Më 10 shkurt, Shtëpia e Bardhë pezulloi zbatimin e Aktit të Praktikave të Huaja Korruptive, duke deklaruar se ligji është “shtrirë përtej kufijve të duhur, dhe me të është abuzuar në një mënyrë që i dëmton interesat e Shteteve të Bashkuara”...
Për çfarë mund të përdoret korrupsioni? Ia vlen të bëhet një pyetje e tillë pas një sërë ngjarjesh të fundit, në të cilat qeveria amerikane e ka ndryshuar plotësisht qëndrimin zyrtar ndaj këtij fenomeni.
Çdo zbutje e luftës ndaj korrupsionit, do të jetë në dobi të presidentit Donald Trump, familjes së tij dhe grupit të mashtruesve që përbëjnë rrethin e brendshëm të MAGA-s. Por është po aq e qartë se ndryshimet e fundit, janë pjesë e rreshtimit të administratës Trump me regjimet e korruptuara autoritare, dhe kundër demokracive të sundimit të ligjit që kanë qenë prej kohësh aleatë të Amerikës.
Edhe pse aktorë të tjerë të këqij, përfshirë Kinën dhe Arabinë Saudite, ka të ngjarë të përfitojnë nga shtrati i mirëpritur i administratës Trump për korrupsionin, Rusia do të jetë përfituesja kryesore.
Më 10 shkurt, Shtëpia e Bardhë pezulloi zbatimin e Aktit të Praktikave të Huaja Korruptive, duke deklaruar se ligji është “shtrirë përtej kufijve të duhur, dhe me të është abuzuar në një mënyrë që i dëmton interesat e Shteteve të Bashkuara”.
Deri më sot nuk është dhënë asnjë provë për ta mbështetur këtë pretendim, gjë që e bën atë të jetë në përputhje me shumë deklarata të tjera të administratës Trump pa kurrfarë provash. FCPA, produkt i disa ligjeve që kanë qëndruar në fuqi për gati gjysmë shekulli, nuk është shfuqizuar.
Dhe kjo sepse s’ka asnjë mënyrë të ligjshme për ta anuluar me një dekret ekzekutiv. Por Kongresi duket se e konsideron veten si një shtojcë të Kushtetutës, që me sa duket vlen vetëm për të kënaqur tekat e Donald Trump. De fakto FCPA ka vdekur.
Deri më sot ajo i kishte penguar kompanitë amerikane të angazhoheshin në dhënie ryshfetesh, një praktikë që përgjithësisht nuk pranohet nga demokracitë dhe njerëzit e ndershëm. Po ashtu, i mbronte udhëheqësit dhe zyrtarët amerikanë, të cilët përndryshe mund të bëheshin viktima të aktorëve të huaj që kërkonin ryshfet.
Megjithatë sipas Trump, batimi i kësaj politike kundër ryshfetit i “pengon” objektivat e politikës së jashtme të SHBA-së. Po cilat janë këto objektivat? Shtëpia e Bardhë nuk i tregon. Por të njëjtat synime aspak parimore, po motivojnë veprimet e tjera të administratës.
Disa ditë përpara se Shtëpia e Bardhë të pezullonte FCPA-në, Prokurorja e Përgjithshme e SHBA Pam Bondi, një ish-lobiste e qeverisë autokratike të Katarit, lëshoi një memo ku shprehej se do të shpërndante task-forcën KleptoCapture.
Arsyeja zyrtare është se Departamenti i Drejtësisë duhet të shpenzojë më shumë kohë dhe energji kundër karteleve meksikane të drogës dhe bandave të Amerikës Qendrore. Dikur, Departamenti i Drejtësisë mund t’i bënte që të dyja.
Por tani, thjesht nuk ka kohë, energji, fokus, burime apo diçka për të luftuar kleptokratët. Dhe regjimet autokratike po përfitojnë nga këto ndryshime. Gjatë viteve 2017-2022, 40 për qind e gjobave të mbledhura sipas FCPA përfshinin bizneset në lidhje me Kinën.
Që nga viti 2022, kur Rusia e pushtoi Ukrainën për herë të dytë brenda një dekade, nismat kundër kleptokracisë i ndihmuan prokurorët të parandalonin Rusinë nga qasja tek teknologjitë e avancuara, përfshirë AI, gjysmëpërçuesit dhe llogaritjen kuantike.
Ligji kundër kleptokracisë, i bëri më efektive sanksionet, të cilat SHBA-ja i ka vendosur Rusisë që nga aneksimi i Krimesë në vitin 2014. “Këto nisma anti-kleptokracisë kanë qenë thelbësore në përpjekjet e SHBA-së për të zbatuar dhe siguruar një ndikim të madh të sanksioneve tona” - u shpreh në një deklaratë Transparency International US.
“Ato kanë çuar në identifikimin, ngrirjen dhe sekuestrimin e miliarda dollarëve të kontrolluar nga mbështetësit e kundërshtarëve të Amerikës”- theksohet më tej. Por nën qeverisjen e dytë të Trump, identitetet e kundërshtarëve të Amerikës po ndryshojnë me shpejtësi.
Në një urdhër të veçantë të lëshuar në të njëjtën datë, 5 shkurt, si Braktisja e Nismës Kundër Kleptokracisë, Bondi shpërndau task-forcën kundër ndikimit të huaj të Byrosë Federale të Hetimit, FBI, duke sabotuar përpjekjet për të kundërshtuar operacionet e ndikimit të huaj keqdashës, përfshirë ato të zgjedhjeve.
Disa vende kanë kryer fushata keqinformuese kundër SHBA-së në vitet e fundit, përfshirë Kinën, Iranin dhe Arabinë Saudite. Por Rusia ka qenë një lidere në ndikimin në zgjedhje, që kur punoi për herë të parë për të ndihmuar fushatën e Trump në vitin 2016.
Në vjeshtë të vitit të kaluar, prokurorët amerikanë paditën 2 propagandistë rusë me akuzat se kishin shpenzuar miliona dollarë për influencuesit e medias pro Trump. Përveç kësaj, FBI-ja tha se kërcënimet me bombë në vendet e votimit nëntorin e kaluar “duket se e kanë origjinën nga adresat ruse të e-mailit”.
Po ashtu, Bondi ka shkelur Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj, një ligj që daton që nga viti i largët 1938 dhe që kërkon që agjentët e subjekteve të huaja të angazhohen në akte politike në emër të tyre, të zbulojnë marrëdhëniet dhe aktivitetet e tyre.
Intriga ruse e aleatëve të Trump, Paul Manafort dhe Michael Flynn, e anashkaloi këtë ligj. Kohët e fundit, ai u përdor për të akuzuar zyrtarët publikë amerikanë për marrjen e ryshfeteve nga Egjipti (senatori Robert Menendez, i dënuar me 11 vjet burg), Azerbajxhani (kongresmeni Henry Cuellar, i cili i mohon akuzat) dhe nga Kina (zëvendës/shefja e stafit të guvernatorit të Nju Jorkut, Linda Sun, e cila është deklaruar e pafajshme).
Rusia është dukur gjithmonë si shtëpia shpirtërore e Trumpit. Moska shërben si një lloj qyteti Trumpist mbi kodër, një Nirvana e fëlliqur ku mbretëron korrupsioni dhe ku gjithçka është e mundur. Mbështetja e paligjshme e Rusisë për Trumpin në vitin 2016, vetëm sa e rriti mbështetjen e tij për Rusinë dhe liderin e saj autokrat.
Por sanksionet e SHBA-së kanë qenë të vështira për Putinin dhe oligarkët e tij, siç ka qenë mbështetja e SHBA për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus. Trump, i cili ka kritikuar me zë të lartë ndëshkimin që SHBA-së dhe Evropa i dhanë Rusisë për pushtimin e vendit fqinj, tani ka nisur bisedimet e “paqes” me Rusinë, duke e përjashtuar Evropën dhe Ukrainën nga diskutimet.
Trump gënjeu këtë javë kur tha se Ukraina filloi luftën, kur në fakt ajo nisi me pushtimin rus. Ai nuk e quan diktator Putinin, armiqtë e të cilit priren të “rrëzohen” nga dritaret ose të vdesin në burg, por e quan të tillë presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy.
Askush nuk pret që Trump të miratojë paqen siç e kërkon viktima, apo bazuar në vlerat demokratike të Evropës. Ai po synon të shpërblejë agresionin rus dhe të fitojë simpatinë e Putinit. Dhe të gjitha ato shqetësime mbi Rusinë, i përkasin tani të shkuarës.
Sulmet e ardhshme të Rusisë ndaj demokracisë amerikane, do të vijnë me një ftesë nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së. Ndërsa diplomatët e Trump po punojnë për ta shitur Evropën dhe Ukrainën, është një ditë e re në Uashington, Moskë dhe më gjerë. Rusia është sot aleati më i mirë i SHBA-së, ndërsa vendet demokratike janë kundërshtare të SHBA-së. Dhe çfarë e bën kjo SHBA-në?/Pamfleti nga “Bloomberg”
Lini një Përgjigje