
Qëllimi i politikës perëndimore duhet të jetë marrëveshja me rusët, dhe jo zgjatja e një lufte të pashpresë.
Diplomacia e Perëndimit në lidhje me Ukrainën, ka pushuar prej kohësh së synuari fitimin e luftës. Tani po flitet kryesisht për “vija të kuqe” dhe pozicione negociuese në bisedimet e paqes. Vendimi i presidentit në largim Joe Biden për ta lejuar Ukrainën të përdorë raketat amerikane ATACMS me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektiva brenda Rusisë, mund të na çojë më pranë një marrëveshjeje paqeje.
Synimi i tij më i menjëhershëm, është të ndihmojë Ukrainën të mbrojë pozicionin e saj në rajonin rus Kursk, ku Vladimir Putin po planifikon aktualisht një kundërofensivë të re me ndihmën e ushtarëve të Koresë së Veriut. Megjithatë lëvizja e Biden, nuk do të ndryshojë dot rrjedhën e luftës.
Administrata Biden, e zbuloi vendimin për mediat një ditë përpara shpalljes zyrtare më 17 nëntor. Dhe kjo na tregon se kemi të bëjmë me diçka më shumë se sa thjesht një ndryshim në rritje të politikave. Reagimi i Kremlinit ndaj vendimit të Biden ishte i parashikueshëm.
Megjithatë ishte më i matur se herët e tjera. Zëdhënësi i Putinit foli vërtet për një përshkallëzim, por ai nuk tha se Rusia e konsideron tashmë veten në luftë me NATO-n. Kjo është ajo me të cilën kërcënoi Putin në shtator, kur tha se vendimi i Perëndimit për të lejuar Ukrainën të godasë objektivat në Rusi, do të përbënte “një përfshirje të drejtpërdrejtë të vendeve të NATO-s, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane në luftën në Ukrainë”.
Ne nuk jemi ende në këtë skenar, sepse as SHBA-ja dhe as Evropa nuk janë gati për një luftë ndaj Rusisë. Pasi Biden shpalli vendimin e tij, kancelari gjerman Olaf Scholz, tha se nuk do të ndjekë shembullin e tij, duke këmbëngulur në vendimin e tij të mëparshëm për të mos dërguar në Ukrainë raketat gjermane Taurus.
Politika e Berlinit, mund të ndryshojë pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit të ardhshëm. Por unë nuk pres ndonjë dërgesë raketash deri në vjeshtën e vitit të ardhshëm, gjë që do të ishte shumë vonë. Përçarja dhe dështimi për të rënë dakord mbi një qëllim të qartë në këtë luftë, e kanë turpëruar aleancën perëndimore që nga fillimi i saj.
Unë e kam të vështirë të gjej ndonjë qëllim strategjik pas lëvizjes së fundit të Joe Biden. Sulmi i Ukrainës në Kursk, ishte për mendimin tim një gabim strategjik. Ato forca që u dërguan atje, duhet të ishin përdorur më mirë për ta mbrojtur Ukrainën nga përparimi i mëtejshëm i ushtrisë ruse.
Nëse qëllimi do të kishte qenë që Ukraina të çlironte territoret e pushtuara, sasia e ndihmës ushtarake perëndimore do të duhej të ishte disa herë më e madhe nga ajo që është sot. Perëndimi do të kishte mbyllur boshllëqet e mëdha në regjimin e tij të sanksioneve kundër Rusisë.
Një nga më të mëdhenjtë është porti belg Zeebrugge, përmes të cilit mbërrijnë në tregjet evropiane sasi të mëdha gazit natyror rus. Mbështetja perëndimore për Ukrainën, ishte e kushtëzuar që në fillim nga një rrjet “vijash të kuqe”. Për shembull, Scholz tha se nuk do të sakrifikonte politikat sociale të qeverisë së tij për të financuar mbështetjen e Gjermanisë për Ukrainën.
Biden nuk duket se e ka koordinuar vendimin e tij të fundit me aleatët e tjerë perëndimorë apo me presidentin e porsazgjedhur Donald Trump. Djali i këtij të fundit, Donald Trump Jr., shkroi në Twitter: ”Kompleksi industrial ushtarak, duket se dëshiron të sigurojë fillimin e Luftës së Tretë Botërore, përpara se babai im të ketë shansin të vendosë paqen dhe të shpëtojë jetë njerëzish”.
Unë nuk dua të spekuloj se çfarë mund të jetë duke menduar vetë Trump mbi këtë çështje, por është ende narrativa në rrethin e tij më të ngushtë, ajo që duhet të na bëjë të ndalemi.
Dhe kjo më çon në përfundimin se rruga drejt një marrëveshjeje paqeje, është më e ndërlikuar tani sesa e imagjinonte deri dje Trump. Gjithsesi, ne jemi duke ecur në atë drejtim. Gjykoj se pozicioni i Trump për Ukrainën, do të jetë më i nuancuar në krahasim me atë që ka deklaruar vetë në të kaluarën.
Është e qartë se ai nuk do t’i japë fund luftës për 24 orë siç premtoi dikur. Por ka të ngjarë të shkëputet nga politika kaotike e administratës aktuale. Për këtë arsye, unë mendoj se një marrëveshje paqeje në vitin 2025 mbetet rezultati më i mundshëm. Siç raportoi edhe Wall Street Journal, brenda ekipit të Trump është duke u përvijuar skica në vija të përgjithshme e një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
Ajo parashikon ngrirjen e vijës aktuale të frontit, 1.100 kilometra të gjatë, me një brez të çmilitarizuar në të dyja anët. Territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia në lindje të asaj zone, do t’i përkasin Moskës. Pjesa më e rëndësishme e marrëveshjes, do të ishte që Ukraina të mos anëtarësohet në NATO për të paktën 20 vjet.
Presidenti turk, Recep Tayyp Erdogan, bëri një propozim të ngjashëm paqeje, me ndalimin e hyrjes në NATO të për Ukrainën për të paktën 10 vjet. SHBA-ja dhe Gjermania, janë në çdo rast që të dyja kundër anëtarësimit të Ukrainës në aleancë, ndaj kjo nuk është një çështje që nuk ka të ngjarë të ngrihet së shpejti për diskutim.
Megjithatë, nuk jam i sigurt nëse është një lëvizje e zgjuar, të bëhet një lëshim kaq i madh që përpara se të fillojnë negociatat. Për evropianët, pjesa më e vështirë do të jetë financimi i operacioneve paqeruajtëse pas luftës dhe rindërtimi i Ukrainës.
Qeveritë evropiane duhet të bëjnë sakrifica të mëdha fiskale, pasi shumat e kërkuara për këtë proces nuk mund të financohen nga buxhetet ekzistuese. Dhe unë nuk jam i sigurt nëse evropianët janë të gatshëm për këtë sakrificë. Të gjithë do të përballen me të njëjtën dilemë për të cilën ka folur shpeshherë Scholz, pra midis politikave të brendshme dhe mbështetjes financiare për Ukrainën.
Disa nga mbështetësit më të fortë të Ukrainës, duket se po jetojnë në një botë në të cilën paratë për armët janë të pakufizuara. Por shpenzimet ushtarake janë konsum dhe jo investim. Ato paguhen përmes taksave më të larta apo shkurtimit të shpenzimeve të tjera, dhe jo nëpërmjet rritjes së borxhit.
Nuk do ta dëgjoni shpesh këtë nga unë, por mendoj se në këtë pikë Donald Trump ka të drejtë: ne duhet të arrijmë një marrëveshje me rusët. Situata aktuale nuk mund të vazhdojë e tillë edhe për shumë kohë. Në një gjendje të tillë, një përshkallëzim i kryer me maturi, mund të jetë i dobishëm.
Kjo mund të jetë edhe pjesa më e mirë-menduar dhe me e rëndësishme e vendimit të Biden. Ndryshimi i rregullave të përdorimit të raketave perëndimore, nuk do ta ndihmojnë Ukrainën që të çlirojë territoret e pushtuara tashmë nga Rusia.
Por nga ana tjetër, kjo e rrit koston e Rusisë dhe mund ta detyrojë Putinin që të ulet në tryezën e bisedimeve. Qëllimi i politikës perëndimore duhet të jetë marrëveshja me rusët, dhe jo zgjatja e një lufte të pashpresë./Përshtati Pamfleti nga “Newstatesman”
Lini një Përgjigje