
Fluksi i ushtarëve me kontratë ,nuk mjafton për të kompensuar humbjet në fushën e betejës. Ka shumë shenja se nëse dëshiron të vazhdojë luftën e tij, maksimumi në vjeshtë Putini do të përballet me nevojën për të kryer një mobilizim të ri...
Pushtimi rus duket se ka ngecur. Forcat ukrainase, arritën të ndalnin ofensivën e re të trupave të Putinit në rajonin Kharkiv. Po ashtu, ushtria ruse është bllokuar edhe në rajonin e Donetsk. Edhe nëse ka ndonjë përparim në ndonjë segment të frontit, ai është minimal.
Sigurisht, ka të ngjarë që Kremlini të miratojë dhe zbatojë ndonjë strategji të re. Në çdo rast, humbjet e saj në materiale dhe njerëz janë të mëdha. Historikisht, komanda ushtarake ruse ka qenë e mësuar të mos kursejë burimet. Megjithatë, gratë ruse nuk po lindin mjaftueshëm meshkujt, ndërsa fabrikat po dështojnë në prodhimin dhe riparimin e numrit të nevojshëm të tankeve dhe transportuesve të blinduar që duhen në fushën e betejës.
Ndërkohë, ambasadori i ri i Ukrainës në Londër, Valerii Zaluzhny, thotë se shumë shpejt as Ukraina dhe as Rusia nuk do të jenë në gjendje të marrin teknologjinë që do të ishte vendimtare në këtë luftë. “Në këto kushte, zgjidhja e vetme mund të jetë shtimi i numrit të trupave të angazhuara në front”- propozon Zaluzhny.
Mbi 2 vjet që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të gjerë, në Rusi kanë mbetur pak burra që janë të gatshëm të shkojnë dhe vdesin me dëshirë në Ukrainë për pagesë. Në rajonin e Tatarstanit, autoritetet po i ofrojnë 100.000 rubla cilitdo që arrin të bindë dikë të nënshkruajë një kontratë bashkëpunimi me Ministrinë e Mbrojtjes.
Po kështu edhe në rajonin Yaroslav. Gati të gjitha rajonet e federatës ruse, po i joshin burrat të shkojnë në luftë, duke u premtuar të gjitha llojet e pagesave për ata që nënshkruajnë kontratat. Megjithatë, ka një mungesë të vazhdueshme trupash. Ndaj ushtarët e plagosur që nuk janë shëruar plotësisht, detyrohen të kthehen sërish në front.
Por fluksi i ushtarëve me kontratë, nuk mjafton për të kompensuar humbjet në fushën e betejës. Ka shumë shenja se nëse dëshiron të vazhdojë luftën e tij, maksimumi në vjeshtë Putini do të përballet me nevojën për të kryer një mobilizim të ri.
Kjo edhe sepse po shqyrton mundësinë e një ofensive të re të madhe kundër Kievit. Dhe për një lëvizje të tillë nuk ka përpara pengesa politike. Ai mund t’i referohet dekretit të firmosur në fazën e parë të luftës në shtator 2022. Nëse duhet, parlamenti rus, Duma, tërësisht e nënshtruar, por edhe Këshilli i Federatës do të miratojnë çdo gjë.
Protestat nuk ka gjasa të ketë:kundërshtarët ose kanë frikë ose janë larguar. Publikisht flasin vetëm disidentët e izoluar dhe pa mbështetës. Megjithatë, lind pyetja, a do të jetë në gjendje Putini të përballojë një mobilizim të ri nga pikëpamja ekonomike? Problem nuk janë paratë. Putin i ka ende ato. Dhe nëse nuk mjaftojnë, do të shkurtojë shpenzimet për shëndetësinë ose arsimin. Megjithatë, ekonomia është pjesa më e cenueshme e Federatës Ruse. Dhe një mobilizim i ri mund ta dëmtojë seriozisht, pasi mungesa e fuqisë punëtore, është ajo që po shqetëson tani seriozisht ekonomistët e Putinit.
Sipas të dhënave të Bankës së Rusisë, treçereku i kompanive në vend po përballen me këtë problem. Dërgimi i rekrutëve në luftë, migrimi i atyre që e kundërshtuan atë apo që nuk duan të vdesin për Putinin (sipas llogaritjeve të portalit The Bell, që pas shkurtit të 2022, të paktën 660.000 burra janë larguar Rusia dhe nuk janë kthyer më).
Dhe kjo do të thotë se mungesa e punëtorëve në Federatën Ruse po bëhet kritike. Ajo mund të kompensohet nga një rritje e produktivitetit të punës, por kjo pengohet nga vonesat teknologjike. E shkëputur nga teknologjitë botërore për shkak të sanksioneve, Rusia do të pësojë një degradim të mëtejshëm.
Në këto kushte, regjimi po funksionon sipas metodës së thjeshtë të detyrimit të punëtorëve aktualë që të punojnë më shumë orë në ditë. Pra të rrezikojnë sigurinë në punë. Dhe pastaj autoritetet do të thonë se ka pasur sabotime. Për shembull, Aeroflot anuloi mbi 300 fluturime në fund të qershorit, për shkak të mosparaqitjes në punë të stjuardesave që po punojnë “mbi kufirin e aftësive të tyre”, siç shkruante portali Aviatorshchina.
Një mundësi tjetër është sjellja e punëtorëve të rinj nga Afrika. Sipas statistikave të agjencisë konsulente RBK, këta punëtorë vijnë kryesisht nga Kenia, Zimbabve, Kameruni dhe Zambia. Mungesa e punëtorëve ka çuar në një rritje të madhe të pagave.
Një pasojë e kësaj, është rritja e kërkesës konsumatore, por edhe rritja e çmimeve për shkak të pamundësisë për ta përmbushur atë. Rusët nuk mund të kompensojnë mungesën e prodhimit duke rritur importet për shkak të sanksioneve. Ose këto mallra janë shumë të shtrenjta.
Zgjidhje nuk është as ndalimi i importeve. Sepse një lëvizje e tillë sjell rritjen e inflacionit, një gjendje të cilën dhe ekonomistët dhe ekspertët financiarë të Putinit, nuk kanë qenë në gjendje ta përballojnë me sukses për një kohë të gjatë.
Shtrëngimi i politikës monetare, si rritja e normës së parë, është mjeti bazë për të luftuar inflacionin. Por në Rusi, ky mekanizëm nuk po funksionon më. Gjatë viteve 2023-2024, Banka e Rusisë e rriti 6 herë normën e interesit, nga 7.5 për qind në 18 për qind që është aktualisht.
Por inflacioni nuk ka ndërmend të bjerë. Përkundrazi, është rritur më tej çmimi i benzinës, gjë që mund të shkaktojë rritjen e çmimit të shumë mallrave të tjera. Kjo do të thotë se sulmet e ukrainase me dronë ndaj rafinerive ruse të naftës, kanë një ndikim të madh dhe janë shumë efektive.
Ndonëse ekonomia ruse është ende në rritje, kjo po ndodh në kurriz të rritjes së shpenzimeve buxhetore dhe kontratave të mëdha qeveritare, pra të shërbimit ndaj luftës së Putinit në Ukrainë. Për këtë arsye nevojiten sanksione të reja, të cilat do të parandalonin përdorimin e një flote hije, e cila i jep mundësi Moskës të vazhdojë të fitojë para nga eksportet e naftës.
Në çdo rast, praktikisht rusët kanë ezauruar që të gjitha mundësitë për rritjen e ekonomisë së tyre. Siç e pranoi së fundmi edhe German Gref, një nga ekspertët financiarë të Putinit, niveli i shfrytëzimit të kapacitetit të saj arriti në 84 për qind, që është një maksimum historik.
Dhe kjo do të thotë që praktikisht nuk ka më hapësirë, pajisje apo fuqi punëtore të lirë.
Pra, në vjeshtë Vladimir Putin do të detyrohet të zgjedhë midis luftës dhe mobilizimit ose ekonominë. Në një gjendje normale, vendimi do të ishte i qartë. Por në rastin e Rusisë dhe Putinit, nuk vlen arsyetimi normal. Rusët janë gati të shkatërrojnë gjithçka për të vrarë banorët e një vendi fqinj.
Megjithatë, duhet ta kuptojnë se pasojat do të jenë katastrofike. Mjeti kryesor që mund t’i kundërvihemi ne në Perëndim janë sanksionet. Pavarësisht se çfarë thonë autoritetet ruse, sanksionet po funksionojnë, dhe kjo gjë po ndihet çdo ditë e më shumë në Rusi.
Megjithatë, ato nuk janë ende mjaftueshme. Prandaj është e rëndësishme që të vendosen menjëherë sanksione të reja, që do t’ia bëjnë më të vështirë Vladimir Putinit kryerjen e një mobilizimi dhe kompensimin e humbjeve në armë dhe municione./Përshtati Pamfleti nga “Kyiv Post”
Shënim: Leonid Nevzlin, botues dhe filantrop ruso-israelit.
Lini një Përgjigje