
Petr Bystron i AfD, dyshohet se ka pranuar financime ruse, dhe dokumentet tjera të zbuluara sugjerojnë se shumë nga politikat e AfD mund të jenë diktuar nga Rusia...
Normalisht, nuk mund të akuzosh një shtet tjetër për keqinformim, sulm kibernetik ose sabotim. Sepse akuza të tilla jo vetëm që krijojnë kriza dhe tensione të forta diplomatike, por është jashtëzakonisht i vështirë vërtetimi i tyre.
Megjithatë, kur diskutohet nëse Rusia po përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet parlamentare në të Gjermanisë, përgjigja është e qartë: Po. Sipas mendimit unanim të ekspertëve, objektivi aktual i Rusisë është të krijojë kaos dhe të dëmtojë besimin tek demokracia.
Sulmet kibernetike, aktet e sabotimit si zjarrvënia ose shkatërrimi i makinave dhe fushatat e dezinformimit në mediat sociale, kanë që të gjitha ndikimin e tyre. Veprime të tilla nuk dëmtojnë vetëm sistemet ose infrastrukturën e IT-së, por synojnë gjithashtu të ndikojnë tek mendjet e qytetarëve gjermanë, duke nxitur një ndjenjë pasigurie.
“Rusia shfrytëzon situatat ku ‘armiku’ shpërqendrohet. Sa më të dobëta bëhen demokracitë perëndimore dhe sa më shumë të gërryhen nga konfliktet e brendshme, aq më pak kapacitet kanë për t’u fokusuar në politikën e jashtme”-thotë Julia Smirnova, studiuese e specializuar në fushatat keqinformuese ruse në CEMAS, një organizatë jofitimprurëse që ndjek në rrjet ideologjitë konspirative, keqinformimit dhe ekstremizmit të djathtë.
Rrjetet sociale dhe interneti, luajnë një rol të madh në këtë fushatë dashakeqe. Që në verën e vitit të kaluar, Zyra Federale e Gjermanisë për Mbrojtjen e Kushtetutës dhe Zyra Federale e Jashtme, paralajmëruan mbi faqet e rreme të mediave të njohura gjermane.
Ato u kopjuan dhe u mbushën me artikuj të rremë të krijuar, për të nxitur frikën mbi luftën në Evropë, mungesën e energjisë apo mbi një fluks të ri refugjatësh ukrainas.
Mesazhi themelor: Evropa është e dobët, i mungon energjia dhe është e mbingarkuar nga emigrantët.
Këto narrativa pro-ruse janë përhapur në mediat sociale, ku qytetarët (e supozuar) komentojnë të shqetësuar se Gjermania po vuan shumë nga prania e refugjatëve ukrainas. Kjo fushatë e njohur si Plani Sozia, është ende aktiv gjatë fushatës zgjedhore.
Në janar, CEMAS identifikoi 680 postime në gjuhën gjermane në platformën X që përputheshin me karakteristikat tipike të këtij operacioni, dhe që qartazi synonin fushatën zgjedhore. Synimi është përçarja e BE-së dhe shfrytëzimi i tensioneve sociale ekzistuese.
Themeluesja e CEMAS, Pia Lamberty thotë se fushata synon parti të ndryshme si të Gjelbrit dhe Bashkimin Kristian Demokrat (CDU). Një agjenci e lidhur me Kremlinin krijon përmbajtjen dhe sipas Metës (kompania që zotëron Facebook dhe Instagram), ekipe të tëra editoriale krijohen enkas për të punësuar ekipe gazetarësh për këto operacione.
Qëllimi i Moskës është të rrisë ndikimin e saj në botë duke dobësuar demokracitë perëndimore, shpjegon Smirnova. Llogaritë të tilla në rrjetet sociale, nuk lidhen vetëm me faqet e rreme të mediave të lajmeve. Ato i referohen edhe mediave të vërteta por të njëanshme të krahut të djathtë si Junge Freiheit dhe revistës ekstremiste Compact.
Madje këto llogari shpërndajnë artikuj të vërtetë nga media të njohura, por i zhveshin nga konteksti për t’ia përshtatur propagandës së tyre. “Qëllimi i këtyre aktiviteteve të përhapura në mediat sociale është i qartë: Ato synojnë të vërshojnë në të gjithë hapësirën e informacionit, duke e bërë më të vështirë që njerëzit të bëjnë dallimin midis burimeve të besueshme dhe jo të besueshme”- shpjegon Peter Ptassek, komisioneri gjerman për Komunikimin Strategjik në Ministrinë e Jashtme.
Dhe kjo çon në një konfuzion të gjerë. “Njerëzit pyesin veten:çfarë po ndodh, tek cilat burime mund të mbështetem ende? Tani për çdo fakt, ka një narrativë alternative”-thekson Ptassek. Ky aspekt i ndërhyrjes ruse është shumë tinëzar, pasi nuk mbështetet tek gënjeshtra të drejtpërdrejta, por më tepër në inkuadrimin selektiv dhe keqinterpretues të fakteve.
Për shembull, në dhjetor 2024, zv/presidenti rus Alexander Novak njoftoi se pavarësisht sanksioneve të BE-së pas pushtimit të Rusisë në Ukrainë, eksportet e gazit rus në Evropë ishin rritur me 20 për qinq krahasuar me vitin e kaluar.
Shumë media gjermane raportuan për këtë, duke nënkuptuar dështimin e sanksioneve. Madje, Die Welt kishte titullin: ”Rusia ka fituar!”. Por Novak mënjanoi enkas faktin që eksportet e gazit rus kishin rënë në një nivel jashtëzakonisht të ulët vitin e kaluar për shkak të sanksioneve.
Për shkak se përqindjet mund të jenë mashtruese kur nuk kontekstualizohen, shumë lexues mund të arrijnë gabimisht në përfundimin, se Evropa mbetet dëshpërimisht e varur nga gazi rus dhe ka luksin të vazhdojë sanksionet. Por kjo nuk është e vërtetë.
Ndërkohë Moska po investon shumë në sulmet kibernetike. Hakerët shtetërorë rusë sulmuan Bundestagun gjerman në vitin 2015. Ata u përpoqën të ndikonin në zgjedhjet amerikane në 2016w-n duke publikuar e-mailet e demokratëve.
Po ashtu zbuluan korrespondencën private të Emmanuel Macron para zgjedhjeve presidenciale franceze në vitin 2017, vodhën e-maile nga qeveria moldave në vitin 2024 dhe u përpoqën të ndërhynin sërish në zgjedhjet e fundit në SHBA.
Është e vështirë të matet ndikimi i sulmeve të tilla. Por është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm se këto sulme, synojnë thuajse gjithmonë të dobësojnë besimin tek strukturat demokratike. Këtë e tregon një rast i fundit në Gjermani. Hakerë të dyshuar rusë pretenduan në mënyrë të rreme se kishin vjedhur të dhëna nga Zyra Federale e Statistikave, agjencia përgjegjëse për menaxhimin e të dhënave zgjedhore.
Disa media e raportuan këtë, duke ngritur shqetësime mbi sigurinë e zgjedhjeve. Por Claudia Plattner, drejtuese e autoritetit gjerman të sigurisë kibernetike BSI, konfirmoi më vonë se nuk kishte ndodhur asnjë sulm: ”Edhe vetëm pretendimi mjaftoi për të krijuar frikë dhe pasiguri. Por ishte një mashtrim. Ishte sulmi kibernetik më i lirë i të gjitha kohërave!”.
Një taktikë tjetër përfshin punësimin e “agjentëve të disponueshëm”, operativë amatorë që nxisin trazira dhe sabotojnë infrastrukturën për shuma të vogla parash, i tillë ishte sabotimin në Deutsche Bahn apo zjarrvëniet ndaj DHL.
Një mënyrë tjetër janë lidhjet e drejtpërdrejta politike. Kështu raportet e fundit kanë përshkruar në detaje lidhjet e anëtarëve të AfD me zyrtarët rusë. Hetuesit e FBI-së kanë marrë në pyetje politikanin e AfD-së, Maximilian Krah, në lidhje me pagesat e mundshme nga individë të afërt me presidentin rus Vladimir Putin.
Po ashtu, politikani tjetër i AfD Petr Bystron, dyshohet se ka pranuar financime ruse, dhe dokumentet tjera të zbuluara sugjerojnë se shumë nga politikat e AfD mund të jenë diktuar nga Rusia.
Lini një Përgjigje