
Kriza ekonomike dhe pasuesi i Khameneit...
Njëqind avionë izraelitë, sulmuan në fundjavë bazat e njësisë elitë të ushtrisë iraniane, Pasdaran, si dhe fabrikat e prodhimit të raketave. Megjithatë, sulmi i urdhëruar nga qeveria Netanyahu u duk paksa i “kontrolluar”, pra si një lojë rolesh në të cilën askush nuk duket për momentin se e dëshiron përshkallëzimin e konfliktit.
Teherani, thotë Rony Hamaui, profesor i shkencave bankare në Universitetin Katolik të Milanos dhe ekspert i ekonomisë dhe financave islame, ka shumë probleme të brendshme, sidomos ato ekonomike, dhe nuk ka luksin të përfshihet në një konflikt të drejtpërdrejtë me Izraelin.
Nga ana tjetër situata në Gaza, do të duhet herët a vonë që të zgjidhet, dhe kjo mund të krijojë skenarë të rinj, duke i dhënë mundësinë presidentit Pezeshkian të përpiqet të zbusë sanksionet kundër vendit. Por ka edhe elementë të tjerë që mund ta ndryshojnë situatën: pasardhësi i Khamenei-t, liderit suprem iranian, dhe një lloj përpjekje për reduktimin e tensionit midis sunitëve dhe shiitëve.
Ndërkohë Arabia Saudite dhe Irani, kanë zhvilluar së fundmi stërvitje ushtarake të përbashkëta. Pastaj në kontekstin e ri gjeopolitik, Teherani nuk është më aq i izoluar: mendoni pak për BRICS, dhe jo vetëm marrëdhëniet tregtare të Iranit me Rusinë dhe Kinën. Pra nuk do të jetë dhe aq i lehtë shënjestrimi i këtij vendi.
A do të çojë sulmi i Izraelit ndaj Iranit në një përshkallëzim të mëtejshëm të sitiatës së nderë në Lindjen e Mesme?
Të gjitha shenjat tregojnë se as Izraeli dhe as Irani, nuk dëshirojnë që të hapin një front lufte. Izraelitët i informuan iranianët paraprakisht, duke goditur bazat ushtarake, por jo objektet e tij ekonomike dhe bërthamore, ndërsa iranianët i minimizuan shkallën dhe pasojat e “sulmit”. Të gjithë duken të kënaqur. Përjashtuar aksidentet, ky episod duket se përfundon këtu.
Pse asnjë nga dy të vendet nuk dëshiron të shkojë në luftë?
Izraelitët kanë hapur tashmë një front në Gaza dhe një tjetër në Liban. Ndaj hapja e një fronti të tretë do të ishte shumë e ndërlikuar. Nga ana tjetër, iranianët përballen me shumë probleme të brendshme. Inflacioni është rritur sërish, s’ka rritje ekonomike, dhe Teherani duhet të vazhdojë të mbështesë Hamasin dhe Hezbollahun. Askush nuk dëshiron të hapë një konflikt me një vend 1500 kilometra larg, që nuk përbën një kërcënim të madh.
Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme iraniane, botuar në ‘Tehran Times’, pretendohet e drejta për vetëmbrojtje, por nënvizohet gjithashtu se vendi është “i vetëdijshëm për përgjegjësitë e tij në çështjet e paqes dhe stabilitetit rajonal”. A është ky një konfirmim se Irani nuk do t’i kundërpërgjigjet Izraelit pas sulmit të fundjavës?
Gjithçka përkon me këtë qasje. Këtë herë nuk ka shumë paqartësi, edhe pse në Lindjen e Mesme gjithçka mund të ndryshojë shumë shpejt. Irani ndodhet në një fazë tranzicioni, me një udhëheqës shumë të moshuar dhe me një qeveri të re që ka premtuar të lehtësojë sanksionet.
Ata kanë një ekonomi në krizë, ndaj një luftë nuk do ta rriste popullaritetin e regjimit, përkundrazi do të rrezikonte ta rrëzonte. Kujdesi i ka shtyrë iranianët të shfaqin një qëndrim jo shumë agresiv, për të mos u përplasur sërish me Arabinë Saudite.
A po ndryshojnë vërtet marrëdhëniet e tyre me sauditët?
Iranianët po e shmangin përfshirjen në çështje shumë komplekse të gjeopolitikës së Lindjes së Mesme, e cila aktualisht po sjell një afrim mes sunitëve dhe shiitëve. Irani dhe Arabia Saudite, kanë mbajtur së fundmi disa stërvitje të përbashkëta ushtarake. Të dyja vendet ishin të pranishme në samitin e fundit të BRICS. Pra ka disa shenja afrimi. Nuk ka gjasa që ky proces të shkojë deri në fund, por në këtë drejtim po bëhet një përpjekje.
A mundet që vështirësitë e brendshme të Iranit, ta detyrojnë atë të mos mbështesë më Hamasin, Hezbollahun dhe Huthit?
Milicitë janë shumë të dobishme për Iranin, veçanërisht ato libaneze. Nuk dihet se çfarë ka mbetur nga Hamasi, por Siria dhe Libani mbeten territore të pazëvendësueshme për Teheranin, ashtu si edhe një pjesë e Irakut. Iranianët po i mbështesin ende këto milici, por preferojnë që të mos ekspozohen drejtpërdrejt.
Ata mund ta kenë më të vështirë të vazhdojnë mbështetjen ndaj tyre, por do të vazhdojnë ta bëjnë këtë për aq kohë sa të jetë e mundur. Për ta është shumë i rëndësishëm kontrolli i një territori që shtrihet nga Irani në Liban, ndaj regjimi në Teheran nuk do të heqë dorë.
A mund ta delegojnë iranianët tek palët e treta, përgjigjen ndaj sulmi të fundit nga Izraeli?
Sigurisht, dhe Hezbollahu po i reziston mirë sulmeve. Izraeli nuk ka arritur të depërtojë shumë. Pavarësisht se ka eliminuar disa drejtues, struktura e tij organizative funksionon, aq sa arrin të kryejë 130-140 sulme kundër objektivave izraelite, me dronë të aftë për të goditur deri edhe rezidencën e Netanyahut. Për më tepër, Izraeli s’ka guximin të nisë një pushtim të vërtetë të Libanit.
Si mund të reagojë tani Irani?
Presidenti i ri po tenton të bëjë disa ndryshime në politikën e brendshme. Mbetet të presim dhe shohim se çfarë do të ndodhë në Gaza. Situata do të ndryshojë brenda pak muajsh, ndoshta pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA, apo pas bisedimeve të reja të paqes në Egjipt.
Kjo mund të transformojë të gjithë panoramën.
Po ashtu, Hezbollahu ka deklaruar gjithmonë se do ta ndalë luftën nëse gjendet një zgjidhje politike për Gazën. Pasi të mbyllet ky front, Irani mund të ndryshojë pozicionin e tij, edhe nëse Izraeli dëshiron zbatimin e rezolutës së OKB-së për çmilitarizimin e Libanit jugor. Unë besoj se është e mundur një zgjidhje.
Si duhet të veprojë Teherani për të përmirësuar situatën e tij të brendshme?
Irani tashmë po vepron. Ai nuk është më aq i izoluar sa 2 vite më parë. Udhëheqësit iranianë u takuan me ata të Rusisë, Kinës, Indisë dhe krerëve e 30 shteteve të tjera partnere të BRICS. Nëse do të zgjidhej çështja e Gazës, Irani do të kishte më shumë hapësirë për t’u përpjekur të reduktojë efektet e sanksioneve, të cilat rëndojnë shumë mbi ekonominë e tij, dhe të gjente një zgjidhje për programin bërthamor.
Atëherë mbetet për t’u zgjidhur problemi i vërtetë, ai i pasardhësit të Khameneit...
Pushteti është në duart e Khameneit dhe rrethit të tij. Ka një problem me pasardhësin, që ndoshta do të zgjidhet në vazhdimësi. Për momentin, nuk duket se ka një zgjidhje të ngjashme me atë që zgjodhi president Pezeshkianin e konsideruar si një reformator, por ka më shumë gjasa që nëse ndodh një ndryshim i regjimit, ai të arrihet nga brenda, pa ndonjë presion të jashtëm.
Nuk është e qartë se çfarë mendon Trump për këtë çështje. Por Biden, dhe ndoshta edhe Harris, nuk kanë besuar kurrë tek aftësia e Amerikës për të ndryshuar regjimet. Përpjekje të ngjashme kanë rezultuar të pasuksesshme, si për shembull në Irak./Përshtati Pamfleti nga “Il Sussidiario”
Lini një Përgjigje