
Nëse ka pasur ndonjëherë një kohë për të ringjallur ekonominë sociale të tregut që u shfaq nga vitet 1950, ajo është pikërisht tani...
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Gjermani, duhet të kuptohen në kontekstin e ndryshimeve gjeopolitike më të gjera. Për herë të parë në historinë e Gjermanisë së pasluftës, qeveria ruse dhe ajo e SHBA-së mbështetën hapur të njëjtën parti opozitare gjermane: Alternativën për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë, që bart jo pak nuanca naziste.
Në pamje të parë, rezultati duhet të kishte sjellë një psherëtimë lehtësimi. AfD nuk do të jetë në pushtet dhe dy partitë e mëdha tradicionale: Kristiandemokratët e qendrës së djathtë (CDU) dhe Social Demokratët e qendrës së majtë (SPD), ka të ngjarë të formojnë një qeveri të re koalicioni.
E megjithatë, askush nuk mund të argumentojë seriozisht se këto dy parti i “fituan” zgjedhjet. Rezultati i CDU-së ishte i dyti më i keq i epokës së pasluftës, ndërsa ai i SPD-së ishte më i keqi.
Dhe mbi çdo qeveri që do të formojnë, do të rëndojë pesha e trashëgimisë së qeverive të ngjashme, të cilat nuk arritën ta adresojnë si duhet krizën ekonomike të Gjermanisë apo të reagonin si duhet në mjedisin e ri të sigurisë pas sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës në vitet 2014 dhe 2022.
Ndaj ky mund të jetë shansi i tyre i fundit për të ndryshuar kursin, duke iu rikthyer asaj që e bëri modelin gjerman një suksesshëm në të kaluarën. Dhe kjo nënkupton rikthimin tek subsidiariteti: pra parimi që pushteti ushtrohet më së miri në nivelin më të ulët, ku mund të merren vendime efektive.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për trajtimin e ish-Gjermanisë Lindore, ku gati çdo zonë elektorale votoi në shumicë për AfD-në. Paradoksalisht, AfD-ja doli mirë pas fushatës kundër migracionit dhe mbi sigurinë e brendshme, edhe pse emigrantët janë më të paktë në lindje sesa në perëndim.
Që gjermano-lindorët të ndihen më pak të mënjanuar, duhet që partitë që kanë lulëzuar atje - si e majta ashtu edhe e djathta ekstreme - të përfshihen në gjetjen e zgjidhjeve për problemet lokale, shumë prej të cilave janë të nxitura nga çështje që nuk lidhen me migracionin, si arsimi i dobët dhe kujdesi shëndetësor.
Njëherazi, qeveria e ardhshme gjermane duhet të evropianizojë shumë çështje të tjera madhore. Meqë Gjermania s’ka kufij me një vend jo anëtar të BE-së ose jashtë Shengenit (zona e udhëtimit pa viza), migrimi do të trajtohet më së miri në nivel rajonal.
Nëse gjermanët duan të kufizojnë imigracionin e paligjshëm, ata duhet të ndihmojnë për të forcuar policimin e kufijve të tjerë të bllokut, veçanërisht atyre të Finlandës, Polonisë, Greqisë, Italisë dhe Spanjës.
Çështja e sigurisë - dhe si të financohet ajo - është edhe më urgjente dhe mund të mos jetë e zgjidhshme në nivel të BE-së, ku qeveritë pro-ruse si në Hungari dhe Sllovaki ruajnë të drejtën e vetos. Megjithatë, Gjermania mund t’i bashkohet një koalicioni vendesh të gatshme për të investuar shumë më tepër në mbrojtje.
Ose siç propozon studiuesi italian Federico Fabbrini, mund të ndihmojë në ringjalljen e Komunitetit Evropian të Mbrojtjes të vitit 1952, një traktat i hartuar dhe ratifikuar nga 4 prej 6 anëtarëve themeltarë të Komunitetit Ekonomik Evropian (pararendës i Bashkimit Evropian).
Ky opsion, do të lejonte edhe anëtarësimin e shteteve jo-anëtare të BE-së. Kjo skemë u propozua fillimisht me synim riafrimin e Britanisë së Madhe. Pjesëmarrja e dy fuqive të vetme bërthamore evropiane, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës, do të jetë thelbësore për të zëvendësuar rolin që luanin dikur Shtetet e Bashkuara.
Përtej këtyre masave praktike, Gjermania ka nevojë edhe për një rithemelim intelektual. Demokracia sociale dhe demokracia e krishterë, ka qenë gjithmonë lëvizje të fokusuara në Evropë. Në epokën e pasluftës, ato ia dolën të krijojnë një model ekonomik që balanconte tregjet me nevojën për rregulla për të kufizuar fuqinë ekonomike.
Por “ekonomia sociale e tregut”, siç dhe u bë e njohur, ia vlen të rishikohet tani që si Rusia ashtu edhe SHBA-ja, kanë përqafuar një model të tyre rrënjësisht të ndryshëm. Nën kapitalizmin e ri rus dhe (tani) amerikan, interesat e biznesit po diktojnë gjithnjë e më shumë marrëdhëniet me qeverinë, duke prodhuar një model jo vetëm shumë të paqëndrueshëm, por edhe joproduktiv dhe gërryes.
Kjo qasje e re e SHBA-së, pason rikthimin e tarifave, luftërave midis monedhave dhe instrumenteve të tjera të nacionalizmit ekonomik dhe autarkisë. Meqë prodhuesit vendas priren të dëmtohen nga tarifat, të cilat e rrisin kostot e tyre të hyrjes në tregje të tjera, ata do të kërkojnë përjashtime.
Sfida për evropianët, është të gjejnë një përgjigje efektive për këto ndryshime diku tjetër. Vetëm krijimi i një politike industriale për të favorizuar ose subvencionuar sektorë të caktuar, nuk do të ishte politikisht i qëndrueshëm.
Situata kërkon një rikthim në vizionin origjinal të Komunitetit Ekonomik Evropian të viteve 1950, i cili i hoqi tarifat brenda Evropës, duke siguruar zbatimin e politikave të konkurrencës dhe rregullave universale të zbatueshme.
Intelektualisht, bota e re e politikës së pushtetit - ku biznesi trajtohet si një mjet i shtetit - mbështetet tek refuzimi i “neo-liberalizmit”. Nga ana e tij, presidenti rus Vladimir Putin nisi ta përqafonte politikën industriale më shumë se 20 vjet më parë, me sulmin e tij ndaj kompanisë më të madhe private ruse të naftës, Yukos.
Që nga ajo kohë, lufta e tij kundër neoliberalizmit vetëm sa është përshkallëzuar. Në të njëjtën kohë, SHBA-ja ka përqafuar tarifat, subvencionet dhe politikat industriale që nga administrata e parë e Donald Trump. Por në vend se të luhatemi midis derregullimit të verbër dhe politikës industriale agresive, ne kemi nevojë për një sistem rregullash.
Nëse ka pasur ndonjëherë një kohë për të ringjallur ekonominë sociale të tregut që u shfaq nga vitet 1950, ajo është pikërisht tani.
Shënim: Harold James, profesor i historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Princeton, SHBA.
Lini një Përgjigje