NATO mund t’i rezistojë çdo gjëje, përveçse një presidenti amerikan. Kjo batutë e Stefano Silvestrit, përshkruan më së miri një koncept kompleks, i cili është dhe do të testohet nga administrata Trump, nisur edhe nga deklaratat e presidentit të zgjedhur amerikan ditët e fundit.

Nga njëra anë, kjo do të thotë se aleanca atlantike është treguar e gjithanshme dhe rezistente ndaj ndryshimeve në aspektin strategjik, nga rënia e Bashkimit Sovjetik, në ngritjen dhe rënien e luftës kundër terrorizmit, deri tek pushtimi i pjesshëm dhe i plotë i Ukrainës nga Rusia, përkatësisht në vitet 2014 dhe 2022.
Prandaj NATO ka mbetur shumë e rëndësishme, aq sa vende të tjera kanë vendosur t’i bashkohen asaj, sepse ky anëtarësim është i dobishëm për disa nga interesat kombëtare dhe të sigurisë të shteteve të saj anëtare, dhe në radhë të parë të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj kryesorë.
Por nga ana tjetër, presidenti amerikan ka fuqinë, brenda kufijve të caktuar kushtetues, që të ndryshojë prioritetet dhe angazhimet e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes të vendit të tij.
Pavarësisht një institucionalizimi të fortë të aleancës, që i ka lidhur forcat e armatosura aleate në nivele të ndryshme për më shumë se 75 vjet, një rast ky unik në historinë botërore, NATO mbetet një aleancë, nga e cila fuqia udhëheqëse mund të shkëputet teorikisht.
Kjo do të sillte efekte dramatike për sigurinë kombëtare të SHB-së, por edhe të gjithë aleatëve evropianë. Dhe këtu nuk po flas për bllofin e daljes nga Traktati i Uashingtonit, një akt që do të kërkonte një votim në Kongresin Amerikan, ku është pothuajse e pamundur të arrihet miratimi.
Por ai përfshin për shembull, kërkesën për të dyfishuar pragun prej 2 për qind të PBB-së mbi të cilin u ra dakord 11 vite më parë, për t’u investuar në mbrojtje nga secili vend anëtar. Por në të njëjtën kohë tërheqjen nga Evropa të një pjese të trupave amerikane apo armëve bërthamore taktike, dhe duke i thënë Rusisë dhe aleatëve të saj se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i përgjigjen zbatimit të nenit 5 të mbrojtjes kolektive nga shtetet anëtare, të cilat nuk përmbushin angazhimet e tyre të përbashkëta për shpenzimet e mbrojtjes.
Në rast se administrata Trump do ta zvogëlonte vërtet praninë ushtarake dhe politike amerikane në NATO dhe nëse Putin, si një lojtar i përkryer pokeri, do të niste një sulm të armatosur ndaj një vend baltik, aleanca do ta gjente veten në një udhëkryq.
Ajo do të zgjidhte ose të luftonte ndaj forcave ruse për të çliruar shtetin anëtar të sulmuar, ose të thoshte “pas” dhe të braktiste tryezën e sigurisë euroatlantike, duke e lënë Evropën nën ndikimit rus dhe shkaktuar kapitullimin e BE-së, e cila s’do të reagonte dot ndaj pushtimin ushtarak të territorit të njërit prej shteteve anëtare.
Pra, rreziqet për NATO-n dhe Evropën janë shumë të larta, dhe në dritën e kësaj duhen vlerësuar përleshjet taktike dhe bllofet që po zhvillohen midis Uashingtonit dhe kryeqyteteve aleate, të cilat do të na shoqërojnë muajt dhe vitet e ardhshme.
Por është mirë të kujtojmë se gjatë Luftës së Ftohtë, vendet anëtare evropiane të NATO-s shpenzuan mbi 3 për qind të PBB-së së tyre për mbrojtje për dekada të tëra, për ta dekurajuar Moskën që të sulmonte Gjermaninë Perëndimore.
Që nga samiti i vitit 2023 në Vilnius, vetëm disa dhjetëra kilometra larg trupave ruse, aleatët ranë dakord që 2 për qind e PBB-së është tani e tutje pragu minimal, i arritur tashmë nga 23 nga 32 aleatët, dhe i dyfishuar kryesisht nga vende si Polonia, që në vitin 2024 shpenzoi 4.7 për qind të PBB-s për mbrojtjen.
Megjithatë rritja e shpenzimeve ushtarake nuk ka lidhje vetëm me Evropën Lindore. Britania e Madhe, që s’ka ndonjë vijë kufitare me Rusinë, synon sipas angazhimeve të qeverisë laburiste, të arrijë nivelin 2.5 për qind shpenzime brenda pak viteve.
Dhjetorin e vitit të kaluar, Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i paralajmëroi aleatët evropianë se duhet të investojnë më shumë se 2 për qind të PBB së tyre nëse duan të ruajnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropë, dhe tek e fundit edhe modelin e tyre politik dhe social, si një alternativë ndaj atij të Rusisë dhe Kinës.
Nuk është aspak rastësi, që Rutte iu referua pikërisht nivelit 3 për qind të PBB të shpenzuar nga evropianët gjatë Luftës së Ftohtë për ta fituar atë. Ndërkohë, nga Uashingtoni, një administratë republikane e lidhur rreth Trump dhe linjës së tij, ka nisur të dërgojë sinjale se objektivat e NATO-s në lidhje me buxhetin e mbrojtjes duhet të rishikohen ndjeshëm.
Loja është bërë më e ndërlikuar nga fakti se ajo nuk po luhet mes NATO-s dhe Trumpit, por mes këtij të fundit dhe 31 aleatëve të tjerë, disa prej të cilëve kërkojnë një minimum pune në grup. Nuk është rastësi që ministrat e mbrojtjes të Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar u takuan vjeshtën e vitit kaluar, së bashku me Rutte dhe Zelenskyn, për të vlerësuar se çfarë do të bënin. Megjithatë, çdo vend ka letra të ndryshme në dorë dhe luan lojën e tij kombëtare.
Varshava mbështetet shumë tek forcat e saj të armatosura si linja e parë e mbrojtjes kundër Moskës, dhe pozitën e saj e përdor si një kartë për t’i kërkuar SHBA-së dhe NATO-s një angazhim të fortë dhe të qëndrueshëm në krahun lindor të aleancës.
Londra ka vendosur objektivin e shpenzimit 2.5 për qind të PBB-së në mbrojtje deri në vitin 2028, ndërsa Berlini s’ka vendosur ende nëse shpenzimet ushtarake do t’i çojë në nivelin minimal të pritshëm prej 2 për qind të PBB-së. Parisi e ka arritur pragun e 2 për qind.
Por si zakonisht luan në mënyrë të paskrupullt edhe me pak letra në dorë, duke bashkuar Zelenskyn dhe Trump në Paris, pavarësisht se në 3 vjet luftë i ka dërguar Ukrainës më pak pajisje ushtarake sesa vendet e tjera të mëdha evropiane.
Roma po e luan lojën në NATO dhe me SHBA-në, me një nivel shpenzimesh ende 1.5 për qind të PBB-së. Kjo është si të ulesh në tryezë me dy palë letra, kur secili nga kundërshtarët ka të paktën 3 të tilla. Afërsia politike por edhe lidhjet e forta personale që ka ndërtuar kryeministrja Meloni me SHBA-në, e dëshmuar nga vizita e saj në Florida tek presidenti në fillim të janarit, ndihmojnë.
Por nuk mjaftojnë me një lojtar cinik si Trump. Presidenti republikan s’do të tolerojë në lidhje me shpenzimet e mbrojtjes së aleatëve, sepse ky ka qenë një nga premtimet kryesore përballë elektoratit të tij.
Çështja se sa duhet të investojnë aleatët në mbrojtje, është e ndërthurur pashmangshmërisht me atë se çfarë duhet bërë si aleancë me rezultatin e investimeve të tilla, pra me aftësitë ushtarake kombëtare. Shumica e aleatëve evropianë, kanë ide shumë të qarta mbi këtë çështje:parandalim kolektiv dhe mbrojtje ndaj kërcënimit rus.
Finlanda që iu bashkua NATO-s më pak se 2 vjet më parë, e sheh para së gjithash sigurinë e Evropës Veriore të lidhur me kërcënimin rus nga ajri, nga toka, me një kufi mbi 1300 km të gjatë dhe nga deti Baltik, si dhe korridori Grenlandë -Islandë-Britani, përmes të cilit kalojnë nëndetëset ruse për të hyrë në Atlantik dhe në detet ngjitur me Evropën.
Pozicioni finlandez, si dhe ai suedez, i shtohet gamës së gjerë të vendeve që nga Kanadaja në Mbretërinë e Bashkuar apo Danimarkë, duke kaluar padyshim nga Norvegjia, Polonia dhe vendet baltike, që e konsiderojnë si një prioritet krahun lindor.
Ndërkaq Italia sheh më me vëmendje zhvillimet në Mesdhe, por është thuajse e vetme në NATO që e bën këtë. Ndër vendet e tjera të rëndësishme të Mesdheut, Franca dhe Turqia nuk duan që aleanca të përfshihet në Afrikë apo Lindjen e Mesme, duke preferuar të veprojnë të pavarur.
Spanja është më e shqetësuar për Marokun dhe Mauritaninë sesa për Mesdheun Qendror apo Lindor. Por edhe ajo i ka luajtur aq mirë kartat e saj, aq sa për të marrë pozicionin e të dërguarit të posaçëm të NATO-s për fqinjësinë jugore, aq të lakmuar nga Italia.
Që pas inaugurimit në detyrë të presidentit të ri amerikan, Italia duhet të luajë lojën e NATO-s në krahun lindor dhe jugor me kartat që ka vërtet në dorë dhe jo me ato që shpreson të nxjerrë nga një dorë e cila në fakt ka përfunduar.
Dhe duke pasur parasysh atë që është në rrezik me Trump dhe Putin, nuk është më koha për bllofe për konsum ndaj opinionit publik vendas. Por as për rritjen e shpenzimeve ushtarake, apo atë që bën apo mund ose dëshiron të bëjë NATO në Mesdhe./Përshtati Pamfleti nga “Huffington Post Italia”
Lini një Përgjigje