TAGS-AT E JAVËS

Forum27 Tetor 2024, 16:27

Çfarë është liria individuale?

Shkruar nga Spartak Ngjela

Çfarë është liria individuale?

Individi që nuk e ka arritur lirinë e tij të brendshme individuale është ende njeriu që jeton me konfliktet e tij të brendshme.

Liria individuale është një gjendje mendore e cila të jep dinjitet dhe personalitet në shoqërinë ku ti jeton.  Mënyra me e mire për ta arritur këtë gjendje mendore të lirisë, është që ti vetë ta ushqesh atë.

Liria individuale u takon vetëm atyre që dinë të respektojnë veten. Liria individuale nuk ka të bëjë me liritë e tjera. Liria individuale është personaliteti yt, figura dhe puna jote, dhe çmimi i saj është i shtrenjte, sigurisht.

Duhet ta dimë se çmimi i lirisë ngaherë i shtrenjtë është, por nuk belehet me para. Liria individuale fitohet me dinjitetin tënd personal që të jep personalitet në shoqërinë ku ti jeton. Liria, për atë që nuk e njeh dhe nuk e ndien lirinë,  është frikë.

Pse, ju mendoni që skllavi qëndron si skllav i dikujt dhe punon për të, pse ai e ka detyruar me forcë që ta ketë skllav? Jo. Skllavëria është sistem i brendshëm i individit që në histori shkoi e u bë edhe si një sistem shoqëror.

Sepse njeriu i lirë ka një çmim që atij i duhet ta paguajë përditë. Dhe kurrë mos e mendoni që liria jote është një çmim që paguhet në para. Lira individuale është forcë shpirtërore. Dhe kjo forcë sigurisht që ka çmimin e saj brenda teje.

Por, kjo forcë është guximi shpirtëror i njeriut të lirë. Dhe, pikërisht kjo, në fakt, është liria e brendshme që po e arrite, ajo të sjell intelektin e lartë të të menduarit, por edhe dinjitetin personal.

Intelekti dhe guximi individual të japin lirinë individuale, kurse liria individuale të jep dinjitetin, forcën, karakterin dhe ndershmërinë e njeriut të drejtë.

Individi që nuk e ka arritur lirinë e tij të brendshme individuale është ende njeriu që jeton me konfliktet e tij të brendshme.

Konfliktet e brendshme lindin e zhvillohem brenda teje si pasojë e mungesës së lirisë individuale.

Koha nuk ndryshon, ajo është e njëjtë ngaherë, dhe ndryshimi është yti. Kurse e përgjithshmja shoqërore, sado forcë të ketë, njeriun e lirë nuk e kthen dot në skllav.

Lini një Përgjigje