë e bashkuar, jo nga frika politike, por nga interesat e vogla që menaxhojnë plotësimin e vendeve bosh në sistemin e drejtësisë.

Skenari profesional që shkon në të njëjtën gjatësi vale me vendimin e parë është që, po me unanimitet, të konsiderohet antikushtetues shkarkimi i Veliajt, duke ruajtur në këtë rast nderin e Gjykatës Kushtetuese, pas gjithë këtyre “betejave të vogla” që vënë në dyshim integritetin profesional të saj përballë presioneve politike.
Por për këtë nuk vë më bast askush.

Skenari i dytë do të jetë mbetja me tetë anëtarë e Gjykatës Kushtetuese, ku votat ndahen katër me katër dhe kështu nuk ka vendim, çka do të thotë se shkarkimi i Veliajt mbetet në fuqi, pasi nuk hidhet poshtë nga Gjykata dhe vazhdon procesi zgjedhor.

Skenari i tretë, që mund t’i “kënaqë” të gjithë, është që Presidenti të plotësojë vakancën e Olta Zaçes me gjyqtarin Asim Vokshi, por ky i fundit të mos ketë kohë të bëjë betimin, dhe si rrjedhojë të mbeten 7 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese deri më 31 tetor. Pas kësaj, nëse palët ndahen, mund të shkohet në një vendim 4 me 3 në favor të Veliajt, pra me shumicë votash të fitojë moralisht mosshkarkimi i tij, por kjo quhet e pamjaftueshme, pasi duhen 5 vota.
Kështu, Gjykata Kushtetuese ruan “nderin” për precedentë të tjerë në të ardhmen, Veliaj humbet mandatin dhe vazhdon betejën në Strasburg, ndërsa qeveria vazhdon zgjedhjet.

Ky skenar i fundit “kënaq” të gjitha palët, por jo dinjitetin e Gjykatës Kushtetuese.
Por për atë duket se as vetë Gjykata Kushtetuese nuk ka shumë nevojë

Lini një Përgjigje