SHBA-ja duhet të mësojë nga gabimet e deritanishme në raport me rusët...
Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz, ishin këtë javë në Arabinë Saudite për të nisur bisedimet e paqes me synim përfundimin e luftës Rusi-Ukrainë.
Takimi i të martës në Riad, krijon kushtet për bisedimet e mëtejshme midis drejtuesve kryesorë të Rusisë dhe SHBA-së, Putin dhe Trump. Shpeshherë, negociatat fillojnë në nivele më të ulëta, ku përpunohen detajet përpara se liderët kryesorë të finalizojnë marrëveshjet.
Përfshirja e Sekretari i Shtetit, është e nivelit shumë të lartë, por marrëveshjet përfundimtare do të jenë në dorën e Trump dhe Putin. Dhe kjo nuk është diçka e mirë. Sepse Trump manipulohet lehtësisht nga Putin.
Presidentit amerikan i mungon përgatitja e duhur, dhe pavarësisht nga aftësia e tij e vetëshpallur për arritjen e marrëveshjeve, mund të jetë i gatshëm të pranojë pothuajse çdo gjë ,vetëm për të pretenduar se ishte ai që dha fund luftës Rusi-Ukrainë.
Po ashtu, është e paqartë nëse Ukraina do të përfshihet në bisedime. Tani për tani, duket se jo. Është interesant fakti se SHBA-ja nuk ka marrë pjesë në negociata të këtij niveli derisa Trump u rikthye në detyrë. Deri më tani, ato ishin kryesisht në duart e evropianëve dhe ukrainasve.
Por tani Uashingtoni po zhytet i gjithi në një situatë, ku ne nuk kemi qenë të përfshirë. Dhe evropianët dhe ukrainasit, mund ta gjejnë veten të mënjanuar në një cep, gjë që është pikërisht ajo që preferon Rusia.
Duke u angazhuar drejtpërdrejt me SHBA-në, Rusia e lartëson veten si një fuqi në të njëjtin nivel me Uashingtonin, duke normalizuar marrëdhëniet me administratën e Trump. Ky model, është përsëritur nëpër shumë administrata amerikane, që nga George H.W.Bush.
Dhe në çdo rast, SHBA-ja e ka mësuar leksionin e hidhur se Rusia, nën Gorbaçovin, Jelcinin dhe për 25 vitet e fundit nën Putinin, është shumë e aftë në shfrytëzimin e vullnetit të mirë të Perëndimit. Trump tentoi një riafrim me Rusinë që gjatë mandatit të parë dhe dështoi.
Tani po përpiqet sërish. Historikisht, SHBA-ja nuk ka pasur ndonjë përfitim të madh nga këto lëvizje. Në dallim nga Trump, i cili po i nis nga e para sikur negociatat e mëparshme të mos kishin ndodhur kurrë, Rusia nuk do të rikthehet në vitin 2017.
Rusët do të hipotekojnë çdo lëshim të fituar tashmë, dhe do të ushtrojnë presion për të përfituar akoma më shumë. Dhe Trump ka nisur të bëjë disa lëshime të rëndësishme. Së pari duke lëshuar territorin e pushtuar ukrainas, dhe më pas duke u tërhequr pas reagimit të fortë kundër kësaj qasjeje.
Edhe Sekretari i tij i Mbrojtjes, Pete Hegseth, sinjalizoi fillimisht mbështetjen për ato lëshime, përpara se të ndryshonte kurs, duke njohur koston politike. Qasja e Trump mbetet kaotike. Ai dëshiron të jetë fituesi dhe nuk dëshiron që Putini të shfaqet si fitues.
Por nëse mund të pretendojë fitoren, duke i shërbyer në të njëjtën kohë edhe Putinit, ky do të ishte për të një skenar ideal. Një nga ndryshimet e tij më të mëdha, ka qenë qëndrimi i tij ndaj Ukrainës dhe NATO-s. Mbi 17 vjet politikë, nga Samiti i NATO-s i Bukureshtit në vitin 2008, është përmbysur nën pak javë nën administratën Trump.
Fillimisht, Hegseth dhe Trump kërkuan bllokimin e hyrjes së Ukrainës në NATO, por zyrtarët e sigurisë kombëtare ndërhynë, duke paralajmëruar se lëvizje të tilla do të shiheshin si shpërblyese për luftën e Putinit.
Trump u tërhoq, por instinktet e tij mbeten të paparashikueshme. Tani për tani, SHBA është gati të përsërisë gabimet më të këqija të 34 viteve të fundit që nga pavarësia e Ukrainës. Këto gabime, përfshijnë pasjen si prioritet të kërkesave të Rusisë mbi interesat amerikane, pavarësisht nga premtimet e përsëritura të Trump për një politikë të “Amerika e Para”.
Historikisht, SHBA-ja ka qenë fleksibël ndaj kërcënimeve dhe presioneve ruse, dhe ne nuk kemi hyrë as në fazën kur Rusia po mendon seriozisht përdorimin e armëve bërthamore. Kur të rishfaqen këto kërcënime, Trump ka shumë të ngjarë që të lëshojë akoma më shumë.
Kjo situatë u bën jehonë grackave të së kaluarës, kur ne kemi rënë viktimë e frikës. Nga ana e saj Ukraina, është e gatshme të bëjë disa kompromise për ta ndaluar luftën, të cilat mund të përfshijnë edhe lëshimet territoriale. Megjithatë, këto të fundit nuk duhet të shihen si të përhershme.
Strategjia e Kievit, është të lërë mënjanë për momentin çështjet e mprehta, duke besuar se mund ta rimarrë territorin e humbur në të ardhmen, pasi Putin të largohet nga pushteti apo nëse Rusia do të kërkojë ndonjëherë marrëdhënie normale me të. Megjithatë, Ukraina nuk do të sakrifikojë plotësisht interesat e saj të sigurisë kombëtare. Zelensky ka hedhur tashmë poshtë një nga kushtet e përfolura të Trump, dhënien e mineraleve të rralla me vlerë rreth 18 trilion dollarë, për të shlyer atë që Trump pretendon se është një borxh ndaj SHBA prej 100 miliardë dollarësh në ndihmë ushtarake, të ofruar gjatë administratës Biden.
Por gati 80 për qind e kësaj ndihme, shkoi për sektorin e mbrojtjes së SHBA-së dhe jo drejtpërdrejt në Ukrainë. Po ashtu, Kievi nuk është i gatshëm të pranojë ndihmën e mëtejshme të Uashingtonit nën kushte shfrytëzuese. Për më tepër, po zhvillohen diskutime për forcat e mundshme paqeruajtëse nga Britania e Madhe dhe Franca pasi të përfundojë lufta.
Kina ka shprehur interes për të luajtur një rol, megjithëse çdo përfshirje e saj ka të ngjarë t’i ngjajë pushtimit sesa paqeruajtjes, duke i shërbyer interesave ruse dhe jo neutralitetit. Tani që Kina ka hyrë në bisedime, Rusia ka të ngjarë të këmbëngulë për paqeruajtësit kinezë dhe jo ata evropianë.
Dhe rusët do të jenë të pakompromis mbi disa çështje kyçe. Ne duhet ta kuptojmë se Putin është një aktor i sofistikuar, ndaj ai do të bëjë zhurmë aty ky duhet. Kështu bëri kur dërgoi Ministrin e tij të Jashtëm Lavrov për të negociuar me Waltz dhe Rubion në Riad, për t’u siguruar që SHBA-ja të qëndrojë në anën e tij dhe të kujdeset për interesat ruse
Pra SHBA-ja duhet të mësojë nga gabimet e deritanishme në raport me rusët. Ukraina do të jetë në një gjendje të dobësuar. Mendoj se rusët do të kërkojnë me ngulm lehtësimin e sanksioneve, dhe për t’i dhënë fund mbështetjes së SHBA-së për Kievin.
Mbetet vetëm të shpresojmë që administrata Trump të mësojë dhe të pranojë, se e vetmja mënyrë që Trump mund të fitojë dhe ta vendosë Amerikën në plan të parë, është duke mbështetur Ukrainën dhe evropianët.
Dhe kjo nuk është një mundësi krejtësisht e paarritshme. Por për këtë do të ketë disa kushte. Unë mendoj se një marrëveshje ku SHBA investon në Ukrainë në nxjerrjen e mineraleve të rralla, është në fakt një gjë e mirë. Marrëdhëniet tona janë më të forta, kur bazohen në vlera por dhe interesa.
Propozimi i vlerave, do të jetë tërheqës për disa pjesë të establishmentit amerikan. Ndërkohë evropianët, po marrin një rol më të madh me ndarjen e barrës, një fushë tjetër ku mendoj se duhet të ketë një lloj ribalancimi. Megjithatë ka ende shumë pasiguri se si do të sillet Trump.
Shënim: Alexander Vindman, ushtarak karriere në ushtrinë amerikane. Ka qenë drejtor për çështjet e Evropës Lindore, Kaukazit dhe Rusisë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, si edhe atashe ushtarak në ambasadën amerikane në Moskë./Përshtati Pamfleti nga “Kyiv Post”
Lini një Përgjigje