TAGS-AT E JAVËS

Forum28 Shkurt 2025, 11:25

Ndryshimi i kufijve midis Kosovës dhe Serbisë do zhyste në kaos gjithë Ballkanin

Shkruar nga Federico Baccini

Ndryshimi i kufijve midis Kosovës dhe Serbisë do zhyste në kaos

Çfarë i druheni me shumë nga administrata e re e Trump?

Nëse ka një vend ku mund të ndihet “temperatura” e vërtetë e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por edhe e atmosfera e zhvillimeve në lidhje me negociatat mbi normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ai është veriu i Kosovës.

Dhe më saktësisht Mitrovica, e cila ka qenë tashmë skena e përshkallëzimit të tensioneve ndërmjet komunitetit lokal dhe qeverisë së Prishtinës sidomos 2 vitet e  fundit. Në Mitrovicë, ura mbi lumin Ibër e ndan më dysh qytetin.

Veriu është i populluar nga një shumicë dërrmuese e komuniteteve serbe, ndërsa jugu është i populluar kryesisht nga shqiptarët. Pikërisht këtu, çdo vendim politik kombëtar apo ndërkombëtar, kumbon me më shumë forcë tek popullsia vendase, e cila mbetet  vazhdimisht pezull mes një zgjidhjeje që nuk mbërrin, dhe pasigurisë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

“Bashkimi Evropian, duhet të kishte bërë shumë më tepër progres me planin e tij për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, për t’u siguruar që procesi të bëhet i pakthyeshëm, por ai dështoi që ta bëjë këtë”-thotë Miodrag Marinkovic, drejtor i Qendrës për Veprime të Vendosura Sociale (CASA), një organizatë e shoqërisë civile që promovon dialogun ndërmjet komuniteteve etnike në Mitrovicë. Dhe tani jemi pranë një skenari që është i vështirë të parashikohet, por që ka shumë pak gjasa të ketë një ndikim pozitiv në qytetin dhe rajonin në tërësi: shkëmbimit të territoreve.

Ndryshimi i kufijve midis Kosovës dhe Serbisë do zhyste në kaos
Miodrag Marinkoviç /

Çfarë veprimesh promovon qendra juaj, për të krijuar një urë lidhëse ndërmjet komunitetit serb dhe atij shqiptar në Mitrovicë?

Ne punojmë në dy nivele. E para është pajtimi ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Dhe së dyti për ndërtimin e një demokracie të vërtetë pjesëmarrëse, në të cilën qytetarët janë të përfshirë në proceset vendimmarrëse, si në nivel lokal ashtu edhe shtetëror.

Ne fokusohemi në ndërtimin aktiv të lidhjeve të qëndrueshme, duke bërë bashkë grupe të ndryshme sociale, ekonomike dhe demografike që kanë interes për bashkëpunimin, sepse në këtë mënyrë mund t’i trajtojmë me efektivitet problemet e tyre. Për shembull, koordinojmë punën e organizatave të shoqërisë civile që punojnë për të mbështetur personat me aftësi të kufizuara në të dyja komunitetet.

Kemi të njëjtën qasje për bizneset, të rinjtë dhe artistët. Përmes bashkëpunimit, ata mund të përmirësojnë pozitën e tyre në komunitet, duke krijuar lidhje të forta e të përditshme që e kundërshtojnë retorikën përçarëse. Kur njerëzit bashkëpunojnë për çështje me interes të përbashkët,  kanë më pak gjasa të manipulohen.

Dhe sa bashkëpunim kanë me ju komunitetet e Mitrovicës?

Ndryshimi më i madh në qasje, vjen nga grupet me të cilat punojmë, të cilët na ofrojnë mbështetjen dhe besimin e tyre. Por sidomos komuniteti serb, i konsideron shpesh organizatat e shoqërisë civile si organe të huaja, por edhe si “tradhtare”, dhe një “zgjatim” të Perëndimit.

Kjo narrativë, inkurajohet në mënyrë aktive nga qeveria aktuale në Beograd, gjë që e bën të vështirë njohjen e plotë të punës sonë. Qasja jonë nuk është binare - shqiptarët kundër serbëve - por ne shohim më shumë një kundërvënie të vërtetë midis qytetarëve të zakonshëm dhe qeverive të Beogradit dhe Prishtinës, sepse të dyja kanë interes të manipulojnë dhe dëmtojnë komunitetet lokale për interesat e tyre politike.

Si është aktualisht klima në Mitrovicë?

S’ka asnjë dyshim se marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe veriut të Kosovës janë përkeqësuar ndjeshëm. Një nga shkaqet kryesore është qasja e qeverisë së Albin Kurtit, e cila ka ndërmarrë veprime të njëanshme që nuk pasqyrojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

Përdorimi i forcës policore për të imponuar zgjidhje mbi çështjet urgjente në veri të Kosovës, ka shpërfillur plotësisht interesat e komuniteteve lokale. Po ashtu nuk janë marrë masat e duhura për të zëvendësuar institucionet që ofrojnë shërbime themelore. Tani për tani Kosova Veriore tani jeton në një gjendje të paqartë, nën presionin e madh të Prishtinës dhe Beogradit.

Dhe si e kërcënon Beogradi rajonin?

Beogradi ka marrë kontrollin e përfaqësimit politik brenda komunitetit serb të Kosovës, përmes një partie që vepron në bashkëpunim të ngushtë me krimin e organizuar. Lista Serbe ka treguar pak interes për t’u angazhuar në dialogun parlamentar dhe nxitur ndryshime pozitive.

Ajo fokusohet vetëm në mbajtjen e vendeve në parlament për të kontrolluar jetën politike brenda komunitetit serb. Nuk punon për të mirën e popullatës, por i shërben interesave të një njeriu në Beograd: Aleksandar Vuçiç.

Ne kemi qenë dëshmitarë të një marrëdhënieje simbiotike mes krimit të organizuar dhe politikës, e cila ka çuar në një korrupsion të shfrenuar. Investimet që vijnë nga Serbia, po fshihen përmes nepotizmit dhe rrjeteve kriminale lokale.

A mund të jetë zgjidhje për këto probleme Asociacioni i Komunave Serbe në Kosovë, i përcaktuar me planin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit?

Po, ai mund të ofrojë një bazë të fortë për komunitetin serb që ta organizojë jetën e tij brenda Kosovës. Sepse adreson një nga interesat më të rëndësishme të serbëve të Kosovës: ruajtjen e lidhjeve me Serbinë. Këto lidhje janë stigmatizuar nga qeveria në Prishtinë dhe madje janë kriminalizuar.

Por duhet theksuar se ato janë të integruara në kornizën ligjore të Kosovës. Nëse ka vullnet politik, Kushtetuta ofron hapësirë ligjore që komuniteti serb të jetojë si qytetarë të Kosovës, por edhe duke ruajtur lidhjet me Serbinë.

Por a nuk ekziston rreziku i përsëritjes së sistemit jofunksional të Bosnje Hercegovinës?

Jo, sepse ka një ndryshim domethënës. Kompetencat e Republikës Srpska janë edhe kushtetuese. Kjo nuk vlen për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë. Drafti aktual i miratuar nga BE-ja, është përgatitur me mbështetjen e ekspertëve evropianë dhe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Serbëve të Kosovës do t’u jepej një shkallë e autonomisë në nivel lokal, por jo e mjaftueshme për t’u dhënë atyre fuqinë për ta bërë Kosovën një shtet jofunksional.

Për më tepër, serbët mund të ndikojnë tashmë në politikën e Kosovës. Çdo ndryshim në Kushtetutë dhe ligjet themelore, kërkon një shumicë absolute në parlament dhe miratimin e 2/3 të përfaqësuesve të pakicave etnike, ku 10 nga 20 vendet janë të garantuara për pakicën serbe.

Çfarë i druheni me shumë nga administrata e re e Trump?

Planit të shkëmbimit të territoreve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ekziston rreziku që kufijtë të rishikohen përgjatë linjave etnike, gjë që do të krijonte një precedent të rrezikshëm në pjesë të tjera të Ballkanit, si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovine.

Nëse ky plan, i mbështetur tashmë nga administrata e parë Trump, do të vazhdojë, zërat kryesorë politikë në këto vende mund të nxiten t’i zgjidhin në të njëjtën mënyrë çështjet e tyre etnike. Rreziku i dytë, është se me këtë plan do të pranohet hapur se Kosova ka dështuar në ndërtimin e një shteti multietnik.

Dhe nëse dështon ta bëjë këtë, çdo serb i lënë jashtë kësaj marrëveshjeje - si ata që jetojnë në Kosovën Jugore - rrezikojnë të humbasin të drejtat e tyre gjuhësore apo përfaqësimin politik. Integrimi do të kthehej në asimilim, dhe historia na i ka treguar rreziqet e lejimit të politikave të tilla në Ballkan.

Së fundi, duhet të kemi parasysh pasojat për sigurinë e Bashkimit Evropian, sidomos përfshirjen e tij në Ukrainë dhe skenarin e ardhshëm të pasluftës. Çfarë do të ndodhë me zonat e Ukrainës të pushtuara nga Rusia? Nëse do të legjitimohej ndarja etnike në Kosovë, Rusia mund të përpiqet ta përsërisë atë në Krime dhe Donbas.

A mund të arrihet një kompromis në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd nga Përfaqësuesi i ri Special i BE-së Peter Sørensen ?

Cilido që do të gjendej në pozicionin e Miroslav Lajçak, do të ishte përballur me të njëjtat vështirësi. Problemi i vërtetë, është se BE-së i mungon konsensusi dhe vullneti politik për të ushtruar presionin e nevojshëm mbi të dyja palët për zbatimin e paktit.

Për shembull, Bashkimi Evropian, që duhet të jetë një bastion i vlerave demokratike, vazhdon të mbështesë qeverinë aktuale në Beograd, duke mbyllur njërin sy ndaj praktikave korruptive. Dhe kjo sepse kërkon bashkëpunim për çështjen e Kosovës por edhe sepse ka interesa të rëndësishme ekonomike tek Serbia, veçanërisht për minierat e saj të litiumit.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, e vlerëson demokracinë në Serbi, pavarësisht se është një nga shtetet më autokratike në Evropë, pas Rusisë dhe Bjellorusisë. Promovimi i vlerave të BE-së, bëhet tepër i vështirë kur ekziston ky qëndrim ndaj Serbisë dhe Kosovës.

Ndaj nuk mendoj se Sørensen mund të ketë sukses, në rast se nuk ka mbështetje politike dhe nëse nuk ushtrohet një presion i mjaftueshëm në të dyja palët./Pamfleti nga “Balcani Caucaso”

ndryshimi i kufijve kosovë serbi ballkani

Lini një Përgjigje