TAGS-AT E JAVËS

Forum26 Maj 2025, 14:46

Putini, Stalini dhe fitorja

Shkruar nga Anna Zafesova

 

Putini, Stalini dhe fitorja
Basorelievi i Stalinit në metronë e Moskës /

Dhjetëra monumente kushtuar Stalinit po kthehen në Rusi, dhe i fundit është një basoreliev në metronë e Moskës. Kremlini dëshiron të imponojë një paralele midis Luftës së Dytë Botërore dhe pushtimit të Ukrainës, dhe rrjedhimisht midis Putinit dhe diktatorit si udhëheqës që i çojnë rusët drejt fitores.

Ai është kthyer. I kundron moskovitët teksa zbresin nga treni në stacionin e metrosë Taganskaya, me shikimin e tij indiferent ndaj figurave të grave dhe burrave që e adhurojnë, me dorën e futur brenda xhaketës ushtarake në një gjest napoleonik.

Josif Visarionoviç Xhugashvili, i njohur edhe si Stalini, ka rifituar vendin e tij në basorelievin “Mirënjohja e Popullit ndaj Udhëheqësit dhe Komandantit”, një akt i shoqëruar nga shumë debate.

Ai ishte çmontuar 60 vjet më parë nga Metroja e Moskës. Kohët e fundit u restaurua fshehurazi për disa muaj, gjatë të cilave të gjithë pyesnin veten se çfarë fshihej pas tabelave ku shkruhej “punime në vazhdim”. Vetëm brenda pak ditësh, ky akt e ka polarizuar opinionin publik rus.

Ndërsa buqeta me lule po grumbullohen në këmbët e veprës, dhe disa të moshuar po gjunjëzohen në shenjë nderimi, aktivistët kanë bërë thirrje për një protestë me pankarta që përmbajnë citimin e Vladimir Putinit mbi stalinizmin si një “krim kundër popullit”.

Këta të fundit u ndaluan nga policia, ndërsa të parët jo. Nuk është monumenti i parë kushtuar diktatorit sovjetik që ngrihet në Rusi pas fundit të komunizmit, i cili e kishte fshirë emrin dhe shëmbëlltyrën e Stalinit nga emrat e rrugëve dhe shesheve pas zbulimeve të bëra në vitin 1956 nga Nikita Hrushovi në lidhje me miliona njerëz që vdiqën nëpër Gulagë.

Organizata të ndryshme jo qeveritare që mbrojnë të drejtat e njeriut, kanë numëruar të paktën 100 statuja, lapidarë dhe buste të Stalinit, nga të cilat të paktën 90 janë vendosur në 25 vitet e fundit, gjatë epokës së sundimit të Putinit.

Por deri më tani ato kishin qenë “nisma private”, të ndërmarrë nga ndonjë shoqatë nostalgjikësh ose politikanësh apo sipërmarrësish vendas (rasti i fundit është një poster, në të cilin Stalini shtrëngon duart me Vladimir Putinin, në një bar në qytezën Belgorod).

Ndërkohë Metroja e Moskës, është një strukturë strategjike, dhe mundësia që menaxherët e saj të kenë vepruar pa u konsultuar me Kremlinin është praktikisht zero. Burime qeveritare që duan të mbeten anonimë, kanë konfirmuar rrjedhjet e informacioneve në Telegram, sipas të cilave vendosja e basoreliefit ishte i dëshiruar dhe i monitoruar nga presidenca ruse.
Sondazhet thuhet se tregojnë se 20-25 për qind e moskovitëve janë kundër rikthimit të imazhit të Stalinit në metro, ndërsa 15-18 për qind janë pro. Shumica mbetet indiferente, ose preferoi të pretendonte se është e tillë, përballë një operacioni që synonte pastrimin e së kaluarës totalitare me qëllim legjitimimin e një të tashmeje që do të donte t’i ngjante asaj.
Nuk është aspak rastësi që Kryetarja e Senatit Rus, Valentina Matvienko, deklaroi së fundmi se Stalini “mund të kritikohet dhe dënohet, por ishte pikërisht besimi tek ai që e bashkoi shoqërinë sovjetike, duke i dhënë sigurinë e fitores ndaj nazizmit”.

Besnikja e ideologjisë putiniste, vazhdon më tej duke teorizuar se “institucioni i udhëheqësit kombëtar nuk është i shkruar në Kushtetutë, por është pjesë e realitetit politik”. Edhe kreu i parlamentit rus, DUMA, Vyacheslav Volodin, në një kthesë të pabesueshme historike-ideologjike, i kritikoi komunistët rusë për mohimin e Stalinit: “Nëse i keni rishikuar qëndrimet tuaja, atëherë tani është koha që të pendoheni!”.

Sinjale shumë të qarta dëshirash që vijnë nga shumë lart, teksa presidenti rus këmbënguli në prag të festimeve për fitoren ndaj Hitlerit, për të rivendosur emrin e Stalingradit të paktën në aeroportin e qytetit, që për më shumë se gjysmë shekulli është quajtur Volgograd.
Kremlini dëshiron që të imponojë një paralele midis Luftës së Dytë Botërore dhe pushtimit të Ukrainës, dhe rrjedhimisht midis Putinit dhe Stalinit si udhëheqësit që i çuan rusët drejt fitores.

Edhe në shkëmbimin e fundit të të burgosurve të luftës, ushtarët rusë po ktheheshin nga Ukraina duke valëvitur në mënyrë të barabartë flamurin trengjyrëshin bardhë-blu-kuq të Rusisë moderne, trengjyrëshin bardhë-verdhë-zi të Perandorisë së Romanovëve dhe flamurin e kuq me drapër e çekan të Bashkimit Sovjetik.
Një restaurim që është padyshim i rremë, në krahasim me basorelievin origjinal të Stalinit triumfues. Një vepër e kritikuar edhe nga kritikët e artit të regjimit, si Elizaveta Likhachova, ish-drejtoreshë e Muzeut Pushkin. Në fakt, është një printim në formatin 3D i origjinalit prej qeramike, i cili lë jashtë detajet dekorative dhe shtrembëron përmasat e trupave./Pamfleti nga “La Stampa”

putini stalini fitorja

Lini një Përgjigje