TAGS-AT E JAVËS

Forum20 Qershor 2024, 10:56

Si po e përdor Irani mafien evropiane për të vrarë kundërshtarët e tij politikë

Shkruar nga Larisa Brown

 

Si po e përdor Irani mafien evropiane për të vrarë
Alejo Vidal-Quadras /

Si një “person i marrë nën mbrojtje dhe shumë i rrezikuar për jetën”, Alejo Vidal-Quadras ruhet nga disa oficerë të Policisë Metropolitane në suitën e hotelit në Londër ku edhe takohemi. Por është bashkëshortja e tij, Amparo, ajo që e bën të ndihet i sigurt.

“Fakti që unë udhëtoj bashkë me gruan time është shumë i nevojshëm”- më thotë 79-vjeçari, duke shtuar se qëkur ishte në shënjestër të një atentati disa muaj më parë, Amparo ka qenë pranë tij gjatë të gjitha udhëtimeve të tij ndërkombëtare. Vizita e tij 2-ditore në Londër është e rëndësishme, pasi do të takojë disa parlamentarë dhe “miqtë e tij të rezistencës iraniane” për të diskutuar mbi rastin e tij.

Një ekip sigurie e takoi sapo zbriti në aeroport. “Unë nuk e di nëse jam duke u vëzhguar tani nga regjimi iranian. Më mbrojnë, sepse ky regjim terrorist duhet të jetë shumë i zhgënjyer që nuk u vrava. Dhe askush nuk e di nëse mund ai ta provojë sërish, apo jo?”- thekson ai.

Anëtarët e tjerë të opozitës iraniane qëndrojnë në heshtje në dhomë, pasi duket se po mendojnë për mundësinë e një atentati të dytë. Vidal-Quadras, një mbështetës i vjetër i opozitës iraniane, flet me një zë të vrullshëm, sepse plumbi që i çau anën e djathtë të nofullës, ishte aq i nxehtë sa i përcëlloi fytin.

Ai më kërkon të flas ngadalë dhe me zë të lartë, pasi si pasojë e atentatit ka humbur edhe 40 për qind të dëgjimit. Gjithsesi, duket jashtëzakonisht mirë, po të mendosh se u vendos në një koma të induktuar pas operacionit që i rindërtoi fytyrën e dëmtuar. Tani disa pllaka metalike mbajnë nofullën së bashku.

Amparo bën një listë të të arrestuarve apo të kërkuarve në lidhje me sulmin, ndërsa herë pas here i pëshpërit në vesh burrit të saj. Ata kanë tre fëmijë - dy vajza, një djalë - ku më i vogli është 20 vjeç. Bëjmë shaka nëse ajo është e stërvitur në artet marciale, por pjesa tjetër e bisedës është serioze.

Ajo përfshin një operacion shumë të sofistikuar spiunazhi, një bandë famëkeqe marokene që po bën aktualisht kërdinë në të gjithë Evropën, dhe një njeri që ata e quajnë një “vrasës të lindur”.

Vidal-Quadras beson se ishte Irani që vendosi ta vriste atë më 9 nëntor të vitit të kaluar, teksa po kthehej në shtëpi nga një shëtitje në park afër drekës.

Ai ishte 30 metra larg banesës së tij në lagjen e pasur Salamanca - e njohur për futbollistët dhe të famshmit e saj - në qendër të Madridit kur një burrë i thirri “Përshëndetje, i madh!”- duke e bërë atë të kthehej nga ai. U qëllua menjëherë nga një distancë e afërt me një pistoletë Parabellum të kalibrit 9 mm, e quajtur kështu sipas frazës latine “Si vis pacem, para belluz” (Nëse doni paqe, përgatituni për luftën”.

Plumbi i thyen nofullën, i prekur qafën dhe i rrezikoi trurin. “Policia më tha se qëllimi ishte të më qëllonin në qafë. Sepse ka dy të shtëna vdekjeprurëse: njëra në kokë dhe tjetra në qafë. Pastaj ndodhi mrekullia”- rrëfen ai. Plumbi e shpoi në qafë, dhe në vend të kokës kaloi nëpër nofull. Gjaku i tij spërkati trotuarin.

Një kalimtar hoqi me shpejtësi xhaketën, të cilën e përdori për t’ia ndalur gjakderdhjen. “Nëse do të kisha qenë vetëm, do të kisha vdekur për shkak të hemoragjisë”- thotë Vidal-Quadras. Vrasësi, i përshkruar nga dëshmitarët okularë si një i ri, rreth 1.75 metra i gjatë, i veshur me xhinse dhe një xhaketë blu, u largua me shpejtësi me një motor skuter.

Dy orë më vonë, në orën 15:39, mbetjet e djegura të motorit u gjetën në një zonë industriale gjysmë ore larg vendit të atentatit. Policia arriti gjithsesi t’ia marrë targat. Pesë persona janë arrestuar deri tani si pjesë e hetimit. Por i dyshuari kryesor - Mehrez Ayari, një shtetas francez 37-vjeçar me origjinë tuniziane, që ka disa dënime të mëparshme në Francë - mbetet ende i lirë.

Një kërkim ndërkombëtar është duke u zhvilluar për të në Libi, Tunizi dhe Marok. Ky zinxhir ngjarjesh nisi që në vitin 1999 kur Vidal-Quadras mbërriti në Parlamentin Evropian si anëtar i Partisë Popullore konservatore (PP). Në atë kohë ai, një katalonas i lindur në Barcelonë, dinte pak për Iranin apo politikën e tij të brendshme.

Një ditë e takoi Paulo Casaca, një socialist portugez, i cili e ftoi të bashkohej me një grup të quajtur Miqtë e Iranit të Lirë. Casaca kishte vënë re interesin e Vidal-Quadras për rastet e të drejtave të njeriut të lidhura me Spanjën, dhe mendoi se ai ishte njeriu i duhur.

Nuk kaloi shumë kohë dhe Vidal-Quadras u prezantua me figurat kyçe të opozitës iraniane, përfshirë Maryam Rajavi, presidente e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) - një koalicion i gjerë i organizatave, grupimeve demokratike dhe personaliteteve iraniane, që e konsiderojnë veten një parlament në mërgim.

Fakti që ka zgjedhur një grua si presidente për periudhën e tranzicionit pas rënies së regjimit klerikal është shumë domethënës. Një nga motrat e Rajavit, Narges, u vra nga policia sekrete e Shahut në vitin 1975. Motra tjetër e saj, Massoumeh, studente e inxhinierisë industriale, u arrestua nga regjimi i Khomeinit në vitin 1982.

Edhe pse shtatzënë ajo u torturua dhe u var në litar. U ekzekutua edhe burri i saj. Vidal-Quadras u prek nga historia e Rajavit. Ai donte të ndihmonte. “Në fund u përfshiva aq shumë, sa sot kam privilegjin të jem armiku nr.1 i regjimit iranian”- thotë ai. Me rritjen e interesit të tij për Iranin, u rrit edhe ndikimi i tij politik.

Ai u zgjodh nënkryetar i Parlamentit Evropian midis viteve 2009-2014. përpara se të bashkë-themelonte partinë e ekstremit të djathtë Vox. Rëndësia e tij në çështjet iraniane ishte aq e madhe, sa që në vitin 2022 Ministria e Jashtme iraniane vendosi sanksione ndaj tij.

Ai dhe të tjerët në listë, u akuzuan për “akte të qëllimshme në mbështetje të terrorizmit” ndër shumë gjëra të tjera. “Ata donin të na trembnin”- thotë ai. Megjithatë, ai këmbënguli në fushatën e tij për një të ardhme më të mirë për iranianët. Më pas ndodhi atentati.

Pak ditë më vonë, u arrestuan 3 persona, një në Fuengirola pranë Malagas, dhe një çift i identifikuar si Naraya Gomez dhe e dashura e tij, Sasha Brooks, një emigrante britanike në të 20-at, të cilët u ndaluan në një nga dy pronat që ata ndanin në Lanjaron, një qytet andaluzian në shpatet jugore të Sierra Nevadas afër Granadës.

Gomez u rrit nga babai i tij, Sirio, në një “komunitet banorësh hipi”, pasi nëna e tij vdiq gjatë lindjes. Sirio u tha gazetarëve se ai ishte një “djalë i mirë, vegjetarian, spiritualist dhe pacifist”. Policia pretendoi se Gomez dyshohej se ishte konvertuar në Islam vitin e kaluar.

Ata thanë se ai ndoqi rrymën shiite të udhëhequr nga klerikët e Iranit. Çifti u paraqit në nëntor 2023 në gjykatë së bashku me të dyshuarin e tretë, Adrian Ruiz Blanco, 22 vjeç. Blanco dhe Brooks u liruan me kusht dhe Gomez u mbajt në burg. Gomez, 26 vjeç, akuzohet se ka punësuar vrasësin me pagesë, Ayari, përpara se të takohej me të në një hotel në Madrid në prag të sulmit.

Çështja mori një kthesë të mëtejshme në janar të këtij viti, kur hetuesit përmendën përfshirjen e venezuelianit Greg Oliver Higuera Marcano. Ai u kap në Kolumbi, ku dyshohet se kishte ikur, pasi mësoi se po kërkohej nga autoritetet spanjolle. Sipas shërbimit kolumbian të migracionit, Interpoli kishte lëshuar alarmin për vepra të dyshuara terroriste.

Në prill të po këtij viti një grua holandeze, që besohet se është me origjinë marokene, u arrestua në lidhje me atentatin. Tani fokusi është tek gjetja e personit që kreu atentatin dhe për të përcaktuar se kush e urdhëroi dhe pse. Për Vidal-Quadras, përgjigja është e qartë: regjimi iranian.

Gazeta spanjolle “El Mundo” e drejton gishtin te “mafia Mocro” holandeze, një referencë për emigrantët marokenë që janë pjesë e rrjeteve të fuqishme të trafikut së drogës. Gangsterët gati nuk janë në radarin e policisë dhe agjencive britanike të sigurisë, por në Evropë ata janë të njohur.

Dr.Teun Voeten, antropolog i specializuar në krimin e organizuar, më thotë se këta kriminelë janë “tërësisht të pamëshirshëm” dhe të njohur për dhunën e tyre ekstreme. Në shkurt, Ridouan Taghi, lideri i kartelit të drogës, u dënua me burgim të përjetshëm për rolin e tij në një fushatë vrastare në Holandë, të cilën prokurorët e quajtën një “makineri vrasëse të vajisur mirë”.

I cilësuar si “mbreti i drogës” i Evropës, Taghi u dënua për 5 vrasje. Voeten thotë se Taghi kishte udhëtuar në Iran disa herë në vitet e fundit, dhe kishte “lidhje të mira me regjimin iranian”. Ai beson se është “shumë e mundur” që rastet të jenë të lidhura më njëra-tjetrën. “Nëse ata mund të fitojnë para nga kokaina dhe vrasjet me pagesë, nuk do ta kishin problem të kalonin tek vrasjet me porosi për llogari të regjimit iranian”- thekson ai./Përshtati Pamfleti nga “Sunday Times”

Marrë me shkurtime

irani mafia evropiane vrasje kundërshtarë politikë

Lini një Përgjigje